Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Rezerva ushqimore dhe uji për të paktën 72 orë! Kanadaja u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për emergje... Kremlini zbulon temat e bisedimeve me Kievin në Abu Dhabi, Peskov: Garancitë e sigurisë për Rusinë dhe Ukra... EMRAT/ Dhunuan punonjësin dhe grabitën xhiron e karburantit në Klos, arrestohen dy të rinjtë Bordi i Transparencës ndryshon çmimet e naftës dhe benzinës, ja sa do të shiten nga sot Virozat mbushin Pediatrinë e Elbasanit, mbi 100 fëmijë paraqiten në 24 orë Vrasja e të riut nga Barleta zbardh skemën, Kepi: Miliona euro të trafikut të drogës pastrohen ne Shqipëri... Berisha njofton sërish protestë të shtunën: Në 12:00 te Kryeministria! Media franceze: Rinia ka vënë nën presion pushtetin e Ramës! Sulm kibernetik në Francë, hakerët ndërhyjnë në sistemin e ftohjes së rezervave të gjakut, temperatura arri... Deputeti iranian kërcënon Evropën: Raketat tona mund të godasin “zemrën” e saj nëse SHBA përdor bazat atje... Tinder si karrem për grabitje, zbulohet skema e pazakontë e grupit kriminal në Turqi Çfarë do të thotë humbja e Trump për Europën dhe tregjet globale
KOSOVA

Vdes Stefan Cvetkoviç, gazetari që hetoi vrasjen e Ivanoviçit dhe denoncoi kërcënimet e Vuçiç

P
Piranjat13 July 2026, 11:00 · 7 min lexim
Vdes Stefan Cvetkoviç, gazetari që hetoi vrasjen e Ivanoviçit

Gazetari serb Stefan Cvetkoviç, i njohur për raportimet dhe hetimet e tij mbi vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, ka ndërruar jetë të dielën në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku po trajtohej për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Lajmi u konfirmua nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale e Serbisë, e cila bëri të ditur se Cvetkoviq ishte duke vuajtur një dënim me burg dhe ishte transferuar në VMA më 24 qershor, pasi më parë kishte marrë trajtim në Spitalin Special të Burgut në Beograd.

“Personi i dënuar Stefan Cvetkoviç ndërroi jetë këtë mëngjes në Akademinë Mjekësore Ushtarake. Të dhënat mbi trajtimin e tij dhe kartelën mjekësore nuk mund të bëhen publike, pasi mbrohen nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ligjet që rregullojnë të drejtat e pacientëve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për portalin Nova.

Autoritetet serbe njoftuan se, në përputhje me procedurat ligjore, për rastin janë informuar policia, prokuroria dhe familja e të ndjerit.

Cvetkoviq u bë i njohur në opinionin publik në vitin 2018, kur u raportua zhdukja e tij në Bela Crkva. Automjeti i tij ishte gjetur me dyert e hapura dhe dritat e ndezura, ndërsa ai u lokalizua rreth 30 orë më vonë pas një operacioni kërkimi nga policia.

Ai ishte themelues dhe kryeredaktor i televizionit TNT dhe i gazetës Belocrkvanske Novosti, ndërsa gjatë karrierës së tij raportoi për një sërë çështjesh të ndjeshme, veçanërisht për hetimet lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Kërcënimet që nisën pas një pyetjeje drejtuar Vuçiqit

Cvetkoviq kishte raportuar publikisht për një numër të madh kërcënimesh me vdekje ndaj tij dhe familjes së tij në vitin 2015.

Sipas tij, kërcënimet nisën pasi i bëri një pyetje kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një konference për shtyp në Qeverinë serbe më 7 gusht, lidhur me hetimet për abuzimet në Fondin e Investimeve Kapitale të Vojvodinës.

“Po atë pasdite, mora për herë të parë ‘sugjerime miqësore’ anonime që të mos ‘ngacmoja’ për këtë, se mund të futesha në telashe për këtë. Më vonë, filluan kërcënime të vazhdueshme nëpërmjet internetit dhe telefonit. Ata kërcënuan se do të më masakronin, do të më vrisnin, do të më thyenin shtyllën kurrizore, do të më vrisnin fëmijën, do të më prisnin gjuhën, do të më thyenin gishtat”, kishte deklaruar ai.

Në vitin 2017, Cvetkoviq u dënua në shkallën e parë me dy vjet e tre muaj burg, pas tre padive penale private të ngritura kundër tij nga zyrtarë të Partisë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

Ai u gjobit gjithashtu me 2.15 milionë dinarë (rreth 17 mijë euro), sipas vendimeve të Gjykatës Themelore në Vršac, të cilat në atë kohë i kishte siguruar agjencia e lajmeve Beta.

Paditë ishin ngritur nga koordinatori i SNS-së për Banatin Jugor, Branko Malović, kryetari i komunës së Alibunarit, Predrag Beliq, dhe zyrtari i SNS-së, Dejan Simeunoviq.

Akuzat ndaj tij përfshinin fyerje dhe publikim të paautorizuar të dokumenteve, portreteve dhe regjistrimeve të personave të tjerë.

Audioincizimi nga burgu: “Nuk do të dal i gjallë”

Gjatë kohës që ndodhej në burg, Cvetkoviq kishte deklaruar se besonte se nuk do të dilte i gjallë, duke akuzuar drejtpërdrejt presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiq.

Deklarimet e tij u publikuan në një audioincizim të shpërndarë në YouTube të dielën e 12 korrikut.

“Në mbrëmje rreth orës 23:00 është shtyrë ndërhyrja kirurgjike. Nuk është shtyrje e rastësishme, por e organizuar nga Andrej dhe Aleksandar. Janë sekuestruar laptopët, është arrestuar shoqëria ime. Më shumë se 500 ditë ndodhem në burg, duke m’u shkelur të gjitha të drejtat. Jam transferuar nga një burg në tjetrin pa gjykim. Qëllimi i tyre është të më marrin laptopin dhe telefonin, duke kërkuar diçka që u nevojitet. Nuk kam pasur të drejtë as për një telefonatë.

Edhe pse duhej t’i nënshtrohesha një ndërhyrjeje kirurgjikale, mjekët po përpiqen të më mbajnë gjallë. Operacioni ishte planifikuar për sot, por mbrëmë u anulua. U anulua me urdhër të ‘Doktor Vdekjes’, i cili urdhrat i merr nga banda e krimit të organizuar në krye me Andrej dhe Aleksandar Vuçiq.

Kësaj radhe nuk janë përdorur metodat e aksidenteve të inskenuara me veturë, rrëmbimeve, rrahjeve apo të shtënave, por po përdoret gjendja ime e rëndë shëndetësore. Herët ose vonë do të dalë e vërteta për këto krime monstruoze, sepse ka shumë njerëz që i dinë”, dëgjohet të thotë ai në audioincizim.

Përndjekja dhe hetimet për Oliver Ivanoviqin

Cvetkoviq ishte ankuar disa herë gjatë viteve të fundit se ishte kërcënuar nga figura politike dhe njerëz me ndikim.

Ai kishte deklaruar se ishte ndaluar për gjashtë orë në pikën kufitare të Jarinës nga policia serbe.

Sipas tij, më pas kishte marrë një dokument nga Policia e Kosovës që konfirmonte se, me urdhër të prokurorit special që drejtonte hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ishte ndaluar për t’u marrë në pyetje në një stacion policor pranë Jarinës.

Gazetari kishte thënë se kishte udhëtuar në Kosovë në kuadër të një hetimi gazetaresk për atentatin ndaj Oliver Ivanoviqit, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.

“Ata nuk kishin asnjë mënyrë tjetër për të më kontaktuar, pasi vunë re se kisha rënë në kontakt me disa njerëz që ishin interesantë për ta për hetimin”, kishte deklaruar ai për agjencinë Beta.

Më vonë, Cvetkoviq mbajti një konferencë për shtyp në Beograd me titull “Sa kushton një likuidim në veri të Kosovës”, ku shfaqi fotografi të personave që, sipas tij, ishin të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke pretenduar se atentati ishte paguar me 40 mijë euro.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

KOSOVA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.