Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re. Motoja jonë të jetë: ripërtëritje, vizion, modernizim, organizim

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se, pas Kuvendit Kombëtar, opozita ka hyrë në një etapë të re.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ai u shpreh se, suksesi në kilometrin e fundit të maratonës politike kërkon që çdo deputet të udhëhiqet nga një moto e qartë, ripërtëritje, vizion, modernizim dhe organizim.
Sipas tij, kjo strategji e çon Partinë Demokratike në përmbushje të plotë të misionit të saj, rikthimit të votës së lirë dhe fitores së saj në zgjedhjet e përgjithshme.
"Zonja dhe zotërinj deputetë. Ne pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re.
Në një kohë të re në të cilën kërkohet që çdonjëri prej nesh të përsërisë nga mëngjesi në darkë, jo një, por qindra herë fjalën: ripërtëritje, vizion, modernizim, organizim.
Rruga e vetme e përmbushjes së misionit tonë kalon në këto drejtime. Kilometri i fundit i maratonës sonë do mund të përshkohet me sukses vetëm atëherë kur ne, në radhë të parë ne si deputetë, pas të gjithash ne si deputetë, ne si drejtues dhe më pas drejtuesit dhe anëtarët e Partisë Demokratike në çdo nivel, do ndalen t'i përsërisin vetes këtë moto.
Dhe çfarë duhet të bëjmë ne? Kjo është rruga e sigurt që ne të përballemi me sukses me pushtetin dhe regjimin e kalbur të Edi Ramës. Kjo është rruga e sigurt e transformimit të opozitës, e vitalizimit të saj, e mbjelljes kudo të shpresës për shqiptarët. Rruga e cila çon Partinë Demokratike në përmbushje të plotë të misionit të saj, rikthimit të votës së lirë dhe fitores së saj në zgjedhjet e përgjithshme. Mendoj dhe besoj se në këtë moto ka gjithçka reale, gjithçka plotësisht të arritshme dhe gjithçka jetike të domosdoshme për ne. Nuk janë dhe nuk do të jetë askush tjetër përveç nesh që do zhvillojmë, do promovojmë vizionin e kësaj partie.
Nuk është askush tjetër përveç nesh që do modernizojë në çdo segment këtë parti. Nuk është askush tjetër përveç nesh që do riorganizojë plotësisht Partinë Demokratike. Përgjegjësia është më e madhe se kurrë, përgjegjësi e jashtëzakonshme para shqiptarëve, para demokratëve, para miqve tanë kudo që ndodhen. Ndaj dhe unë kërkoj nga ju që çdonjëri prej jush të ketë axhendën e tij të bazuar në këtë platformë. Së bashku do përpunojmë standardet dhe kriteret e vlerësimit të punës së secilit prej nesh. Pse votoi Kuvendi për këtë moto? Votoi se e ndjeu nga shpirti i njerëzve.
Delegatët dhe qytetarët kërkojnë nga ne ripërtëritje, kërkojnë të shumëfishojmë forcën për të paraqitur dhe mbrojtur vizionin tonë, kundër një propagande që mashtron nga mëngjesi në darkë se Partia Demokratike nuk ka vizion, nuk ka program.
Kjo është e pavërtetë, ne kemi një program të shkëlqyer, por armiqtë tanë nuk janë vetëm mediat e kontrolluara nga qeveria që shpifin. Heshtja jonë është e papranueshme. Ndaj duhet një shumëfishim i të gjithë potencialit tonë në komunikim dhe mbrojtje të vizionit tonë. Të nderuar deputetë, ne duhet të transkriptojmë në ligje, të gjitha problematikat e mëdha me të cilat përballen qytetarët, me të cilat përballen prodhuesit, me të cilat përballen fermerët. Të diktuara fund e krye nga korrupsioni edhe vjedhja e qeveritarëve. Dje unë takova një përfaqësues tonin dhe më foli për ambalazhin. A mund ta imagjinoni ju se çfarë gjobë të tmerrshme iu marrin atyre për ambalazhet? Vetëm për ambalazhin, për arkat. Një sistem hajdutësh, i shndërruar në rregulla se si e si të rëndojnë mbi ta. Po kjo është në çdo sektor, në çdo fushë. Ndaj dhe ne kemi këtë platformë dhe mbi bazën e saj opozitarizmin në Shqipëri do ta ngremë në një nivel të ri, të paparë ndonjëherë më parë.", tha Berisha.
Lexo edhe
POLITIKE
Berisha: Druhem se mafia shqiptare do ta shndërrojë Zvërnecin nga një ‘bizhu’ botërore në një Ksamil të dytë

FOTO-LAJM/ Dje Rama dekoroi Gramoz Ruçin, i biri protestë kundër qeverisë

Protesta e organizuar nga jashtë? Rama “gjen fajtorin”: Vendet kundër BE organizojnë e nxisin situata të ngjashme! Terrori kibernetik…...

“Nuk ka dialog pa dorëheqje!”/ Rama për thirrjen e protestuesve: Disa më kanë shkruar që nga protesta e parë! Asgjë s’më lëviz…...

Rama për Zvërnecin: Çështja e origjinës së pronës do të hetohet nga SPAK





