Lejlekët në Evropë në rrezik nga konsumi i tepërt i ushqimit

Me zgjerimin e qyteteve, pakësimin e hapësirave të gjelbra dhe grumbullimin e mbetjeve, shumë kafshë kanë filluar të ndjekin dieta të ngjashme me ato të njerëzve. Mes tyre janë edhe lejlekët e bardhë.
Këta zogj migratorë po qëndrojnë gjithnjë e më pranë zonave urbane, ku kanë qasje të lehtë në ushqimin e hedhur në landfille, duke u ushqyer me atë që konsiderohet "junk food" ose ushqim i pashëndetshëm.
Sipas një studimi të realizuar nga një ekip shkencëtarësh të Universitetit të Mjekësisë Veterinare të Vjenës, i prezantuar në konferencën e Society for Experimental Biology në Firence (7–9 korrik), ndryshimet në dietë po ndikojnë edhe në karakteristikat biologjike të lejlekëve.
Hulumtimi tregon se lejlekët që ushqehen me mbetje ushqimore nga landfillet priren të kenë masë trupore më të madhe dhe rezerva më të larta energjie krahasuar me ata që ushqehen me prenë e tyre natyrore.
Që nga mesi i viteve 1980, një numër gjithnjë e më i madh lejlekësh kanë ndaluar migrimin nga Evropa drejt Afrikës gjatë dimrit. Shumë prej tyre tashmë qëndrojnë pranë landfilleve evropiane, ku ushqehen me mbetjet ushqimore.
Sipas studiuesve, kjo mënyrë e re e të ushqyerit po ndryshon edhe sjelljen migratore të këtyre shpendëve.
Anustup Bandyopadhyay shpjegon se lejlekët e bardhë të Gadishullit Iberik kanë kaluar nga një specie plotësisht migratore në një specie pjesërisht migratore, madje në disa raste edhe sedentare. Sipas tij, kjo lidhet kryesisht me kushtet më të favorshme klimatike dhe, mbi të gjitha, me disponueshmërinë e vazhdueshme të ushqimit në landfille.
Zakonet e reja ushqimore të kafshëve
Gjatë dekadave të fundit, studiues të ndryshëm kanë zbuluar se dietat e ngjashme me ato njerëzore, të pasura me sheqerna dhe karbohidrate, mund të shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta te kafshët.
Rosat e reja që ushqehen me bukë mund të zhvillojnë të ashtuquajturat "krahë engjëlli", një formë kequshqyerjeje që mund t’u dëmtojë aftësinë për të fluturuar.
Kojotët që ushqehen në komposte mund të jenë më të ekspozuar ndaj tenieve, pra parazitëve të zorrëve.
Ndërkohë, minjtë që në qytete ushqehen me mbetje nga qeset e plehrave kanë ndryshuar mënyrën e kërkimit të ushqimit. Sipas një studimi të vitit 2018, brejtësit urbanë priren të kërkojnë më shpesh ushqime të pasura me sheqer dhe karbohidrate, krahasuar me të afërmit e tyre që jetojnë larg zonave urbane, shkruan Tgcom.
Megjithatë, ushqimi i pashëndetshëm nuk shkakton gjithmonë shtim të rezervave dhjamore te të gjitha kafshët. Një shembull janë ketrat e kuq urbanë: individët që ushqehen shpesh me patatina, vafla dhe biskota janë më të dobët se ata që jetojnë në pyje.
Prandaj, studiuesit bien dakord për një pikë të rëndësishme: pavarësisht ndikimit që ka në trupin e kafshëve, ushqimi i tipit "junk food" po shkakton ndryshime të mëdha në zakonet e tyre historike dhe tradicionale të ushqyerjes. /Piranjat News
Lexo edhe
LIFESTYLE
Kafeja gjithnjë e më e hidhur/ Një filxhan vlen...sa ari

Fermeri promovon zonën, 110 metra vargu më i gjatë me qepë të Postribës

Kremi kundër diellit nuk përdoret siç mendoni, dermatologët tregojnë gabimet që mund t’ju kushtojnë lëkurën

Horoskopi/ Njihuni me parashikimin e yjeve për secilën shenjë

Burri refuzoi të bënte seks pas udhëtimit të gjatë, gruaja telefonon policinë





