Tender me flamur të kuq në OSHEE, kompania indiane fiton kontratën 1.17 miliardë lekë

NJë tender me vlerë 116,965,200 lekë të rinj pa TVSH është zhvilluar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për mirëmbajtjen e sistemit CRM dhe Billing, një nga sistemet më të rëndësishme që lidhet drejtpërdrejt me faturimin e energjisë dhe të dhënat e qytetarëve.
Procedura, me numër reference REF-68857-11-13-2025, është shënuar në Open Procurement Albania me flamur të kuq për mungesë konkurrence, pasi në garë ka marrë pjesë vetëm një ofertues.
Fitues rezulton një Bashkim Operatorësh, ku pjesë kryesore rezulton kompania indiane Fluentgrid Limited, e cila ka ofruar 114,625,896 lekë pa TVSH, vetëm rreth 2.3 milionë lekë më pak se fondi limit.

Diferenca minimale mes ofertës dhe fondit maksimal, e kombinuar me faktin se nuk ka pasur asnjë konkurrent tjetër, ngre dyshime serioze mbi natyrën reale të garës.
Formalisht, kompania indiane ka fituar sepse ka plotësuar kriteret teknike të përcaktuara nga OSHEE dhe ka qenë e vetmja që ka paraqitur ofertë. Por pikërisht ky fakt shton dyshimet se kriteret mund të jenë hartuar në mënyrë të tillë që favorizojnë një subjekt të vetëm, veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për mirëmbajtjen e një sistemi ekzistues, ku zakonisht avantazh ka kompania që njeh më mirë teknologjinë e përdorur.
Tenderi merr rëndësi edhe më të madhe për shkak se sistemi CRM dhe Billing përmban të dhëna sensitive për qindra mijëra abonentë, duke krijuar varësi të OSHEE-së nga një kompani e huaj në një sektor kritik, pa pasur garë reale dhe pa transparencë të plotë mbi arsyet pse nuk u tërhoqën operatorë të tjerë.
Sipas Open Procurement Albania, procedura është shënuar si mungesë konkurrence, pasi është paraqitur vetëm një ofertë, nuk ka pasur rivalë, nuk ka pasur presion tregu për ulje çmimi.
Kush janë aksionerët e kompanisë:
Sipas të dhënave të regjistrave të biznesit në Indi dhe burimeve publike, Fluentgrid Limited rezulton të jetë një kompani private e cila nuk është e listuar në bursë.
Aksionerët kryesorë të saj janë të lidhur drejtpërdrejt me themeluesit dhe drejtuesit ekzekutivë të kompanisë, ku figura kyçe mbetet Vijaya Bhaskar Chaluvadi, i cili shfaqet njëkohësisht si administrator dhe aksioner kryesor.

Po ashtu një tjetër administrator është Jovan Bojdani, ku kompania e tij BNT Electronics, është një nga lojtarët më aktivë në prokurimet publike (tenderat) në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e teknologjisë dhe pajisjeve mjekësore. Kompania ka fituar dhjetëra kontrata publike, mbi 45 kontrata të regjistruara vetëm në vitet e fundit në nivel vendor dhe qendror.

Shuma totale e përfituar nga kontratat publike llogaritet në qindra milionë lekë. Vetëm nga Bashkia Tiranë, kompania ka fituar kontrata me vlerë mbi 237 milionë lekë./Piranjat.news
Lexo edhe
INVESTIGIME
Ankand ‘tak-fap’ në Skrapar për park fotovoltaik/ Kompania e mermerit dhe graniti merr tokën për central me qira më të lartë se kapitali...

Video/ 900 mijë euro për kaldajë, por nxënësit ngrohen me rezistencë nga shtëpia! Si e mori kompania pa eksperiencë tenderin e shkollës...

Kompania u themelua ditën e ankandit dhe doli fituese: Hije dyshimi mbi parkun fotovoltaik në bashkinë e Shkrelit

Jashtë hartës, brenda rrezikut/ Si kompania minerare “Rasek” në Shkodër rrezikon jetën e banorëve

Gjykata rikthen në skemën e rimbursimit “CFO Pharma”, pavarësisht hetimeve për mashtrim me fondet publike





