Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Joe Biden, djali i ish-presidentit amerikan: Kanceri i është përhapur edhe në kocka

Gjendja shëndetësore e ish-presidentit amerikan Joe Biden është rënduar, pasi kanceri agresiv i prostatës me të cilin u diagnostikua është përhapur në pjesë të tjera të trupit, përfshirë kockat.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Hunter Biden, gjatë një interviste të transmetuar të premten nga BBC. Ai tha se sëmundja është përhapur dhe se babai i tij po përballet me dhimbje të forta.
“Është përhapur në kocka dhe më tej. Është shumë e dhimbshme dhe, në shumë aspekte, dobësuese”, deklaroi Hunter Biden.
Joe Biden, 83 vjeç, u diagnostikua në maj të vitit 2025 me një formë agresive të kancerit të prostatës. Gjatë vitit të kaluar, ai iu nënshtrua gjithashtu ndërhyrjes për heqjen e disa dëmtimeve kanceroze në lëkurë dhe kreu trajtim me rrezatim.
Pavarësisht gjendjes shëndetësore, ish-presidenti ka vijuar të shfaqet publikisht. Së fundmi, ai mbajti fjalimin kryesor në një aktivitet për mbledhjen e fondeve të Partisë Demokratike në Maryland.
Hunter Biden tha se babai i tij vazhdon të luftojë me sëmundjen dhe se do ta bëjë këtë për sa kohë të jetë gjallë.
Edhe Jill Biden, bashkëshortja e ish-presidentit dhe ish-zonja e parë e SHBA-së, ka folur së fundmi për gjendjen e tij shëndetësore. Ajo ka deklaruar se trajtimi i Biden vazhdon dhe se sëmundja është bërë pjesë e përditshmërisë së tij.
Kanceri i prostatës prek kryesisht burrat në moshë të madhe dhe shpesh zhvillohet ngadalë. Në rastet e avancuara, sëmundja mund të përhapet në kocka dhe, sipas ekspertëve mjekësorë, në këtë fazë nuk konsiderohet i shërueshëm.
Biden ka pasur edhe më parë probleme të rëndësishme shëndetësore. Në vitin 1988, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për një aneurizëm në tru, që në atë kohë rrezikoi edhe karrierën e tij politike.
Familja Biden është përballur gjithashtu me një tjetër tragjedi të lidhur me kancerin. Djali i tij, Beau Biden, vdiq në vitin 2015, në moshën 46-vjeçare, nga glioblastoma, një formë agresive e kancerit të trurit.
Lexo edhe
BOTA
Netanyahu rrëzon planin 15-pikësh të Trump për Gazën: Nuk do të ketë tërheqje pa çarmatosjen e Hamasit

81 vjet nga Nagasaki/ Japonia përkujton viktimat e bombës atomike

Hungaria përmbys epokën e Orbanit/ Ish-kreu i Gjykatës Supreme propozohet president

Turqia thotë se marrëveshja e re e mbrojtjes nuk e shënjestron Iranin

Evropa nën valën rekord të të nxehtit, Danubi në nivele kritike/ Analiza e DW: Pse po kërcënohet furnizimi me energji





