“6000 euro për letra false greke“, si e mashtroi gjirokastriti Islam Buzheri 53-vjeçarin nga Librazhdi

Emigracioni, ky fenomen që nisi masivisht në Shqipëri në vitet 1990-1991, vijon edhe sot e kësaj dite të mbetet një plagë e hapur për popullin shqiptar. Që prej vitit 1990 e deri më sot kanë emigruar miliona shqiptarë, të vendosur më së shumti në Europë.
Një prej tyre është 53-vjeçari nga Librazhdi, Sokol Mema, i cili në vjeshtën e vitit 2022, duke planifikuar largimin me gomone drejt Anglisë, e gjeti veten në mes të 4 rrugëve të Austrisë, bashkë me gruan dhe 2 fëmijët. Ai nisi të punonte aty dhe krejt rastësisht dëgjoi një emër që nuk do e harronte kurrë.
“Islam Buzheri. Aty kishte nja 2 persona nga zona e vetë ky njeriu dhe bënte letra greke false që ata të punonin në Austri. Një moment i dëgjova duke folur 2-3 herë këta djemtë dhe i thashë, ‘Më përpara kam qenë në Greqi, por i kam pas djegur letrat, a ka mundësi ta pyes këtë njeriun meqë rri në Greqi dhe mund t’i dijë’? ‘Po’, thanë këta. Ky Buzheri, sa i pa dokumentet e mia, të nuses dhe të kalamanjve, më tha: ‘I ke shumë kollaj ti letrat, i ke djegur, por unë me këto punë merrem, kam mundësi që t’i bëj shumë shpejt’, tregon z.Mema.
Islam Buzheri i kërkoi 6000 euro për letra greke 5-vjeçare, duke i premtuar se do ia bënte gati në ditët e fundit të vitit 2022. Pagesa do të kryhej me këste, 2000 euro paraprakisht dhe 4000 euro kur të dorëzoheshin letrat.
53-vjeçari Sokol Mema u kthye në Shqipëri, mori kredi dhe dërgoi fillimisht 1800 euro në adresë të Buzherit. Ky i fundit e ftoi në Greqi që t’i dorëzonte dokumentet dhe të merrte pagesën e mbetur, por kur Sokoli shkeli në tokën greke, Buzheri nisi me mashtrimet, duke mos e takuar asnjëherë, ndërkohë pagesën prej 4000 eurosh e kërkonte në Athinë. Sokoli arriti t’i dërgonte vetëm 1000 euro, por sërish nuk u bë asgjë për dokumentet, pasi Islami kërkonte më shumë, në total 9000 euro. Megjithatë, z.Mema nuk bëri kallëzim në Polici, me shpresën se do të merreshin vesh, por kjo gjë nuk ndodhi, duke bërë që Sokoli të ngecë në Greqi, për shkak të tejkalimit të afatit të pasaportës shqiptare.
“U bënë nja 5 muaj i thashë: ‘Ti si mua ke mashtruar mijëra shqiptarë të tjerë, njerëz të tjerë. Do të të çoj te Piranjat’. ‘Po më çove atje do kemi probleme të tjera, do të të sjell njerëz për të të vrarë’, më tha. ‘Nuk më njeh mua’”, tregon 53-vjeçari.
Kërcënime të këtij lloji Sokoli nuk pati mundësi t’i dokumentonte, por shantazhi dhe presioni do të përsëritej, sepse pasi bënë debat, Islam Buzheri e merrte në telefon me një numër tjetër, por në telefon dilte emër tjetër, Jorgo Lici. Islami i tha Sokolit se ai ishte kushëriri i tij, me të cilin do të komunikonte ditët në vijim. Premtimet e “kushëririt” për shlyerjen e pagesave nisën në shkurt 2025 dhe vijuan për disa muaj, deri kur Sokoli kuptoi se gjithçka ishte e mirëmenduar për mashtrim dhe asnjë euro nuk do të kthehej mbrapsht. Aty u përball me fjalë kërcënuese./Piranjat
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi
View this post on Instagram
View this post on Instagram
View this post on Instagram
Lexo edhe
INVESTIGIME
SKANDAL/ Nga kërkesa për shkarkim te gradimi në qeveri

Tender me flamur të kuq në OSHEE, kompania indiane fiton kontratën 1.17 miliardë lekë

Ankand ‘tak-fap’ në Skrapar për park fotovoltaik/ Kompania e mermerit dhe graniti merr tokën për central me qira më të lartë se kapitali...

Video/ 900 mijë euro për kaldajë, por nxënësit ngrohen me rezistencë nga shtëpia! Si e mori kompania pa eksperiencë tenderin e shkollës...

Kompania u themelua ditën e ankandit dhe doli fituese: Hije dyshimi mbi parkun fotovoltaik në bashkinë e Shkrelit





