Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
DOKUMENTI/ SPAK regjistron kallëzim penal për “Albanian Files” të Ramës, nis hetimi për resortet luksoze... Tensione para Kryeministrisë/ Protestuesit shkulin gurët e trotuarit dhe i hedhin drejt policisë Gjakftohtë/ Jetoi prej vitesh në Greqi si ‘fantazmë’, si u zbulua shqiptari i akuzuar për katër vrasje ... Zhdukja e përkthyeses kineze me pasaportë shqiptare/ Kasaforta me 100 mijë euro dhe hetimet në Shqipëri 'Vetëm prokurorët nuk zbresin në terren'/ Gazetari plas skandalin: Dyshime se punonjësit e AMP janë në prot... “Ushtarët” e rinj të Klodian Lekocajt dalin para gjykatës: Sulmova me molotov dyqanin për 1 mijë euro ... Protestë prej disa orësh para Ministrisë së Arsimit, nis marshimi drejt Kryeministrisë 25 vite punë, pa paga dhe pa sigurime/ 50 punonjësit e NEFER në Shkodër kërkojnë drejtësi Aksident me pasojë vdekjen në një minierë në Martanesh Lule, premtime dhe dhunë! Historia e Anxhelës, nga dashuria e adoleshencës te medikamentet e fshehura në pi... Nuk e lejuan të bënte grafi për këmbën e thyer, rëndohet situata shëndetësore e Veliajt Aksident në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë, furgoni përplaset me dy automjete
POLITIKE

Eurodeputetët nuk morën garanci nga qeveria shqiptare për Zvërnecin

P
Piranjat 1 July 2026, 17:57 · 7 min lexim
Eurodeputetët nuk morën garanci nga qeveria shqiptare për

Delegacioni i deputetëve të grupit të Gjelbërt/Aleanca e Lirë Evropiane (Green/EFA) në Parlamentin Europian përfundoi të mërkurën misionin faktmbledhës për kërcënimin që po i bëhet Zonës së Mbrojtur të lagunës Vjosë-Nartë nga një projekt turistik, në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian, si edhe për të parë nga afër protestat e përdithshme në Tiranë kundër qeverisë.

Eurodeputetja holandeze Tineke Strik në një konferencë për mediat nga Europa House në Tiranë tha se nga vizita në terren në Zvërnec – ku u rrethua toka dhe u bënë disa punime për t’i hapur rrugën projektit, kishte dëmtuar në mënyrë tronditëse dhe serioze këtë zonë.

“Dëmet e shkaktuara deri tani përbëjnë shkelje të qarta të Direktivës së BE-së për Shpendët dhe Direktivës për Habitatet”,  tha ajo, ndërsa shtoi se janë dëmtuar dunat e rërës, pyjet, ligatinat dhe është bllokuar lidhja mes detit dhe lagunës.

Por, Strik pranoi se pavarësisht justifikimeve për këtë projekt, qeveria shqiptare nuk kishte dhënë garanci për mbrojtjen e mëtejshme të zonës.

“Ministri këmbënguli se këto ndërhyrje ishin të nevojshme për kryerjen e vlerësimit të ndikimit në mjedis,” tha ajo.

“Ne i shpjeguam se nuk mund të ndërtosh fillimisht dhe më pas të vlerësosh nëse ndërtimi është i pranueshëm”, shtoi Strik duke përshkruar bisedën me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj.

Duke e perifrazuar këtë bisedë me shumë ‘mospajtime’, Strik tha se ministri kishte premtuar një afat 20 ditor për konsultime publike dhe ishte justifikuar për mungesën e tyre me faktin se projekti bëhet në një pronë private, gjë që për eurodeputeten nuk qëndron pasi bie ndesh me standardet e BE-së.

“Megjithatë, nuk morëm asnjë garanci se aktivitetet do të ndalen”, theksoi ajo duke shtuar se “shqetësimet tona mbeten”.

As për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura, kërkesë e miratuar në rezolutën e PE-së në qershor, ministri Jaupaj nuk kishte dhënë garanci, duke ia faturuar këto ndryshime procesit të harmonizimit të ligjeve me ato të BE-së deri në fund të vitit 2027.

“Nuk mund ta përkeqësosh fillimisht situatën dhe më pas të thuash se pas një viti e gjysmë do ta harmonizosh me standardet evropiane,” tha Strik duke iu referuar qëndrimit të saj në takimin me Jaupaj. “Deri atëherë dëmi është bërë”, shtoi ajo.

Strik ishte propozuesja e amendamentit 27 që u përfshi në rezolutën e PE-së për progresraportin e Komisionit Europian për ecurinë e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.

Në këtë amendament të votuar me shumicën dërrmuese të anëtarëve kërkohej që qeveria shqiptare të vendoste moratorium ndërtimesh brenda zonave të mbrojtura deri në shfuqizimin e paketës ligjore që u ka hapur rrugë këtyre ndërtimeve.

Por ditën e seancës plenare kur u votua rezoluta drejtues parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet ndërmorën një hap të papreçedentë duke u kërkuar anëtarëve të PE-së që të mos e votonin këtë amendament, siç e denoncoi publikisht deputetja gjermane Jutta Paulus gjatë vizitës në Tiranë.

E pyetur nëse ky veprim ishte një gjë normale apo konsiderohej si presion nga eurodeputetët, Strik vlerësoi se bëhej fjalë për këtë të dytën.

“Detyra jonë është të ushtrojmë kontroll demokratik mbi mënyrën se si Bashkimi Evropian vlerëson situatën në Shqipëri, si edhe të sigurohemi që në Shqipëri të mos ndodhin shkelje të standardeve evropiane,” tha ajo.

“Prandaj, një thirrje kaq e drejtpërdrejtë drejtuar eurodeputetëve do ta konsideroja një formë ndërhyrjeje politike”, shtoi Strik.

Strik vlerësoi protestat qytetare dhe thirrjen e tyre “Shqipëria nuk është në shitje”, ndërsa kritikoi sjelljen e qeverisë ndaj protestuesve.

“Në vend që t’i marrin seriozisht protestuesit paqësorë, politikanët po i sulmojnë me fushata denigruese dhe forma intimidimi,” tha ajo.

“Kjo është e papranueshme dhe nuk përputhet me standardet e një demokracie të mirëfilltë”- theksoi Strik.

Po ashtu ajo theksoi se protestat e nisura për mbrojtjen e lagunës së Vjosë–Nartës kishin nxjerrë në pah probleme më të mëdha në vend si: mungesa e konsultimit publik, mungesa e transparencës dhe korrupsioni në nivele të larta.

Në këtë kontekst ajo vlerësoi punën e organeve të drejtësisë dhe i bëri thirrje politikës që të mos bëhet pengesë.

“Politikanët nuk duhet të mbrohen apo të pengojnë hetimet”, tha ajo duke kërkuar po ashtu që “qeveria të punojë seriozisht për një sistem funksional të shtetit të së drejtës, me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe procedurave të padrejta të prokurimit publik”.

Kryetarja e delegacionit të PE-së, Strik, e cila është raportuese në hije për Shqipërinë u shoqërua në këtë vizitë nga eurodeputetët Jutta Paulus, Cristina Guarda, Anna Strolenberg, Nicolae Ștefănuță dhe Daniel Freund. Delegacionit iu bashkuan gjithashtu Boris Mijatović, deputet i Bundestagut gjerman; Jelena Miloš, deputete e Parlamentit të Kroacisë; këshilltarja bashkiake finlandeze Hanna Partanen; si dhe bashkëkryetarja e Partisë së Gjelbër Evropiane, Vula Tsetsi.

Ata morëm pjesë në protestën e së hënës në mbrëmje ku dhanë mesazhe mbështetëse ndaj protestuesve që kundërshtojnë prej më shumë se 1 muaji projektin në Zvërnec dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë të cilën e bëjnë fajtore për korrupsionin e lartë dhe shkatërrimin e natyrës nëpërmjet projekteve të ngjashme të debatueshme për ligjshmërinë dhe transparencën e tyre. /Birn/

 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.