POLITIKE

“Dëm i madh iu bë Serbisë”, Vuçiç për tërheqjen e Kushnerit: Shqipëria do fitojë publicitet nga familja Trump

Piranjat Përditësimi i fundit 16 December 2025, 18:47
“Dëm i madh iu bë Serbisë”, Vuçiç

“Dëm i madh iu bë Serbisë”, tha presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiç, pas lajmit se kompania e Jared Kushnerit – dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump – po tërhiqej nga projekti i planifikuar për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd.

Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.

Vuçiç tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.

“E humbëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiç, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.

“Duket se disa popuj i kuptojnë më mirë vendimet e udhëheqësve të tyre sesa populli ynë, ose një pjesë e opozitës sonë politike – e gatshme të veprojë kundër interesave të vendit të vet”, shtoi Vuçiç.

Projektit në Serbi iu kundërvunë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët, të cilët mbështesin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor dhe rindërtimin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm.

Njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor – në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kompania investuese “Affinity Partners” tha se “vizioni ynë për projektin në Beograd ishte të ofronim një dizajn elegant dhe frymëzues, që pasqyronte përparimin e Serbisë”.

“Jemi krenarë për arkitekturën që ka krijuar ekipi ynë. Sepse, projektet me kuptim duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe për qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë dhe po e bëjmë një hap pas në këtë moment”, thuhet në deklaratë.

Vuçiç fajësoi Prokurorinë dhe “bllokuesit” – siç i quan ai protestuesit antiqeveritarë që protestojnë për më shumë se një vit kundër Qeverisë së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.

“Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb.

Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.

Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt.

“Kurrë nuk ka pasur korrupsion, e as nuk ka qenë qëllimi i tij”, tha Vuçiç.

Dyshimet për falsifikim dokumentesh në qendër të hetimeve për Shtabin e Përgjithshëm

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, Goran Vasiç, sipas prokurorisë, ka pranuar tashmë falsifikimin e dokumentacionit.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviç nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Pas lajmit se kundër tij është ngritur aktakuzë, Sellakoviç tha se “po e priste me padurim gjyqin, sepse ai do të shënojë fundin e bllokuesve”.

Termi “bllokues” përdoret nga përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi për të përshkruar pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024.

Vuçiç tha më 11 dhjetor se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiç.

Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.

Për Edward P. Josephin, ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, lajmi për tërheqjen e Kushnerit nuk është befasi.

“Përpjekjet e Qeverisë së Vuçiçit për të marrë pronën, ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për ta hequr nga regjistri i pronave të mbrojtura kulturore dhe monumenteve, shpërthyen në një skandal. Pra, asgjë nga kjo nuk më habit”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se e ngriti këtë çështje edhe në Nënkomisionin për Evropën të Komitetit për Çështjet e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, më 2 dhjetor.

“Në deklaratën time hapëse dhe më pas në përgjigjet ndaj pyetjeve të anëtarëve të Kongresit, theksova se presidenti Vuçiç nuk do të ishte në gjendje t’i përmbushte angazhimet për hotelin. Theksova kundërshtimin e fuqishëm për ndërtimin e këtij hoteli nga i gjithë spektri politik”, thotë Joseph.

Kushner u angazhua në negociata për më shumë se dy vjet. Kontrata fillestare u nënshkrua në maj të vitit 2024. Nënshkrues nga ana e Serbisë ishte Goran Vesiç, ish-ministër i Ndërtimit, Trafikut dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Serbisë.

Në kontratë thuhej se Serbia është e detyruar të heqë statusin e trashëgimisë kulturore nga kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm “në një mënyrë që të jetë e kënaqshme” për kompaninë e Kushnerit, të përfundojë shembjen e ndërtesave, gjithashtu “në një mënyrë që të jetë e kënaqshme” për kompaninë e dhëndrit të Trumpit, dhe toka ku ndodhet kompleksi, të jepet me qira pa pagesë për 99 vjet, me opsionin e pronësisë falas./Marrë nga REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?