Tërheqje politike apo taktikë për të qëndruar në pushtet? Kjo është pyetja që pason deklaratën e Aleksandar Vuçiçit, presidentit të Serbisë, para mijëra mbështetësve të tij të mbledhur të shtunën në një tubim në qendër të Beogradit.
Vuçiç u tha atyre se do të jetë president i shtetit "vetëm edhe për disa javë".
Nëse kjo ndodh, ai do të tërhiqej më pak se një vit para përfundimit të mandatit të tij presidencial në maj të vitit 2027. Vuçiç është zgjedhur dy herë president i Serbisë dhe, meqë Kushtetuta serbe nuk lejon mandat të tretë, ai nuk do të mund të kandidonte përsëri për këtë post.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ai paralajmëron tërheqje. Në publik, ai ka ofruar dorëheqje në situata krizash më të vogla dhe më të mëdha politike.
Tani, për një vit e gjysmë, ai është përballur me njërën nga krizat më serioze, në valën e protestave që kërkojnë ndaljen e korrupsionit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Deri më tani, ai i ka refuzuar thirrjet për zgjedhje. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Dushan Spasojeviq, vlerëson se në deklaratën e tij të fundit mund të lexohet synimi për kalimin në postin e kryeministrit të Serbisë.
“Ardhja e tij eventuale në pozitën e kryeministrit vetëm do ta vendoste, në kuptimin kushtetues, aty ku ai tashmë është si figura kryesore politike që merr të gjitha vendimet në vend”, tha Spasojeviç për Radion Evropa e Lirë.
Spasojeviq konsideron se ka disa “kalkulime politike” që mund ta kenë shtyrë Vuçiqin të paralajmërojë dorëheqjen.
“Njëra është se ai nuk mund të kandidojë më për president dhe duhet të kandidojë për një pozitë tjetër. Në këtë rast, mbajtja eventuale e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtën kohë do t’i mundësonte atij të merrte pjesë plotësisht në fushatë”, thotë Spasojeviç.
Në tubimin në Beograd, Vuçiç u tha anëtarëve të partisë së tij se do t’i ndihmojë të fitojnë besimin e qytetarëve në zgjedhjet parlamentare.
Megjithatë, ai nuk tha se kur do të shpallen këto zgjedhje, as në çfarë mënyre planifikon të përfshihet në garën zgjedhore.
“Një llogari tjetër mund të jetë se Vuçiç konsideron se kandidati i SNS-së [Partia Progresive Serbe] do ta ketë të vështirë të fitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe se po krijon paraprakisht një lloj tërheqjeje strategjike, për të kaluar në një funksion më të fuqishëm kushtetues”, vlerëson profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Spasojeviç.
Në deklaratat e tij gjatë muajve të fundit, Vuçiç nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit në postin e kryeministrit. Pyetjeve të REL-it për këtë çështje nuk iu përgjigjën as partia e tij, SNS, e as Presidenca serbe.
Çfarë mesazhi u dërgon protestuesve antiqeveritarë?
Që nga nëntori i vitit 2024, Vuçiç po përballet me protesta masive antiqeveritare. Lëvizja studentore, e cila i udhëheq këto protesta, e akuzon pushtetin në Serbi për korrupsion dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Me këtë, ai u dërgon mesazhin se vazhdon të jetë aktori që e përcakton dinamikën e proceseve se, për shembull, mund të propozojë shpalljen relativisht të shpejtë të zgjedhjeve parlamentare, pastaj mund t’i përshpejtojë zgjedhjet presidenciale, ose t’i bashkojë apo t’i ndajë ato”, thotë Spasojeviç.
Protestuesit në Serbi kanë kërkuar nga Vuçiçi t’i respektojë kompetencat e tij kushtetuese si president i shtetit.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, pushteti ndahet në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ndërsa funksioni i presidentit është kryesisht protokollar.
Ndër të tjera, presidenti e përfaqëson Serbinë brenda dhe jashtë vendit, komandon ushtrinë, shpall ligjet, i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, si dhe jep falje dhe dekorata.
Protestuesit antiqeveritarë e kanë akuzuar disa herë Vuçiqin për tejkalim të këtyre kompetencave, ndërsa për këtë kanë tërhequr vërejtjen edhe organizata të shumta joqeveritare në Serbi.
“Nisje e planit Putin-Medvedev”
Ky lider autoritar dhe SNS-ja janë boshti i pushtetit që nga viti 2012. Gjatë kësaj periudhe, Vuçiç ka qenë zëvendëskryeministër, më pas kryeministër, ndërsa nga viti 2017 është president i Serbisë.
“Pushteti i tij që nga viti 2012 ka ndryshuar në atë mënyrë që, me kalimin e kohës, ai është bërë gjithnjë e më pak i varur nga aktorët e tjerë dhe politikisht gjithnjë e më i fuqishëm”, thotë profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Dushan Spasojeviç.
Ai beson se, në këtë kuptim, dorëheqja e Vuçiçit nuk do të ndryshonte asgjë thelbësore.
“Më duket se kjo është nisje e planit Putin-Medvedev, ose e veprimeve që ish-lideri malazez Millo Gjukanoviç i ka bërë disa herë”, shtoi Spasojeviq.
Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin, është në pushtet që nga viti 1999. Për t’i shmangur kufizimet kushtetuese për qëndrimin në pushtet, ai ka alternuar mes funksioneve të presidentit dhe kryeministrit.
Sipas një modeli të ngjashëm ka qeverisur edhe Gjukanoviç. Ai për tri dekada ishte lider i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila atëherë ishte në pushtet, disa herë kryeministër dhe në dy raste president i Malit të Zi.
Spasojeviç thotë se kjo nuk është praktikë e zakonshme në demokracitë e zhvilluara evropiane.
“Mendoj se kjo është megjithatë pjesë e një tradite serbo-malazeze-ruse, e cila thotë se fuqia shkon me liderin, e jo me funksionin”, shton ai.
Vuçiç sërish kryeministër - a janë të domosdoshme zgjedhjet?
Nëse jep dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, shpallja e zgjedhjeve parlamentare nuk është e domosdoshme që Vuçiq të bëhet kryeministër i ri. SNS-ja e Vuçiçit aktualisht ka shumicën në Kuvendin e Serbisë - 136 nga gjithsej 250 deputetë.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, kryeministri zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të presidentit të shtetit. Kushtetuta e Serbisë nuk kërkon që kryeministri të zgjidhet vetëm pas zgjedhjeve.
Në rast të dorëheqjes së kryeministrit aktual, Gjuro Macut, ose të votimit të mosbesimit ndaj kabinetit të tij, përbërja aktuale parlamentare mund të votojë për një kryeministër të ri dhe për një qeveri të re.
Kjo do të thotë se, nëse jep dorëheqje siç ka paralajmëruar, Vuçiç mund të vijë në krye të Qeverisë së Serbisë. Në pyetjen nëse një skenar i tillë po shqyrtohet, partia në pushtet, SNS, nuk u përgjigj.
Çfarë ndodh pas dorëheqjes së presidentit?
Nëse Vuçiç jep dorëheqje siç ka paralajmëruar, sipas ligjit, kryetarja e Kuvendit automatikisht bëhet ushtruese e detyrës së presidentit dhe këtë funksion mund ta ushtrojë më së shumti tre muaj.
Në këtë rast, kjo do të ishte Ana Bërnabiç, e cila në tri mandate ka qenë edhe kryeministre e Serbisë.
Ajo është e detyruar t’i shpallë zgjedhjet presidenciale në mënyrë që ato të mbahen jo më vonë se tre muaj nga dorëheqja.
“Kjo do të thoshte, hipotetikisht, se nëse Vuçiç do të jepte dorëheqje deri në fund të korrikut, zgjedhjet presidenciale do t’i kishim diku në tetor”, thotë Dushan Spasojeviç.
REL nuk mori përgjigje as nga kabineti i Vuçiçit, as nga subjekti i tij SNS, në pyetjet nëse dhe kur mund të priten zgjedhje të parakohshme presidenciale./REL
Artikuj te sugjeruar
KOSOVA
29 Qershor12:24
Aksident i rëndë në Gjermani, humb jetën e reja shqiptare
Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në Gjermani i ka marrë jetën një të reje shqiptare nga fshati Damanek i Malishev...
KOSOVA
28 Qershor16:19
Brohoritën 'Kosova është Serbi' gjatë ceremonisë së Vidovdanit pranë Prishtinës, disa persona shoqërohen në polici
Disa njerëz u shoqëruan në polici pas shënimit të festës së Vidovdanit në Gazimestan të dielën, rreth dhjet&...
KOSOVA
28 Qershor12:57
Më shumë se një verdikt për katër ish-krerët e UÇK-së
Për vite me radhë, lufta e Kosovës është rrëfyer përmes historisë, politikës dhe kujtesës kolektive. Së...
KOSOVA
27 Qershor13:39
Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Kosovë/ Ja sa deputetë fituan partitë politike në Kuvend
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Re...
KOSOVA
26 Qershor14:39
Ministri i Bujqësisë i Kosovës: Po rishikojmë barrierat administrative për tregtinë me Shqipërinë
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mirëpriti në Tiranë homologun e tij nga Kosova, Ministrin e Bujqësis&eum...
KOSOVA
24 Qershor18:09
Haradinaj ‘hap kartat’ ndaj Kurtit: Kandidoj për President nëse bashkohet opozita
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rikonfirmuar gatishmërinë për ta shqyrtuar kandid...
KOSOVA
23 Qershor22:32
Deputetja britanike në KiE: Serbia ka mbështetur personat që kryen sulmin në Banjskë
Deputetja britanike dhe anëtarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alicia Kearns, ka mbajtur një fjalim t&eum...
KOSOVA
23 Qershor19:50
Pas disa ditë kërkime, gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar në Zvicër
Pas disa ditësh kërkimesh intensive në lumin Reuss, është gjetur trupi i pajetë i 5-vjeçarit Tian Rahimi, që ishte zhd...
KOSOVA
23 Qershor18:38
KiE miraton raportin për Serbinë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, kusht kyç për BE
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar sot raportin “Funksionimi i institucioneve demokratike në Serbi”, ku t...
KOSOVA
22 Qershor14:33
Aksident i rëndë në Gjermani, humbin jetën dy motrat shqiptare
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku dy vajza shqiptare nga Kosova kanë humbur jetën si pasojë e një aksiden...