Eurovision 2027 zhvendoset në bregdet, ja qyteti bullgar që do të presë festivalin

Bullgaria ka zbuluar qytetin që do të presë Eurovisionin 2027, duke i dhënë fund spekulimeve se eventi mund të zhvillohej në kryeqytetin Sofje. Qyteti bregdetar i Burgasit është zgjedhur nga EBU dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT) si mikpritës i edicionit të 71-të të konkursit muzikor.
Spektakli do të zhvillohet në Arena Burgas, një kompleks modern i hapur në vitin 2023. Organizatorët kanë përcaktuar tashmë edhe datat e netëve kryesore: gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 11 maj, gjysmëfinalja e dytë më 13 maj, ndërsa nata kulmore, finalja e madhe, më 15 maj 2027.
Ky do të jetë një moment historik për Bullgarinë, pasi vendi do të organizojë për herë të parë Eurovisionin. Vendimi vjen pas fitores së artistes bullgare DARA në Eurovision 2026 në Vjenë me këngën “Bangaranga”.
Burgasi ishte një prej katër qyteteve që konkurruan për të marrë përsipër organizimin. Në garë ishin gjithashtu Sofja, Plovdivi dhe Varna. Përzgjedhja u bë pas një vlerësimi të detajuar të ambienteve, infrastrukturës, kapaciteteve teknike, mundësive të akomodimit, transportit dhe lidhjeve ndërkombëtare.
Edhe pse skena kryesore do të vendoset në Burgas, Eurovisioni nuk do të kufizohet vetëm në këtë qytet. Sofja, Plovdivi dhe Varna pritet të përfshihen në aktivitetet kulturore dhe argëtuese që do të zhvillohen gjatë javës së festivalit.
Përveç tre netëve të transmetuara drejtpërdrejt, programi do të përfshijë edhe gjashtë shfaqje paraprake, të planifikuara nga 10 deri më 15 maj.
Burgasi, i njohur për bregdetin, plazhet, parqet dhe aktivitetet kulturore, pritet të shndërrohet në një pikë të madhe takimi për fansat nga e gjithë Evropa. Në qytet do të organizohen gjithashtu Eurovision Village dhe EuroClub, ndërsa detajet e programit kulturor do të publikohen më vonë.
Kryebashkiaku i Burgasit, Dimitar Nikolov, e ka cilësuar organizimin një nder të madh, duke theksuar se synimi është që Eurovisioni të përfshijë të gjithë Bullgarinë dhe jo vetëm qytetin pritës.
Datat e Eurovision 2027
11 maj 2027 – Gjysmëfinalja e parë
13 maj 2027 – Gjysmëfinalja e dytë
15 maj 2027 – Finalja e madhe
Shitja e biletave nuk ka nisur ende. Fansat që duan të kenë informacionet e para për biletat duhet të regjistrohen në Eurofan, klubin zyrtar dhe falas të fansave të Eurovisionit.
Lexo edhe
LIFESTYLE
Për ju që keni ankth këto janë 6 këshilla se si të dilni në takim pa qenë në siklet!

I prishi gjumin ariut polar, norvegjezi gjobitet me afro 5 mijë euro

VIDEO/ Jahti 8 milionë euro fundoset, vetëm katër ditë pasi iu dorëzua pronarit

VIDEO/ Arsimtari amerikan shpërthen në lot për nxënësit: Gjimnazistët nuk dinë të krijojnë katër fjali!

Loja erotike shkon si mos më keq! Përveç mjekëve, në spital ndërhyjnë edhe zjarrfikësit





