BE i jep dritën jeshile urës së Ibrit/ Osmani: Hap historik drejt bashkimit të Mitrovicës

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se janë përmbushur kushtet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një zhvillim që vjen pas nisjes së tranzicionit gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në këtë pikë të rëndësishme.
BE-ja ka bërë të ditur se qëndrimi i saj për urën ka qenë i qartë: ajo duhet të hapet pasi të përfundojnë punimet, vlerësimet e sigurisë dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë.
Ura mbi lumin Ibër ka qenë prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme në Kosovë, pasi lidh pjesën jugore të Mitrovicës me atë veriore. Për shkak të tensioneve dhe situatës së brishtë të sigurisë, KFOR-i ka mbajtur për një kohë të gjatë prani të përhershme në këtë zonë.
Në fillim të kësaj jave, misioni i NATO-s në Kosovë njoftoi se kishte nisur tranzicionin gradual të pranisë së trupave në urën kryesore. Sipas KFOR-it, procesi po zhvillohet në koordinim me institucionet e Kosovës, EULEX-in dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Pas këtij zhvillimi, BE-ja konfirmoi se kushtet për hapjen e urës janë përmbushur. Brukseli bëri të ditur gjithashtu se EULEX-i është informuar nga KFOR-i për tranzicionin dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe misionin e NATO-s për garantimin e sigurisë për të gjitha komunitetet.
KFOR-i ka theksuar se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe në koordinim të ngushtë me institucionet përkatëse, ndërsa forcat e tij mbeten të gatshme të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të mundshëm.
Lajmi është mirëpritur edhe nga ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka cilësuar hapjen e urës dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës si një zhvillim historik.
Osmani ka thënë se qarkullimi i lirë mbi urën kryesore të Ibrit nuk nënkupton vetëm lidhjen fizike të dy pjesëve të Mitrovicës, por edhe një hap drejt integrimit të plotë të territorit të Kosovës.
Sipas saj, ndarja e Mitrovicës ndër vite ka krijuar pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, ndërsa hapja e urës do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe në forcimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë.
Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohje për institucionet që janë angazhuar ndër vite në këtë proces, duke veçuar Policinë e Kosovës.
Lexo edhe
KOSOVA
Ngërçi politik në Kosovë/ Pas PDK-së dhe AAK-së, edhe LDK-ja refuzon ftesën e Albulena Haxhiut për zgjedhjen e Presidentit

"Kurti po mban peng shtetin"/ PDK-ja bllokon hyrjen e Kryeministrisë, kërkon vazhdimin e seancës konstituive

A është veriu i Kosovës gati për reduktimin e KFOR-it?

Në pranga pas 3 vitesh, arrestohet i dyshuari për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

5 të plagosurit kosovarë nga zjarri në hotelin e Vlorës/ Kurti: Jemi të tronditur





