BOTA

Spiunët që erdhën nga Tokio/ Si Putini e shndërroi Japoninë në një ‘fole’ të agjentëve rusë dhe e përfshiu atë në luftën me Ukrainën

Piranjat Përditësimi i fundit 12 Korrik 2026, 19:26
Spiunët që erdhën nga Tokio/ Si Putini e shndërroi

Në javët e para pas pushtimit rus të Ukrainës, qeveritë perëndimore ndërmorën një nga operacionet më të mëdha të koordinuara për dobësimin e shërbimeve ruse të inteligjencës që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Qindra diplomatë rusë, të cilët në të vërtetë konsideroheshin oficerë të shërbimeve sekrete, u dëbuan nga kryeqytetet evropiane, ndërsa kompani, ndërmjetës dhe biznesmenë me lidhje me Kremlinin u futën në listat e sanksioneve.

Qëllimi ishte i dyfishtë: të kufizohej aftësia e Moskës për të mbledhur informacione dhe, në të njëjtën kohë, t’i ndërpritej qasja ndaj komponentëve teknologjikë të nevojshëm për prodhimin dhe mirëmbajtjen e armëve moderne. Mikroçipet, gjysmëpërçuesit, transmetuesit, sistemet e navigimit, makineritë industriale dhe pajisjet me precizion të lartë u vendosën në qendër të një bllokade ekonomike dhe teknologjike pa precedent.

Megjithatë, katër vite më vonë, rrjeti rus i furnizimeve jo vetëm që nuk është zhdukur, por është përshtatur dhe një nga nyjet më të rëndësishme të tij ndodhet në një vend që politikisht shfaqet në krah të Ukrainës: Japonia.

Nga kryeqytetet evropiane drejt Tokios

Sipas zyrtarëve perëndimorë të shërbimeve të inteligjencës, dhjetëra agjentë rusë të dëbuar nga vendet evropiane pas vitit 2022 u shfaqën në vitet pasuese në Japoni. Lëvizja e tyre nuk ishte e rastësishme.

Japonia ka një nga industritë teknologjike më të avancuara në botë, por në të njëjtën kohë ka një kuadër institucional jashtëzakonisht të dobët për luftën kundër spiunazhit. Ajo nuk ka as një shërbim të pavarur të inteligjencës së jashtme sipas modeleve të CIA-s amerikane, MI6 britanik apo DGSE francez, ndërsa përgjegjësitë për kundërzbulimin mbeten të shpërndara mes policisë dhe agjencive të ndryshme shtetërore.

Kjo situatë i ka rrënjët në arkitekturën e pasluftës së vendit. Pas humbjes së Japonisë në vitin 1945, fituesit e luftës vendosën kufizime jo vetëm mbi aftësitë ushtarake të Tokios, por edhe mbi krijimin e mekanizmave të fuqishëm të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare.

Këto kufizime, të cilat për dekada konsideroheshin si garanci kundër rikthimit të militarizmit japonez, sot funksionojnë si një boshllëk që shfrytëzohet nga shërbimet e huaja. Vendi është cilësuar vazhdimisht si një “parajsë për spiunët”. Shërbimet ruse duket se e kanë parë Japoninë jo vetëm si një strehë të sigurt për personelin e tyre, por edhe si një portë hyrëse për komponentët që industria ushtarake ruse ka nevojë urgjente.

Autoritetet ukrainase vlerësojnë se rreth 90% e raketave dhe dronëve rusë përmbajnë komponentë me origjinë japoneze. Kjo përqindje nuk do të thotë se kompanitë japoneze shesin me vetëdije materiale ushtarake në Moskë. Por do të thotë se produktet e tyre, shpesh përmes vendeve të treta, përfundojnë në fabrikat ruse dhe më pas integrohen në armë që përdoren kundër qyteteve ukrainase.

Drejtoria e panjohur e 20-të

Në qendër të mekanizmit rus ndodhet një njësi sekrete e shërbimit ushtarak të inteligjencës GRU, e njohur si Drejtoria e 20-të. Misioni i saj i saktë nuk ishte bërë publik deri më tani, por zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të shërbimeve perëndimore e lidhin drejtpërdrejt me sigurimin, vjedhjen dhe transferimin e teknologjive ushtarake ose me përdorim të dyfishtë drejt Rusisë.

Oficerët e saj shfaqen si diplomatë, biznesmenë ose punonjës të kompanive shtetërore ruse. Ata nuk kufizohen vetëm në mbledhjen e informacionit. Ata krijojnë rrjete partnerësh tregtarë, identifikojnë kompani logjistike, shfrytëzojnë vende që nuk zbatojnë rreptësisht sanksionet perëndimore dhe organizojnë rieksportimin e produkteve të ndaluara.

Në krye të operacionit në Tokio dyshohet se është Maksim Vladimiroviç Filçenkov, 49 vjeç, një oficer veteran i GRU-së, i cili si mbulim përdor pozicionin e një punonjësi të kompanisë shtetërore ruse të aviacionit Aeroflot.

Kjo praktikë nuk është as e panjohur dhe as e paprecedentë. Që nga periudha sovjetike, punonjës të kompanisë Aeroflot janë përdorur si mbulesë nga agjentë që kërkonin teknologji perëndimore. Kompanitë ajrore ofrojnë qasje në rrjete ndërkombëtare transporti, partnerë tregtarë, procedura doganore dhe kompani të transportit të mallrave.

Zyra e Aeroflot në Tokio ndodhet rreth dhjetë minuta në këmbë nga selia e Agjencisë Kombëtare të Policisë së Japonisë, e cila është përgjegjëse për çështjet e spiunazhit. Pikërisht aty, në katin e 22-të të një ndërtese në kryeqytetin japonez, shërbimet perëndimore besojnë se Filçenkov koordinon një nga operacionet më të rëndësishme të furnizimit teknologjik të Rusisë.

Kjo afërsi pasqyron në mënyrë pothuajse simbolike problemin: shërbimet ruse nuk kanë nevojë të veprojnë në zona të errëta ose në tregje të largëta. Ato mund të funksionojnë pothuajse para syve të autoriteteve japoneze, duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore.

Rrjeti i vendeve ndërmjetëse

Metoda ruse nuk bazohet në transportin e drejtpërdrejtë të komponentëve të ndaluar nga Japonia drejt Rusisë. Ajo mbështetet në një zinxhir kompanish, pikash tranziti dhe vendesh ku kontrollet janë më të dobëta. Japonia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të teknologjisë së ndjeshme me përdorim të dyfishtë.

Bëhet fjalë për produkte që mund të kenë një përdorim plotësisht të ligjshëm civil, por që mund të përdoren gjithashtu për qëllime ushtarake: qarqe elektronike, transmetues, gjysmëpërçues, sensorë, sisteme kontrolli dhe makineri me precizion të lartë.

Sipas të dhënave tregtare të disponueshme, një nga destinacionet më të mëdha të kësaj teknologjie japoneze është Vietnami. Vietnami, nga ana e tij, është një eksportues i rëndësishëm i produkteve të ndjeshme drejt Rusisë. Modeli është i thjeshtë: produkti eksportohet ligjërisht nga Japonia drejt një vendi të tretë dhe më pas rishitet, rieksportohet ose shfaqet me dokumente të ndryshme përpara se të arrijë te marrësi përfundimtar rus.

Rrugë të ngjashme mund të kalojnë përmes Kinës, Sri Lankës, Uzbekistanit ose vendeve të tjera ku Aeroflot vazhdon të operojë dhe ku ekzistojnë kanale tregtare me Rusinë.

Në këtë mjedis marrin rëndësi kompani të vogla logjistike, të cilat mund të sigurojnë hapësirë transporti në linjat ajrore dhe të dërgojnë produkte drejt pikave ndërmjetëse. Një prej tyre është Proco Air, me seli në zonën industriale-portuale të Tokios, e cila e paraqet veten si një “urë mes Japonisë dhe Rusisë”.

Kompania bashkëpunon zyrtarisht me Aeroflot dhe transporton mallra përmes vendeve si Sri Lanka ose Uzbekistani. Ky aktivitet në vetvete nuk është i paligjshëm, pasi një sasi e konsiderueshme mallrash ende lejohet të importohet në Rusi. Megjithatë, zyrtarët perëndimorë besojnë se rrugë të tilla përbëjnë një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës që i nevojitet Drejtorisë së 20-të.

Pronari i Proco Air, Takehiko Miki, pranoi se e njihte Filçenkovin që në vitin 2018 dhe se bashkëpunimi mes tyre u forcua pas kthimit të rusit në Tokio në vitin 2024. Megjithatë, ai mohoi se kishte dijeni për lidhjet e tij me shërbimet ruse të inteligjencës ose se kishte tentuar të transportonte produkte të ndaluara.

Një dokument transporti që ai paraqiti si provë të aktivitetit të ligjshëm kishte të bënte me pajisje mjekësore me destinacion Rusinë përmes Sri Lankës. Marrësi përfundimtar ishte kompania farmaceutike R-Pharm. Vetë kompania nuk është nën sanksione, por themeluesi i saj, Aleksei Repik, është sanksionuar nga Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia për shkak të lidhjeve të ngushta me Vladimir Putinin dhe mbështetjes së tij publike për përpjekjet luftarake ruse.

Rasti në vetvete nuk provon një transport të paligjshëm të materialeve ushtarake. Por ai tregon se sa të paqarta janë kufijtë mes tregtisë së ligjshme, kompanive me lidhje politike me Kremlinin dhe rrjeteve që mund të përdoren për anashkalimin e sanksioneve.

Komponentë japonezë në rrënojat e Ukrainës

Pasojat e këtij zinxhiri nuk janë vetëm teorike. Ato shfaqen në rrënojat e raketave dhe dronëve rusë që gjenden pas sulmeve ndaj qyteteve ukrainase.

Në maj, një raketë ruse Kh-101 goditi një pallat banimi në Kiev, duke vrarë të paktën 24 persona.

Gjatë analizimit të mbetjeve, hetuesit ukrainas identifikuan komponentë japonezë në sistemin e drejtimit të raketës, megjithëse këto produkte përfshiheshin në kategoritë e mallrave eksporti i të cilave drejt Rusisë ishte i ndaluar.

Vetëm në prill të vitit 2025, qeveria ukrainase i dërgoi të paktën tetë letra zyrtare diplomatike Ministrisë së Jashtme japoneze. Në total, gjatë atij viti, vlerësohet se u dërguan rreth 16 njoftime të tilla.

Dokumentet përmbanin fotografi, numra komponentësh dhe lista të sistemeve elektronike të gjetura në raketa, dronë dhe pajisje ushtarake. Mes tyre kishte produkte të kompanive të mëdha japoneze, si NEC, Panasonic dhe Toshiba.

Nuk u gjetën prova se këto kompani i kishin shitur me vetëdije produktet e tyre Rusisë. Përkundrazi, ato deklaruan se zbatojnë sanksionet dhe kufizimet e vendosura nga shteti japonez. Disa komponentë, siç argumentoi NEC, ishin të vjetër dhe kompania kishte ndaluar prodhimin ose shitjen e tyre prej vitesh.

Megjithatë, kjo nxjerr në pah një tjetër vështirësi: shumë produkte elektronike mund të qëndrojnë për vite në tregun ndërkombëtar, të kalojnë në duart e shumë pronarëve dhe përfundimisht të përfundojnë në sisteme armësh pa dijeninë e prodhuesit për përdorimin final.

Mbështetje politike pa kundërzbulim efektiv

Japonia ka qenë që nga dita e parë e pushtimit politikisht në krah të Ukrainës. Ajo iu bashkua sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe, duke thyer një tabu të pasluftës, ofroi pajisje ushtarake, si jelekë antiplumb dhe helmeta.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë deklaron se ka informuar bizneset dhe organizatat e industrisë për përpjekjet për anashkalimin e sanksioneve dhe ka vendosur dhjetëra kompani të huaja në lista të zeza.

Megjithatë, hendeku mes vullnetit politik dhe kapacitetit operacional mbetet i madh. Qeveritë perëndimore e kanë informuar Tokion si për metodat e shërbimeve ruse, ashtu edhe për rrjete specifike kompanish që konsiderohen të dyshimta. Pavarësisht kësaj, Filçenkov vazhdon të jetë në Japoni dhe të veprojë nën mbulimin e Aeroflot.

Problemi nuk është vetëm mungesa e personelit apo e përvojës. Ai është kryesisht ligjor. Pa një ligj të plotë kundër spiunazhit, autoritetet japoneze detyrohen t’i ndjekin të dyshuarit për vepra dytësore, si shkelja e ligjeve të konkurrencës, vjedhja e sekreteve tregtare ose dokumentet e rreme të kompanive.

Në janar, policia e Tokios njoftoi se kishte zbuluar një oficer rus inteligjence i cili paraqitej si ukrainas dhe përpiqej të merrte sekrete tregtare nga një punonjës japonez. Për shkak të mungesës së një ligji të përshtatshëm për spiunazhin, çështja u drejtua kundër punonjësit për shkelje të rregullave të konkurrencës tregtare. Agjenti rus kishte ikur tashmë nga vendi.

Qeveria e kryeministres Sanae Takaichi ka njoftuar një program ambicioz për forcimin e shërbimeve të inteligjencës dhe kontrolleve mbi eksportet. Deputeti i Partisë Liberal Demokratike në pushtet, Akihisa Shiozaki, ka pranuar publikisht se ekziston një “ndjenjë krize”.

Pyetja kryesore është nëse reformat do të ecin mjaft shpejt për të kufizuar rrjetet që tashmë janë vendosur dhe funksionojnë prej vitesh.

Lufta teknologjike pas llogoreve

Çështja e Japonisë zbulon një nga realitetet më pak të dukshme të luftës në Ukrainë. Konflikti nuk vendoset vetëm në llogore, në rezervat e municioneve apo në numrin e ushtarëve. Ai vendoset gjithashtu në zinxhirët globalë të furnizimit, në dogana, në regjistrat e kompanive logjistike dhe në komponentët elektronikë që mund të futen në pëllëmbën e dorës.

Rusia ka treguar se mund të përballojë koston e sanksioneve, të kërkojë rrugë alternative dhe të shfrytëzojë çdo boshllëk institucional ose gjeografik. Kur mbyllet një kanal evropian, hapet një kanal aziatik. Kur një kompani futet në listën e zezë, vendin e saj e zë një ndërmjetës i ri. Dhe kur shitja direkte ndalohet, rruga bëhet më e gjatë, duke kaluar përmes dy ose tre vendeve.

Rasti i Tokios, pra, nuk është vetëm një histori periferike spiunazhi. Është një çështje që prek thelbin e strategjisë perëndimore ndaj Rusisë. Sanksionet mund të kufizojnë qasjen e Moskës në teknologji, por nuk mund ta eliminojnë atë për sa kohë ekzistojnë vende me industri të avancuar, mekanizma të dobët kundërzbulimi dhe kontrolle të pamjaftueshme mbi përdorimin përfundimtar të eksporteve.

Çdo mikroçip japonez që arrin përmes një vendi të tretë në një fabrikë ruse mund të shndërrohet në pjesë të një sistemi navigimi. Çdo transmetues apo sensor mund të përfundojë në një dron ose raketë kruz. Dhe çdo raketë e tillë mund të shfaqet disa muaj më vonë mbi Kievin, Odesën ose Harkivin.

Makineria luftarake ruse nuk mbahet gjallë vetëm nga fabrikat në Urale apo nga marrëdhëniet e Moskës me Pekinin dhe Teheranin. Ajo mbështetet edhe nga boshllëqet e vendeve që deklarohen kundërshtare të saj.

Në rastin e Japonisë, ky boshllëk ndodhet mes fuqisë së saj teknologjike dhe pamundësisë për të kontrolluar se ku përfundojnë saktësisht produktet e saj. /Përshtati në shqip PiranjatNews/

 

Artikuj te sugjeruar

BOTA 12 Korrik18:25

Përvëlohet Franca

Më shumë se një e treta e popullsisë franceze u vu sot nën nivelin më të lartë të alarmit për shkak të va...

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan