Vetëm 500–700 kanë mbetur në natyrë, nis misioni për të shpëtuar një nga hardhucat më të rralla në botë

Në një inkubator në Guatemalë, disa vezë të vogla po monitorohen me kamera 24 orë në ditë. Brenda tyre mund të jetë një pjesë e së ardhmes së një prej zvarranikëve më të rrezikuar të planetit. Bëhet fjalë për Heloderma charlesbogerti, hardhucën guatemalase me luspa si rruaza, e njohur në vend edhe si “niño dormido” – “fëmija që fle”.
Sipas drejtuesit të projektit të konservimit në kopshtin zoologjik La Aurora, Rowland Griffin, në natyrë mund të kenë mbetur vetëm 500 deri në 700 individë të rritur.
Specia gjendet vetëm në shkurret me gjemba të luginës Motagua të Guatemalës, një nga rajonet më të thata të Amerikës Qendrore. Popullsia është goditur nga humbja e habitatit, por edhe nga tregtia e paligjshme e kafshëve ekzotike. Pamja e pazakontë dhe rrallësia e saj e kanë bërë të kërkuar në tregun ilegal të kafshëve shtëpiake.
Për ta shpëtuar, konservatorët po përpiqen të krijojnë një brez të ri në kushte të kontrolluara. Në kopshtin zoologjik La Aurora në Guatemala City, vezët monitorohen me kamera në distancë dhe inkubatorë. Pas çeljes, puna bëhet edhe më delikate. Të vegjlit duhet të mësojnë sjelljet që do t’u duhen kur të kthehen në natyrë: të ushqehen vetë, të ngjiten dhe të përshtaten me një mjedis që nuk ka asgjë të përbashkët me sigurinë e një inkubatori.
Plani është që fillimisht të dërgohen në rrethime të mëdha brenda habitatit të tyre natyror. Vetëm pasi të përshtaten, do të lihen plotësisht të lirë, ndërsa shkencëtarët do të vazhdojnë t’i monitorojnë.
Specia ka nivelin më të lartë të mbrojtjes sipas konventës ndërkombëtare CITES që prej vitit 2007. Hardhuca ushqehet kryesisht me vezë zogjsh dhe zvarranikësh. Është helmuese, por helmi i saj nuk njihet si fatal për njerëzit.
Në korrik, Reuters publikoi edhe fotografi të një prej të vegjëlve të sapoçelur duke u matur nga konservatorët – një krijesë e vogël që përfaqëson një shpresë të madhe për mbijetesën e gjithë species.
Nëse programi funksionon, këta të vegjël do të kalojnë nga inkubatori në luginën Motagua dhe mund të ndihmojnë që “fëmija që fle” të mos zhduket përgjithmonë.
Lexo edhe
LIFESTYLE
Alarm në Evropë/ Rini dhe Danubi thahen, kriza e ujit "kërcënon" ekonominë dhe natyrën

Sa rreze dielli na duhet vërtet?

Horoskopi/ Njihuni me parashikimin e yjeve për secilën shenjë

VIDEO/ Skena e pazakontë! Mijëra njerëz u mblodhën para kishës për dasmën e Ronaldos. Me atë që ndodhi më pas të gjithë u habitën ...

Jo vetëm dashuria apo kimia fizike/ 3 shenjat që tregojnë se je me personin e duhur





