Serbia arreston një person në kufi me Kosovën nën dyshime për krime lufte

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar të Mutivodës – që lidh Kosovën me Serbinë – nën dyshime për krime lufte. Ndaj O.S., i lindur më 1953, është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë në Beograd, thanë autoritetet serbe.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, u tha në njoftimin e MPB-së serbe.
Në njoftimin e MPB-së serbe nuk u tha saktë nëse i dyshuari ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Familjarët e Osman Selmanit, konfirmuan se ai u arrestua në Mutivodë më 1 korrik teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Familja tha se i vlerësojnë akuzat e autoriteteve serbe si “të pabazuara dhe të pavërteta”.
“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah”, u tha në reagimin e familjarëve të të arrestuarit të publikuar në Facebook.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve dhe Diasporës të Kosovës për të kuptuar nëse ka informacione për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjes.
Viteve të fundit, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.
Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave. /REL
Lexo edhe
KOSOVA
Thellohet bashkëpunimi mes doganave të Shqipërisë dhe RMV, nis zbatimi i protokollit të ri të kontrollove të përbashkëta kufitare

Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë

Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krimet kundër shqiptarëve në Istog

Gjykata Speciale shtyu vendimin për ish-krerët e UÇK-së, në Kosovë paralajmërohet protestë

Të shtëna me armë zjarri në Podujevë, tre të plagosur





