Video/ 900 mijë euro për kaldajë, por nxënësit ngrohen me rezistencë nga shtëpia! Si e mori kompania pa eksperiencë tenderin e shkollës

Në mes të dimrit, nxënësit e shkollës “Rilindja” vazhdojnë procesin mësimor duke u ngrohur me rezistenca elektrike të sjella nga shtëpia.
Në një video që ka mbërritur në redaksinë e Piranjave, shihet qartë rezistenca e vendosur në klasë. Një panoramë kjo sesi është keqmenaxhuar arsimi këto vite.
Prindërit janë tepër të shqetësuar për këtë situatë dhe kërkojnë një zgjidhje.
Ndërkaq duhet të theksohet që abuzimi me fondet publike është shumë i rëndë, duke ngritur pyetjen se ku shkuan paratë e alokuara për ngrohjen e shkollës pasi jo më larg se ën vitin 2025 janë përuruar punimet?
Një kontrast mes parave publike të shpallura dhe asaj që ekziston realisht brenda klasave.
Kjo nuk është thjesht një histori neglizhence; është historia e një tenderi, e një firme fituese pa kapacitete dhe e një zinxhiri shkeljesh që shtrojnë një pyetje të vetme: si përfundoi një shkollë pa ngrohje, pasi u dhanë 900 mijë euro për ta bërë funksionale?

Më datë 11.07.2024, Bashkia e Gramshit nën drejtimin e Besion Ajazi hapi një tender me vlerë rreth 900 milionë lekë për “Rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare ‘Rilindja’ në Bashkinë e Gramshit”.
Lloji i kontratës ishte punë publike, e cila parashikonte jo vetëm rikonstruksionin e godinës, por edhe ndërtimin e sistemit të ngrohjes në shkollë.
Por ky tender rezulton të jetë “kopsitur” nga Bashkia e Gramshit sipas mënyrës së saj. Kriteret e kualifikimit ishin të paargumentuara: për shembull, kërkesa për mjek nuk ishte justifikuar, ashtu si edhe kërkesat për makineritë e përcaktuara, konkretisht:
Kamion vetëshkarkues me kapacitet mbi 20 ton – 1 copë
Kamion vetëshkarkues me kapacitet 10–15 ton – 1 copë


Në këtë garë morën pjesë 5 subjekte ose bashkime operatorësh, por fitues u shpall Inerti SHPK.
Me një ofertë sa 92% e fondit limit, firma Inerti SHPK firmosi kontratën për 180 ditë pune, çka do të thotë se punimet do të zgjateshin deri në vitin 2025.
Ky tender rezultoi me “flamur të kuq” nga Open Procurement, me motivacionin: “Skualifikimi i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit / skualifikimi i ofertës me vlerë më të ulët.”


Në këtë mënyrë, së bashku me suvanë e kësaj shkolle, u rrënuan edhe parimet e konkurrencës së lirë dhe vetë logjika e prokurimeve publike.
Pse Inerti SHPK nuk e meritonte këtë tender që sot ka lënë nxënësit pa ngrohje?
Nga investigimi i gazetarëve të “Piranjat News” rezulton se kompania kishte deklaruar si dëshmi përvoje një punë të kryer në vitin 2017, por i mungonte certifikata e marrjes në dorëzim të objektit.
Një tjetër kriter që Inerti SHPK nuk e plotësonte ishte ai për numrin minimal të punonjësve të kualifikuar, nga elektricistët deri te specialistët e kaldajave, të cilët sipas specifikimeve të Bashkisë kërkoheshin jo më pak se dy.
Megjithatë, Besion Ajazi ia dha tenderin Inerti SHPK me vlerë rreth 900 mijë euro, ndërkohë që kompania rezultonte me një ose asnjë punonjës për zbatimin e këtyre punimeve.
Për Inerti SHPK ishin mbyllur më shumë se një sy edhe në kriterin e mjeteve dhe pajisjeve: Mungonte dokumentacioni përkatës për kamionët vetëshkarkues dhe, ndër të tjera, edhe për fadromën me kova para dhe kova mbrapa – 1 copë.
Po ashtu, certifikata 2.3.12 për saldimet dhe shkrirjen e materialeve metalike rezulton se ishte e vlefshme vetëm një muaj pas tenderit, çka përbën një tjetër shkelje serioze.
Ky tender është evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili nuk ka kursyer kritikat ndaj kryetarit të Bashkisë Gramsh. Në raport thuhet shprehimisht:
“Kanë skualifikuar ‘B.’ ShPK & ‘C.’ ShPK me devijime që mund të përkufizoheshin si devijime të vogla dhe kanë kualifikuar Operatorin Ekonomik ‘Inerti.’ SHPK me devijime thelbësore të DT (mungesë e eksperiencës). Ky mosveprim ka sjellë lidhjen e një kontrate me vlerë 87,923,313.2 lekë pa TVSH me një OE, i cili është shpallur fitues në papajtueshmëri me legjislacionin e prokurimit publik. Për veprimet dhe mosveprimet e mësipërme ngarkohen me përgjegjësi Komisioni i Vlerësimit të Ofertës i përbërë nga z. A. S. (Kryetar), z. X. B. (Anëtar) dhe z. E. H. (Anëtar).” Shkruan KLsh në një prej raporteve të audituar.
Inerti SHPK është kompani me administratorë dhe aksionarë Florjan Muho (50%) dhe Halil Muho (50%), baba e bir. Kompania, e cila ka përfituar edhe një sërë tenderash të tjerë në Gramsh, rezulton gjithashtu me seli në Gramsh.

Mesa duket, të jesh nga Gramshi është kriter më i fortë për të fituar tenderin, sesa të kesh përvojë të ngjashme, e cila sipas rregullave të prokurimit publik, nëse mungon, duhet të të skualifikojë automatikisht nga gara.
Pra në vitin 2026, kur Kryeminsitri Edi Rama flet për digjitalizim, Diellën satelit, standarde europiane dhe reforma, nxënësit në Gramsh në kushte ekstreme të motit marrin rezistencën nga shtëpia dhe ngrohen në klasë./PiranjatNews
Lexo edhe
INVESTIGIME
Kompania u themelua ditën e ankandit dhe doli fituese: Hije dyshimi mbi parkun fotovoltaik në bashkinë e Shkrelit

Jashtë hartës, brenda rrezikut/ Si kompania minerare “Rasek” në Shkodër rrezikon jetën e banorëve

Gjykata rikthen në skemën e rimbursimit “CFO Pharma”, pavarësisht hetimeve për mashtrim me fondet publike

E vërteta e aferës korruptive me hidrovorin e Porto Romanos e denoncuar nga Piranjat më 2023

Balluku “provokon” SPAK-un me 90 milionë euro tendera: Nga Tiranë–Durrës te Unaza e Elbasanit





