Zbulohet macja e re/ Shkencëtarët identifikojnë në Bolivi specien e re pas një shekulli

Një specie e re maceje e egër është identifikuar në pyjet malore të Bolivisë, në atë që studiuesit e cilësojnë si zbulimin e parë të një specieje të re të gjallë të maceve të emërtuar zyrtarisht në më shumë se një shekull. Macja, e quajtur Tilkajo nga komunitetet lokale është më e vogël se një mace shtëpiake dhe u identifikua përmes analizave gjenetike.
Një mace e vogël e egër në pyjet malore të Bolivisë është identifikuar si një specie e panjohur më parë për shkencën.
Kafsha, e quajtur lokalisht Tilcayo, jeton në pyjet e reve të Yungasit, në zona me lartësi të madhe dhe lagështi të lartë. Me gjatësi rreth 46 centimetra dhe peshë vetëm 1.4 kilogramë, ajo është më e vogël edhe se një mace shtëpie mesatare.
Analizat gjenetike kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një specie të veçantë, të emërtuar shkencërisht Leopardus tilcayo. Ka gëzof ngjyrë kafe të çelët dhe njolla në formë rozete, ndërsa për mënyrën e jetesës së saj dihet ende shumë pak. Gjurmët e jashtëqitjes tregojnë se ushqehet me brejtës të vegjël, ndërsa pamjet nga kamerat kurth sugjerojnë se është aktive kryesisht gjatë natës.
Shkencëtarët analizuan ADN-në e 38 maceve nga Amerika e Jugut, përfshirë edhe mostra nga muzeumet. Studimi tregoi se ajo që më parë konsiderohej një specie e vetme e maceve tigër përbëhet në fakt nga pesë linja gjenetikisht të dallueshme.
Vetëm dy individë të gjallë të Tilcayos janë ekzaminuar deri tani. Njëri prej tyre është një mashkull 10-vjeçar, që ndodhet në një qendër rehabilitimi të kafshëve të egra, pasi ishte mbajtur për vite nga një familje lokale.
Sipas studiuesve, linja e Tilcayos është ndarë nga të tjerat rreth 1.4 milionë vjet më parë.
Zbulimi vjen në një kohë kur habitati i kësaj maceje po kërcënohet nga shpyllëzimi, zgjerimi i bujqësisë, zjarret e shkaktuara nga njerëzit dhe aktiviteti minerar.
Studiuesit theksojnë nevojën për mbrojtjen e pyjeve vendase dhe ruajtjen e lidhjeve mes habitateve, pasi shumë specie mund të zhduken përpara se të zbulohen dhe të studiohen.
Për studiuesit, zbulimi i Tilcayos tregon edhe sa shumë mbetet ende për t'u zbuluar në pyjet e Amerikës së Jugut. Identifikimi i kësaj specieje mund të ndihmojë në përcaktimin më të saktë të statusit të saj të rrezikimit dhe në hartimin e masave për mbrojtjen e habitatit ku ajo jeton.
Lexo edhe
LIFESTYLE
Parashikimi i horoskopit, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

Çfarë dihet për terapinë hiperbarike me oksigjen kundër plakjes?

Kompjuteri kuantik zgjidh një problem matematikor 48-vjeçar

Po ju bien flokët? Këto ushqime mund t’ju ndihmojnë t’i forconi dhe t’i mbani më të shëndetshëm

VIDEO/ Gjyshet virale të Kretës "godasin" përsëri dhe zihen me GPT-në: Budallaqe





