POLITIKE

BIRN: Dështimi i paralajmëruar i aeroportit të Vlorës rrezikon qindra milionë euro në arbitrazh

Piranjat Përditësimi i fundit 7 Gusht 2026, 10:09

BIRN: Dështimi i paralajmëruar i aeroportit të Vlorës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi të mërkurën se ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë një përballjeje në arbitrazh ndërkombëtar me kompaninë private.

Ky vendim vjen pas një konflikti të ashpër gjyqësor dhe bllokimesh fizike në kantier mes dy ortakëve, “Mabco Construction” dhe “2A Group”, i cili nisi në vjeshtën e vitit 2025 për çështjen e ndarjes së aksioneve mes tyre. Pas muajsh përplasjesh, përfshi sherre masive mes punëtorëve të dy kompanive për aksesin në kantier dhe një sërë vendimesh gjyqësore, situata mbeti e bllokuar edhe pasi Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2026, rrëzoi kërkesat e “2A Group” për marrjen e masave të sigurimit të padisë, duke u pasuar më vonë nga të tjera vendime bllokuese në shkallën e parë.

Por përtej një konflikti të thjeshtë mes ortakësh, dështimi i këtij koncesioni përfaqëson sipas ekspertëve një sindromë të vërtetë të Partneriteteve Publik-Privat, PPP, në Shqipëri, ku rreziqet i ngarkohen shtetit dhe përfitimet privatit.

Projekti i aeroportit të Vlorës ka qenë thellësisht kontrovers që në gjenezën e tij, i nënshkruar në prag zgjedhjesh, i zhvilluar kundër rekomandimeve të ekspertëve të financave, dhe i ngecur tashmë në një ngërç që rrezikon t’u lërë taksapaguesve shqiptarë një faturë kolosale detyrimesh.

“Nisja e procedurës për zgjidhjen e kontratës së Aeroportit të Vlorës nuk është dështim i izoluar i konsorciumit Mabco–2A Group, por prova e radhës e problematikës strukturore të PPP-ve në infrastrukturën shqiptare,” thekson Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Përballë kësaj situate, qeveria nuk ka dhënë sqarime publike. Një zëdhënës i Ministrisë së Infrastrukturës e konfirmoi shkurtimisht vendimin.

“Mundem vetëm t’ju konfirmoj nisjen e procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për VIA. Nuk mund të bëjmë asnjë koment tjetër”, tha ai në një mesazh në WhatsApp.

Nga ana tjetër, biznesmeni Behgjet Pacolli e akuzoi publikisht qeverinë se po synonte t’i hiqte investitorit “të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri”. Valon Ademi, presidenti i 2A Group, kompanisë tjetër të përfshirë në punime dhe konflikt, nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Në kantierin për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, puna vazhdon normalisht më 26 janar 2025. Foto: Xhemali Moku.
Projekti i aeroportit të Vlorës lindi si një premtim i hershëm elektoral i kryeministrit Edi Rama, i cili u shty përpara nga qeveria pavarësisht vlerësimeve financiare për fizibilitet të ulët dhe protestave nga organizatat mjedisore.

Projekti u ndërtua në afërsi të lagunës së Nartës, një zonë e mbrojtur natyrore dhe shtëpi e dhjetëra llojeve të rrezikuara të shpendëve. Zgjedhja e kësaj vendndodhjeje shkaktoi kundërshtime të ashpra publike, si dhe reagime zyrtare nga Komisioni Europian dhe Konventa e Bernës, të cilat paralajmëruan vazhdimisht për kostot e larta dhe të pakthyeshme mjedisore.

Kontrata u firmos në prill 2021 me konsorciumin fitues të përbërë nga kompania “Mabco Construction SA” e biznesmenit Behgjet Pacolli, kompania turke “YDA Group” dhe “2A Group” e Valon Ademit, ku shteti i ofroi koncesionarit një garanci prej 138 milionë eurosh të ardhurash nga buxheti për 10 vitet e para. Por në shtator të vitit 2022, kompania turke “YDA Group” u largua nga projekti në mënyrë të dyshimtë, duke i shitur aksionet e saj për vetëm 4,450 euro tek kompania e Pacollit.

Sipas letërkëmbimeve zyrtare mes institucioneve, të bëra publike në një shkrim investigativ të publikuar nga BIRN më 27 janar 2026, Ministria e Infrastrukturës mori përsipër risqe të paprecedenta duke garantuar pagesën e kredive bankare të koncesionarit në rast të prishjes së parakohshme të kontratës. Ky lëshim u bë brenda një afati shqyrtimi 3-ditor para nënshkrimit të kontratës, megjithëse Drejtoria e Borxhit dhe Ministria e Financave kërkuan ndryshimin e klauzolave me argumentin se ky angazhim “nuk gëzonte mbështetje ligjore”.

Sipas Zef Preçit, rreziku që rasti të përfundojë në arbitrazh me penalitete të rënda për buxhetin bëhet alarmant pikërisht nga këto klauzola, pasi kontrata i lë shtetit detyrimin për të shlyer huanë prej 56 milionë eurosh ndaj BKT-së në të tria skenarët e ndërprerjes. “Rreziku që rasti të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar me penalitete të rënda është i lartë,” theksoi Preçi.

Kostot publike, siç bën të ditur Preçi, mund të rriten lehtësisht “në qindra milionë euro”, duke marrë parasysh se ka gjasa që asetet e aeroportit janë hipotekuar si kolateral edhe për një hua 100 milionë dollarëshe të “Mabco”-s ndaj “Delphos Securities”, çka fut një kreditor të tretë ndërkombëtar në këtë ekuacion. Sigurimi i kontratës prej 5% të vlerës, sipas Preçit, nuk ka funksionuar si mburojë efektive pasi ekzekutimi i tij kërkon vendime gjyqësore dhe nuk është automatik.

Tufa flamingosh në lagunën e Nartës, teksa në sfond vijon punimet Aeroporti i Vlorës | Foto Joni Vorpsi PPNEA
Nisja e procedurave për prishjen e kontratës vjen ndërsa kompania koncesionare ndodhet prej muajsh e paralizuar nga një konflikt i ashpër gjyqësor mes aksionerit kryesor “Mabco Construction” dhe ortakut minoritar “2A Group”, të cilët përpos përplasjes në gjykata civile, kanë shkëmbyer padi penale për manipulim, mashtrim dhe tjetërsim kuotash.

Vetëm në gjyqe për sigurim padie, përgjatë një periudhe rreth 9-mujore janë marrë të paktën 8 vendime të ndryshme nga të tria shkallët e sistemit të drejtësisë.

Ndonëse Gjykata e Lartë rrëzoi në maj 2026 kërkesat e “2A Group” për marrjen e masës së sigurimit të padisë, situata mori një tjetër kthesë në fillim të verës. Sipas ekstraktit historik të VIA, në korrik 2026 Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të ndalojë çdo organ drejtues të shoqërisë, përfshirë Asamblenë dhe Administratorin Vegim Hoxha, për të aderuar apo garantuar Marrëveshjen e Financimit të lidhur mes “Mabco Construction SA” dhe “Delphos Securities S.A.R.L”.

Në media më herët u publikua se Ministria e Infrastrukturës u pati dhënë një ultimatum palëve të zgjidhnin mosmarrëveshjen dhe se vendimi për prishjen e kontratës vjen pasi nuk ka pasur dakordësi.

Vendimi i qeverisë për zgjidhjen e kontratës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të biznesmenit Behgjet Pacolli. Përmes një deklarate publike, Pacolli paralajmëroi se arbitrazhi tashmë është i pashmangshëm, pasi hapi i ministrisë “synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata”. Ai akuzoi drejtpërdrejt institucionet shtetërore se kanë lejuar degradimin e shtetit të së drejtës duke mos ndërhyrë ndaj “tentativave për tjetërsimin e kuotave të investitorit”, “përjashtimit të paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit” dhe “bllokimit fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit”.

Sipas Pacollit, kërkesat e “MABCO”-s që prej gushtit 2025 për një auditim ndërkombëtar teknik dhe financiar të investimit janë injoruar, ashtu si edhe kallëzimet penale të paraqitura prej tyre ndaj veprimeve të kundërligjshme. “Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve,” deklaroi ai, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër veç mbrojtjes përmes së drejtës ndërkombëtare.

Pacolli fajëson ortakun e tij dhe qeverinë për mospërmbushjen e kontratës dhe vendosjen në operim të aeroportit brenda afateve, duke akuzuar ministrisë se në nisjen e procedurave për prishjen e marrëveshjes citon fakte të rreme.

Ekspertët theksojnë se përballë kësaj situate, monitorimi institucional ka qenë pasiv në mënyrë shqetësuese. Megjithëse konflikti u shfaq në vjeshtën e vitit 2025, Ministria e Infrastrukturës priti deri në maj 2026 për të dhënë një ultimatum 30-ditor, ndërkohë që klauzolat e monitorimit dhe penaliteteve duhej të ishin aktivizuar shumë më herët.

Në kushtet e tanishme, Zef Preçi vlerëson se “opsioni më racional nuk është rifillimi me çdo kusht, por rivlerësimi i plotë i arsyeshmërisë ekonomike të projektit, qëndrueshmëria financiare e të cilit është vënë në dyshim që në fillim”.

Preçi ofron si zgjidhje e mundshme një tender i ri ndërkombëtar transparent për një operator të kualifikuar aeroportual, me kushte të rinegociuara pa garanci shtetërore, ose ripërdorimi i infrastrukturës për aviacion rajonal e logjistikë, duke shmangur kështu kostot e rënda mjedisore në lagunën e Nartës./ BIRN

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

SOCIALE 6 Gusht17:27

Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujor...