Qiratë jashtë kontrollit, kur paga mbaron para muajit

Tregu i qirave në Tiranë është polarizuar ekstremisht. Një apartament modest 1+1 në Yzberishti, Linza apo Fresku mund të kushtojë nga 300 deri në 500 euro, por shpesh me arredim minimal ose jo funksional. Në zonat elitare, si Blloku, një apartament 1+1 arrin deri në 1 mijë euro qira.
Disa apartamente luksoze mund të kapin edhe shifra deri në 6 mijë euro.
“Këto çmime nuk janë për shqiptarët,” shprehet agjenti imobiliar Ervin Demirxhiu për Piranjat.news.
“Në Bllok, një 1+1 arrin deri në 1 mijë euro. Edhe në Yzberisht, ku çmimi minimal është 300 euro, arredimi shpesh është i dobët. Në Komunën e Parisit nuk ka apartamente nën 500 euro, por atje investimet janë minimale, ndërsa në Tiranë".
Sipas INSTAT, grupi “Qira, ujë, energji” është një nga kontribuesit kryesorë në rritjen e kostos së jetesës në vend. Vetëm gjatë vitit të fundit, çmimet në këtë sektor janë rritur ndjeshëm, duke lënë qytetarët të detyruar të përdorin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore vetëm për të pasur një çati mbi kokë.
Ekspertët e pasurive të paluajtshme vërejnë se kërkesa për qira mbetet shumë e lartë, e nxitur edhe nga zhvendosja e banesave drejt qirave afatshkurtra për turistët. Kjo ka reduktuar ndjeshëm ofertën për banorët vendas dhe ka çuar në rritje të shpejtë të çmimeve.
Qytetarët, punojmë vetëm për qiranë
Ky realitet reflektohet qartë edhe në zërat e qytetarëve, të cilët e përjetojnë çdo ditë presionin e çmimeve të larta.
“Kam një pagë 70 mijë lekë dhe 450 euro i jap vetëm për qiranë. Në fund të muajit, mezi mbijetoj,” thotë Ana, 29 vjeçe, e punësuar në sektorin privat.
Ndërsa Erioni, student, shprehet se gjetja e një shtëpie është kthyer në një mision të pamundur: “Sapo dëgjojnë që je student, ta mbyllin telefonin. Askush nuk do të na japë shtëpi me qira.”
Kjo përjashtim nuk është rastësor. Sipas agjentëve imobiliarë, studentët nuk janë më të preferuar nga qiradhënësit, pasi kanë krijuar reputacion negativ, duke u konsideruar si keqtrajtues të pronës.
Për pasojë, ata mbeten jashtë tregut, ndërsa prioritet u jepet të punësuarve dhe çifteve.
Kur strehimi pushon së qeni e drejtë
Në një vend ku një pjesë e madhe e pagës shkon për qira, ëndrra për të blerë një shtëpi apo për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme zbehet çdo ditë e më shumë. Strehimi po largohet nga ideja e së drejtës bazë dhe po shndërrohet në privilegj.
Pa ndërhyrje reale dhe pa një strategji afatgjatë, qiratë do të vazhdojnë të rriten, ndërsa qytetarët do të vazhdojnë të numërojnë ditët deri në fund të muajit, jo për të kursyer, por për të mbijetuar.
Në realitetin e përditshëm, kjo përkthehet në heqje dorë nga shpenzime të tjera bazë, ushqimi, arsimi, shëndeti apo kursimet./ M.K-piranjat.news
Lexo edhe
SOCIALE
“Rrugët për Fëmijët”, premtimi i pa mbajtur i Bashkisë Tiranë kthehen në parkim makinash

Matura Shtetërore 2026/ Nis plotësimi i formularit A1

Jo vetëm apartamentet, edhe qiratë po bëhen të papërballueshme për vendasit e familjet e reja

Qytetet ku fitohet më shumë nga qiradhënia ditore, nuk është Tirana

Bujqësia në tkurrje për të pestin vit radhazi, shkak kryesor mungesa e mbështetjes





