KOSOVA

Pse BIA interesohet për 'qarqet islamiste' në Kosovë?

Piranjat Përditësimi i fundit 22 Gusht 2026, 14:05

Pse BIA interesohet për 'qarqet islamiste' në Kosovë?

Dy raste të spiunazhit në Kosovë tregojnë interesimin e Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA) për persona të lidhur me qarqe radikale islamiste – nga mbledhja e informacioneve deri te, sipas Prokurorisë së Kosovës, identifikimi i personave që mund të shërbenin si objektiva për kontaktim dhe rekrutim.

Ndërsa ekspertët thonë se aktivitete të tilla mund të kenë qëllime të sigurisë dhe kundërterrorizmit, ata paralajmërojnë se mund të jenë gjithashtu pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit për krijimin e rrjeteve të inteligjencës dhe zgjerimin e ndikimit politik në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës e arrestuan më 13 gusht Fehim Salin, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit, vepër e dënueshme me së paku pesë vjet burgim.

Në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e paraburgimit, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL), thuhet se Sali i kishte ofruar një zyrtari të BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë dhe kishte identifikuar pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Sipas të njëjtit dokument, ai kishte dhënë gjithashtu informacione për persona që “i përkasin sektit vehabist”, si dhe për persona të tjerë “të cilët më vonë ia kishte propozuar zyrtarit të BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim”.

Prokuroria tha se në mesin e provave ka transkripte bisedash “nga të cilat rezulton se i dyshuari ka krijuar dhe mbajtur kontakte me zyrtarin e BIA-s dhe ka ofruar informacione relevante dhe forma të ndryshme ndihme gjatë rekrutimit të personave të tjerë”.

Sali, i cili është edhe shtetas i Serbisë, kishte udhëtuar në Serbi. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, atij iu gjetën katër telefona dhe 40.000 euro.

“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh, të cilën gjykata e miratoi.REL-i iu drejtua BIA-s së Serbisë lidhur me këto akuza, por nuk mori përgjigje.

Në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Hysri Selimin me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të BIA-s, për të cilën, sipas aktakuzës, kishte punuar për më shumë se 15 vjet.

Selimi kishte udhëtuar në Siri në fund të vitit 2015 dhe ishte bashkuar në organizatën terroriste, Shteti Islamik. Pas kthimit në Kosovë, ai kishte vuajtur dënim me burgim për pjesëmarrje në organizata terroriste.Prokuroria pretendoi se ai i kishte dhënë BIA-s informacione për numrin e shqiptarëve që iu bashkuan Shtetit Islamik, mënyrën e organizimit dhe veprimtarinë e tyre në Siri, si dhe informacione të tjera pas kthimit të tij në Kosovë.

Sipas aktakuzës, për këto të dhëna ai merrte nga BIA deri në 700 euro në muaj. Selimi i mohoi akuzat dhe u deklarua i pafajshëm.

Predrag Petroviq nga organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP) vlerëson se mbledhja e të dhënave për grupe të radikalizuara mund të shpjegohet me interesat e sigurisë së Serbisë.

Megjithatë, eksperti për siguri dhe politikë të jashtme me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, thotë se çështja duhet parë edhe në kontekstin më të gjerë të veprimtarisë së shërbimeve serbe në Kosovë.

Shtuni, bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit, thotë për REL-in se të dhënat e inteligjencës për rrjetet ekstremiste islamiste dhe tendencat e radikalizimit kanë vlerë të qartë për luftën kundër terrorizmit dhe monitorimin e kërcënimeve.Por, sipas tij, rastet e Salit dhe Selimit – të parë së bashku me prioritetet më të gjera të Serbisë në Kosovë – “tregojnë për objektiva që shkojnë përtej kësaj”.

“BIA serbe dhe shërbimet e lidhura me të e shohin Kosovën si një çështje kyç të sigurisë kombëtare dhe jo si një objektiv të zakonshëm të inteligjencës së jashtme”, thotë Shtuni.

Në këtë kontekst, ai shton se operacionet e lidhura me Salin dhe Selimin duhet parë edhe si pjesë e prioriteteve më të gjera që synojnë “ruajtjen e politikës së mosnjohjes së Kosovës, ndërtimin dhe zgjerimin e levave të ndikimit në Kosovë dhe kufizimin e konsolidimit të Kosovës si shtet sovran”.

Petroviq, ndërkaq, vlerëson se Serbia e “mbivlerëson” rrezikun nga terrorizmi i dhunshëm dhe ekstremizmi që mund të burojnë nga komunitetet selefiste, me qëllim që vendeve perëndimore t’ua paraqesë rajonin si një hapësirë me potencial destabilizues, por edhe si një kërcënim të mundshëm për vetë Evropën.

“Në njëfarë mënyre, duket sikur luajnë me kartën e frikës që ende ekziston lidhur me këtë çështje”, thotë Petroviq për REL-in.

A po përpiqet BIA t’i forcojë rrjetet selefiste në Kosovë?

Një burim brenda Prokurorisë së Kosovës i tha REL-it se shërbimi serb i inteligjencës “punon aktivisht për krijimin e një imazhi më negativ për Kosovën” dhe se një nga mënyrat për ta bërë këtë është “forcimi i rrjeteve selefiste/vehabiste dhe nxitja e formimit të grupeve më të mëdha”.

“Qëllimi është të fuqizohet një narrativ i caktuar dhe t’i paraqitet bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se në Kosovë ekzistojnë rrjete vehabiste dhe se, për këtë arsye, vendi nuk është në gjendje të funksionojë vetë si shtet demokratik”, tha burimi.

REL-i nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimin se BIA po përpiqet t’i forcojë rrjete të tilla në Kosovë.

Adrian Shtuni thotë se duhet bërë një dallim i qartë mes mbledhjes së të dhënave të inteligjencës dhe monitorimit të zhvillimeve brenda komuniteteve të radikalizuara, në njërën anë, dhe identifikimit e propozimit të rekrutëve të mundshëm me qëllim zgjerimin e një rrjeti agjentësh, në anën tjetër.

“Kjo është tabloja më e gjerë, e cila përputhet me mënyrën se si shtetet me mosmarrëveshje të pazgjidhura territoriale zakonisht e orientojnë punën e shërbimeve të tyre të inteligjencës”, thotë ai.

Shtuni vë në pah se nga viti 2024 deri më 2026, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar persona me profile të ndryshme nën dyshimin se kanë bashkëpunuar me shërbimin serb të inteligjencës.

Sipas pretendimeve të organeve hetuese të Kosovës në këto raste, të dyshuarit ishin angazhuar, mes tjerash, për mbledhjen e të dhënave operative të policisë, identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndikimin në narrativët për ngjarjet e periudhës së luftës, mbledhjen e informacioneve politike dhe të situatës në terren, si dhe komprometimin e institucioneve.

Në mesin e personave që përballen me akuza për spiunazh para organeve të drejtësisë në Kosovë janë edhe Bojan Jevtiq, toger i Policisë Kufitare të Kosovës, dhe Jellena Gjukanoviq, e cila kishte punuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Pse rrjetet selefiste janë me interes për BIA-n?

Predrag Petroviq nga BCBP-ja thotë se Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë dy nga vatrat kryesore në Ballkanin Perëndimor ku është shfaqur ekstremizmi islamist dhe se interesimi i shërbimit serb të inteligjencës për këtë fenomen nuk është i ri.

“Qëllimi është që, përmes personave që keni rekrutuar, të fitoni njohuri për aktivitetet e tyre, në mënyrë që të mund t’i parandaloni rreziqet dhe kërcënimet ndaj sigurisë së Serbisë, sepse komuniteti vehabist është identifikuar si një mjedis nga i cili potencialisht mund të dalin ekstremistë të dhunshëm, madje edhe terroristë”, thotë Petroviq.

Një interes tjetër i shërbimit serb të inteligjencës për mbledhjen e informacioneve rreth rrjeteve islamiste, sipas Petroviqit, është mundësia që këto të dhëna t’i ndajë me shërbimet perëndimore të sigurisë, për të cilat kjo çështje është lart në listën e prioriteteve.

“Komunitetet selefiste apo vehabiste janë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të këtyre shërbimeve të sigurisë. Në këtë mënyrë, shërbimi serb pozicionohet si një partner relevant për shkëmbimin e informacioneve dhe si një aktor që mund të ketë të dhëna të rëndësishme nga terreni”, thotë Petroviq.

Shtuni, në anën tjetër, vlerëson se rekrutimi brenda rrjeteve radikale islamiste mund të tregojë edhe për përpjekje për “instrumentalizimin e tyre në funksion të objektivave të Serbisë apo të shërbimit të inteligjencës, çka shkon përtej monitorimit pasiv të zhvillimeve të sigurisë”.

“Mbajtja e rrjeteve të agjentëve brenda qarqeve të ndjeshme shoqërore dhe fetare krijon mundësi për ndikim në të ardhmen, destabilizim apo shfrytëzim të krizave. Siç u shpjegua më herët, kjo përputhet me modelet më afatgjata të veprimit të shërbimeve serbe të inteligjencës në Kosovë, që synojnë kufizimin e konsolidimit të plotë të autoritetit të Prishtinës dhe krijimin apo shfrytëzimin e paqëndrueshmërisë kur kjo u shërben interesave më të gjera”, thotë ai.

Shtuni thekson se një depërtim eventual i BIA-s serbe në rrjete radikale islamiste në Kosovë mund të kishte pasoja për sigurinë e brendshme të Kosovës, marrëdhëniet ndëretnike dhe marrëdhëniet tashmë të brishta mes Kosovës dhe Serbisë./ REL

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

SOCIALE 6 Gusht17:27

Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujor...