Analisti politik francez: “Revolucioni i Flamingove Rozë” po kthehet në një sfidë për Edi Ramën

TIRANË- Analisti politik francez, Pierre Haski, ka komentuar protestat masive që po zhvillohen në vendin tonë kundër projektit turistik të lidhur me familjen Trump. Duke folur në rubrikat e tij në radion publike të Francës, Haski tha se “Revolucioni i Flamingove” nisi pas kundërshtimeve ndaj projektit turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë, i mbështetur nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Haski thekson se projekti ka shkaktuar zemërim tek shumë qytetarë, të cilët kërkojnë mbrojtjen e ishullit të Sazanit dhe zonave të mbrojtura përreth tij. Në analizën e tij, Haski vë në dukje se protesta ka marrë përmasa të gjera dhe po shndërrohet në një sfidë serioze politike për kryeministrin Edi Rama, në një moment kur Shqipëria po synon anëtarësimin në BE.
Haski ka komentuar edhe deklaratat e fundit të Ramës për FT, si dhe akuzat e kryeministrit se pas gjithë kësaj situata qëndrojnë faktorë të jashtëm, përfshirë Iranin. Sipas Haski, “Revolucion i Flamingove Rozë” ngjan me shumë lëvizje spontane që kemi parë vitet e fundit në vende të ndryshme të botës: pa liderë, pa organizata avangarde, por me aftësinë për të mobilizuar turma të mëdha njerëzish.
Më poshtë komenti i plotë i Pierre Haski:
Një projekt turistik në një ishull të mbrojtur, i mbështetur nga familja e Donald Trumpit, ka shkaktuar zemërimin e shqiptarëve prej javësh. “Revolucioni i flamingove rozë” po kthehet në një sfidë për kryeministrin Edi Rama, në një kohë kur Shqipëria po ecën me hapa të mëdhenj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në këtë “Revolucion të Flamingove Rozë” gjenden të gjithë përbërësit e kohës sonë: një zonë e mbrojtur e kërcënuar nga një projekt turistik, një aromë korrupsioni ende të paprovuar që ndez opinionin publik, një kryeministër i palëvizshëm që ndodhet në mandatin e tij të katërt dhe, për t’i vënë vulën historisë, paratë e familjes Trump. Mirë se vini në Shqipëri, e cila prej javësh jeton nën ritmin e protestave për të shpëtuar ishullin e Sazanit dhe strehën e tij të zogjve, përfshirë flamingot e famshme rozë.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, një burrë shtatlartë i diplomuar në Shkollën e Arteve të Bukura, i cili sheh gjithnjë e më pranë ëndrrën shqiptare të anëtarësimit në Bashkimin Europian, është revoltuar nga akuzat e protestuesve që e vënë atë personalisht në shënjestër. Nuk është parë shpesh në një moment me frymëzim kaq të ulët si në intervistën e dhënë dje për Financial Times, ku për protestuesit tha: “Le të shkojnë të q…hen!”. Nuk është detyra ime të provoj se nuk jam Kumbari; është detyra e tyre të provojnë se jam”, u shpreh ai me zemërim përballë akuzave për korrupsion.
Javën e kaluar ai akuzoi Iranin se po nxit zemërimin e protestuesve në rrjetet sociale, për shkak të pranisë në Shqipëri të disa mijëra anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit, grup opozitar iranian i strehuar në vend pas rrëzimit të Saddam Husseinit në Irak.
Gjithçka nisi kur Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara, publikoi një video ku fliste për një ishull parajsor që kishte “zbuluar” gjatë një udhëtimi me jaht në Mesdhe me bashkëshortin e saj, Jared Kushner. Më pas erdhi projekti turistik me vlerë 1.4 miliardë dollarë, i mbështetur nga fondi i investimeve i dhëndrit të Donald Trumpit.
Kryeministri ngre një pyetje: a do të kishte shkaktuar ky projekt të njëjtën kundërshti nëse nuk do të ishte lidhur me familjen Trump? Është e vështirë të thuhet, aq më tepër kur një pjesë e bregdetit shqiptar është masakruar nga investime turistike të pakontrolluara, pa shkaktuar protesta të ngjashme.
Por, pavarësisht asaj që thotë Edi Rama, kjo është shndërruar tashmë në një krizë të rëndësishme politike në vendin më të varfër të Europës, ku korrupsioni ka qenë realisht një nga pengesat kryesore të zhvillimit që prej daljes nga komunizmi më dogmatik, më shumë se tri dekada më parë.
Ky “Revolucion i Flamingove Rozë” ngjan me shumë lëvizje spontane që kemi parë vitet e fundit në vende të ndryshme të botës: pa liderë, pa organizata avangarde, por me aftësinë për të mobilizuar turma të mëdha njerëzish.
Lexo edhe
POLITIKE
PD: Sulmi ndaj Tahir Sinanit dhe UÇK-së është akt antishqiptar i orkestruar nga Edi Rama

“Washington Post”: Protestat e “Gjeneratës Z” po mposhtin Ramën në fushën e tij

'Kumbari' në telashe? Këlliçi: Janë zbuluar 500 planet e fshehta të Ramës

Ermelinda Meksi kundër Ramës: PS ka humbur aftësinë për t’u vetëkorrigjuar

Floriana Garo: Mediat e Ramës trillojnë, PD dhe Berisha mbështesin pa lëkundje kërkesat e protestës qytetare





