Thatësira “zhvesh” Danubin pas 80 vitesh/ Dalin eshtrat e dy ushtarëve gjermanë, dokumentet dhe motoçikleta ushtarake

Trupat e dy ushtarëve gjermanë të Luftës së Dytë Botërore janë zbuluar në brigjet e Danubit në Budapest, pasi niveli i lumit ka rënë ndjeshëm për shkak të thatësirës. Pranë eshtrave janë gjetur dokumente identifikimi, sende personale dhe një motoçikletë ushtarake, zbulime që mund të ndihmojnë në përcaktimin e identitetit të dy ushtarëve, më shumë se tetë dekada pas përfundimit të luftës.
Zbulimi u bë më 2 gusht, kur një kalimtar vuri re një pjesë të motoçikletës që dilte mes shkëmbinjve në brigjet e Danubit. Kërkimet e mëtejshme çuan në gjetjen e eshtrave të dy personave dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Mes sendeve të gjetura janë dy karta identiteti ushtarake, një unazë martese dhe një emblemë beteje e ushtrisë gjermane. Specialistët dyshojnë se motoçikleta është një DKW NZ 350-1, model i prodhuar për përdorim ushtarak.
Një nga dokumentet lidhet me një ushtar të Wehrmacht-it, ndërsa tjetra me një pjesëtar të Waffen-SS, krahut të armatosur të SS-së, i shpallur organizatë kriminale gjatë Gjyqeve të Nurembergut.
Dokumentet metalike të identifikimit të ushtarëve gjermanë ishin të ndërtuara në mënyrë që të ndaheshin në dy pjesë pas vdekjes së ushtarit. Njëra pjesë qëndronte me trupin, ndërsa tjetra përdorej nga strukturat ushtarake për regjistrimin e vdekjes dhe njoftimin e familjes.
Në këtë rast, dyshohet se familjet e ushtarëve nuk morën kurrë një njoftim zyrtar për fatin e tyre.
Komisioni Gjerman i Varreve të Luftës ka nisur punën për identifikimin e dy viktimave. Para se dokumentet dhe sendet të përdoren si prova përfundimtare, autoritetet duhet të konfirmojnë se ato u përkisnin vërtet dy trupave të gjetur.
“Tani fillon një enigmë”, tha Arne Schrader nga Komisioni Gjerman i Varreve të Luftës, duke iu referuar procesit të përcaktimit të identitetit të dy ushtarëve.
Emrat e dokumenteve ushtarake do të krahasohen me të dhënat arkivore, ndërsa ekzaminimi i eshtrave pritet të ndihmojë në konfirmimin përfundimtar të identiteteve.
Kërkimet në zonë sollën në dritë edhe mina antitank, duke detyruar autoritetet të rrethonin përkohësisht vendin dhe të thërrisnin një njësi të specializuar për çaktivizimin e eksplozivëve.
Pas përfundimit të procedurave të identifikimit, eshtrat pritet të varrosen në varrezat ushtarake gjermane në Budaörs, pranë Budapestit.
Budapesti ishte një nga zonat e luftimeve më të ashpra në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur forcat sovjetike u përballën me trupat gjermane. Rënia e nivelit të Danubit ka nxjerrë së fundmi në sipërfaqe edhe gjurmë të tjera të luftës, përfshirë pjesë anijesh të mbytura dhe pajisje ushtarake.
Lexo edhe
BOTA
Kolonët izraelitë rrethojnë familjet palestineze në një fshat të Bregut Perëndimor, reagon ashpër IDF: Veprim i paligjshëm

Ukraina pagoi mbi 1 miliard dollarë për armë që nuk mbërritën në kohë

Tërmeti në Kolumbi paralizon eksportet e kafesë në mbarë botën

VIDEO/ Momenti kur jahti luksoz 50 mln euro përplaset në kanal

NATO dënon shkeljet e hapësirës ajrore të Polonisë dhe Rumanisë nga dronë dhe avionë rusë





