Sulmet kibernetike/ Po goditemi më shumë se SHBA e BE? Rama bën “viktimën” pas protestës së Flamingove

Shqipëria, një vend i vogël në hartën globale dhe me rëndësi të papërfillshme në gjeopolitikën ndërkombëtare, rezulton sipas shifrave qeveritare se është një ndër më të goditurat nga sulmet kibernetike, madj edhe më shumë se SHBA dhe disa nga shtetet kryesore të Bashkimit Europian.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) thotë se, vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2026, ka pasur “14.6 milionë tentativa për sulme kibernetike ndaj infrastrukturave të informacionit”.
Shifra duket tërësisht e ekzagjeruar, nëse krahason me “sulme të ngjashme” që janë regjistruar në Shtetet e Bashkuara, rreth 4800 të tilla ose në Itali, Francë e Greqi që kanë regjistruar gjithashtu shifra të ngjashme gjatë vitit 2025.
Ky raport vjen pas shqetësimeve në rritje të kryeministrit Edi Rama, i cili sheh “ndërhyrje të huaja kibernetike” në atë që konsiderohet ‘protesta e flamingove”, një revoltë qeveritare më shumë se dy-mujore ndaj keq-qeverisjes së tij.
Rama u ankua në një takim me strukturat e Partisë Socialiste se “rrjetet sociale dhe algoritmet e tyre po krijojnë një “realitet paralel” dhe po dëmtojnë demokracinë, duke shpërblyer zhurmën, britmat dhe emocionet në vend të argumentit dhe të vërtetës”.
Sipas tij, “manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet përmes rrjeteve ndikojnë në perceptimin publik dhe i japin përmasa globale apo intensive protestave. Ato janë amplifikuar nga fuqi të huaja, algoritmet e rrjeteve sociale dhe ndërhyrjet dashakeqe (përfshirë Iranin) që përdorin dezinformim dhe video të manipuluara për qëllime globale”.
Në Shtator të vitit 2022, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke e konsideruat Shtetin Islamik si përgjegjës për sulme masive ndaj infrastrukturës kibernetike qeveritare.
Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria u godit për shkak të qëndrimeve të saj gjeopolitike, në krah të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Gjatë të gjithë periudhës në vijim, ai e ka vizatuar veten si “një viktimë” të politikës së tij krah Perëndimit, përpjekje të cilat vlerësohen nga ekspertët si një masë për zbehur sadopak kritikat e brendshme për forcimin e shtetit autokratik dhe rënien e indikatorëve të demokracisë në Shqipëri.
Për të forcuar më shumë rolin e Edi Ramës si “viktimë” e sulmeve dashakaqëse vjen edhe raporti më i fundit i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK)
Siguria kibernetike është një çështje e ndërlikuar për t’u kuptuar nga një publik i gjerë, me terma e teknologji që përpunohet e përthithet kryesisht nga ekspertët e fushës.
Duke shfrytëzuar këtë “padijeni teknike”, AKSK, një strukturë në varësi direkte të kryeministrit, prezantoi në 4 gusht 2026 shifrat mbi “tentativa për sulme kibernetike”- plot 14.6 milionë të tilla në vetëm 6 muaj.
AKSK nuk jep sqarime se cila është natyra e këtyre “sulmeve”. Në literaturën shkencore, “tentativat për sulme” ndahen në dy grupe:
– “Një kërcënim kibernetik” ose i sigurisë kibernetike është një veprim keqdashës që synon të dëmtojë apo të vjedhë të dhëna, ose të çrregullojë jetën dixhitale në përgjithësi. Kërcënimet kibernetike përfshijnë “ransomware-in”, viruset dhe “malware”-in, shkeljet e sigurisë së të dhënave, sulmet e tipit “Mohim Shërbimi” (DoS) dhe vektorë të tjerë sulmi.
– Tentativave teknike (scans, probes, login attempts). Këto janë veprime paraprake në sigurinë kibernetike, ku një sulmues kontrollon një rrjet ose sistem për të gjetur pika të dobëta, përpara se të nisë një sulm real.
Autoriteti i Sigurisë Kibernetike flet për 14.6 milionë “tentativa sulmesh kibernetike”, por pa i ndarë këto sipas llojit të tyre.
Megjithatë, AKSK thekson se janë “tentativa për sulme kibernetike ndaj infrastrukturave të informacionit”.
Ky detaj është i mjaftueshëm për të bërë një krahasim me tentativa për sulme të ngjashme kibernetike “ndaj infrastrukturave të informacionit” me vendet e tjera. Është i mjaftueshëm për të zbuluar butaforinë e shifrave të strukturës në varësi të kryeministrit Edi Rama.
Në vitin 2025, Qendra e Ankesave për Krimet Kibernetike ose IC3, raporton se “mori më shumë se 4800 ankesa nga organizata që i përkasin sektorit të infrastrukturës kritike, të cilat ishin prekur nga një kërcënim kibernetik”.
Pra, në Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar janë regjistruar vetëm 4800 ankesa për “tentativa të sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës kritike….”. Ndërkohë, “tentativa teknike”, pra përpjekje për të gjetur pika të dobëta në sistemet, janë regjistruar me miliona.
Në Itali, rreth 2.000–2.700 tentativa (evente kibernetike) regjistrohen çdo vit, ndërsa rreth 600 prej tyre përshkallëzohen në incidente me ndikim të konfirmuar mbi administratën publike, operatorët kritikë ose organizata të tjera.
Në Francë, struktura përgjegjëse për sigurinë kibernetike, “ANNSI”, raporton rreth 3500-4500 “tentativa për sulme kibernetike nga infastrukturës kritike”. Ndërsa, sa u përket tentativa automatike, pra “tentativat teknike”, numri i tyre arrin në miliona
Sipas raportimeve për vitin 2025, në Greqi u identifikuan mbi 15,2 milionë kërcënime/tentativa digjitale gjatë vitit. Kjo shifër përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh keqdashëse dhe jo vetëm sulme ndaj infrastrukturës kritike. Sa u përket incidenteve serioze ndaj infrastrukturës kritike, numri është shumë më i vogël. Për shembull, raporti vjetor i shërbimit inteligjent grek për vitin 2025 përmend 19 sulme serioze ndaj strukturave dhe rrjeteve kritike të sektorit publik.
Lexo edhe
POLITIKE
Banorët e Fierzës kundër draftit të PS: Jemi 100 km larg shërbimeve nëse bashkohemi me Pukën

Tenderi për avionët kundër zjarreve/ PD ngre akuza ndaj “Air Tractor”, kërkon hetim nga SPAK

Klosi kundër shkrirjes me Matin/ Kryetarja socialiste e bashkisë, kundër Ramës: Do bëjmë dëgjesë publike në çdo fshat. Jam në shërbim të ...

Tabaku kundërshton projektin për kompaninë shtetërore të barnave: Qeveria po kalon nga paracaktimi i tenderëve te kontrolli i gjithë treg...

Zhupa ngre alarmin për projektin në Sarandë: Hapësira sportive e shkollës po kthehet në parking





