Ministri i Jashtëm serb i përgjigjet Ferit Hoxhës për devijimin e Ibrit: Serbia vendos vetë për burimet e saj

Përplasja diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë për lumin Ibër është përshkallëzuar pas reagimit të ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ndaj qëndrimit të Tiranës për deklaratat e presidentit Aleksandar Vuçiq mbi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit.
Gjuriq ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetin X, ku ka kundërshtuar deklaratat e ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Sipas tij, Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të ndërhyrë në mënyrën se si Serbia administron burimet ujore brenda territorit të saj.
Kryediplomati serb e ka lidhur reagimin e Tiranës edhe me çështjen e Kosovës. Sipas tij, Shqipëria po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga ajo që ai i cilëson si shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë.
“Lumi Ibër nuk kalon nëpër Shqipëri dhe Shqipëria nuk është shtet breglumor në pellgun e tij”, shkruan Gjuriq, duke shtuar se Serbia do të vendosë vetë për mënyrën se si do t’i menaxhojë burimet e saj natyrore.
Në reagimin e tij, ministri serb ka përdorur edhe termin “Shqipëri e Madhe”, duke e lidhur debatin me shqetësimet e Beogradit për projektet politike që, sipas tij, synojnë zgjerimin etnik dhe ndryshimin e kufijve në rajon.
Gjuriq ka kërkuar nga Tirana uljen e retorikës dhe rikthimin te marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Ai ka kundërshtuar gjithashtu atë që e përshkruan si interesim të Shqipërisë për politikën e jashtme të Serbisë dhe takimet e saj diplomatike.
Për ministrin serb, çështja e Ibrit lidhet me sovranitetin e Serbisë dhe të drejtën e saj për të administruar burimet natyrore brenda territorit të vendit.
“Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si do t’i menaxhojë burimet e saj natyrore”, shkruan Gjuriq, duke shtuar se as Shqipëria dhe as një shtet tjetër nuk do t’i marrë këto vendime.
Përplasja vjen pas deklaratave të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, që sollën reagim nga pala shqiptare. Çështja ka marrë kështu edhe një dimension diplomatik, ndërsa lumi Ibër mbetet një nga çështjet e ndjeshme që lidhen me Kosovën dhe marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Gjuriq e mbyll reagimin duke kërkuar respekt të ndërsjellë, barazi sovrane dhe bashkëpunim mes vendeve të rajonit, ndërsa qëndrimi i Beogradit mbetet se vendimmarrja për burimet ujore brenda territorit të Serbisë i takon vetëm autoriteteve serbe.
Lexo edhe
KOSOVA
“Nuk e njohim Kosovën”, mediat ukrainase “gozhdojnë” Zelenskin: Shteti sovran duhet të respektohet

Deputeti ukrainas: Shantazhi i Putinit për Kosovën nuk funksionon më, Zelensky po gabon

Ngërçi politik në Kosovë, Albin Kurti: Do të përpiqemi çdo ditë për marrëveshje, qytetarët duan zgjidhje e jo zgjedhje

KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër

Gjuajtja me vezë ndaj Kurtit/ Haxhiu zbulon informacionet: Kishte plane për veprime të tjera





