POLITIKE

KAYO dhe Korporata e Investimeve/ Tabaku: “Ishuj” të veçuar, por që formojnë një arkipelag të tërë paligjshmërie! Korrupsioni është taksë e fshehtë

Piranjat Përditësimi i fundit 12 September 2026, 10:08

KAYO dhe Korporata e Investimeve/ Tabaku: “Ishuj” të

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ka ngritur akuza për mungesë transparence dhe kontrolli në disa prej strukturave shtetërore, duke përmendur KAYO-n, Bankën Shqiptare të Zhvillimit dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare.

Sipas saj, këto struktura përbëjnë pjesë të një modeli ekonomik ku rreziku mbetet publik, ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar.

Tabaku e cilëson KAYO-n si një nga “ishujt” e këtij sistemi, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë dhe kontrollin mbi kostot, konfliktet e interesit dhe përfituesit fundorë.

Ajo thekson se fakti që bëhet fjalë për një sektor strategjik nuk duhet të përdoret si argument për mungesën e transparencës financiare.

“Sekreti shtetëror nuk mund të kthehet në sekret financiar. Siguria nuk mund të përdoret si perde për të fshehur mënyrën se si shpenzohen paratë e qytetarëve”, deklaron Tabaku.

Në fokusin e saj është edhe Korporata e Investimeve Shqiptare. Deputetja i referohet edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke përmendur  problematika në planifikimin e projekteve, mungesë metodologjish të standardizuara për përzgjedhjen dhe menaxhimin e tyre, analiza të paplota të rrezikut dhe përfitueshmërisë, si dhe një hua prej 2 miliardë lekësh që nuk ishte shlyer brenda afatit fillestar.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e tij, ka evidentuar planifikim të pamjaftueshëm, mungesë metodologjish të standardizuara për përzgjedhjen dhe menaxhimin e projekteve, analiza të paplota të rrezikut dhe përfitueshmërisë, si edhe një hua prej 2 miliardë lekësh që nuk u shlye brenda afatit fillestar. Këto nuk janë etiketime politike. Janë gjetje që kërkojnë përgjigje. Sa projekte janë realizuar? Sa vende pune të qëndrueshme janë krijuar? Sa të ardhura ka marrë shteti? Si janë vlerësuar pronat publike? Kush mban përgjegjësi kur paguhen konsulenca, por projekti nuk ecën? Ku është analiza që provon se qytetari fiton më shumë sesa humbet?“, thote Tabaku.

Jorida Tabaku: 

Në këtë kënd të fundjavës dua të flasim për diçka që, në pamje të parë, duket larg jetës sonë të përditshme: për agjenci, korporata dhe shoqëri shtetërore me emra të mëdhenj, borde, drejtorë dhe statute. Por, në të vërtetë, kjo temë është shumë pranë çdo familjeje shqiptare, sepse lidhet me faturën që paguajmë në fund të muajit, me çmimin e ushqimeve, me librat dhe mjetet e shkollës së fëmijëve, me pagën që nuk mjafton, me taksat që paguajmë dhe shërbimet që nuk marrim. Në hartën e Shqipërisë është krijuar një realitet i ri ekonomik: disa institucione që duken si ishuj të veçuar, por që, kur i shikon së bashku, formojnë një arkipelag të tërë paligjshmërie, mungese transparence dhe pushteti të pakontrolluar. Një ishull quhet KAYO. Një tjetër quhet Banka Shqiptare e Zhvillimit. Një tjetër quhet Korporata e Investimeve Shqiptare. Emrat ndryshojnë, fushat ndryshojnë, por modeli mbetet i njëjtë: paratë janë publike, pasuritë janë publike, rreziku është publik, ndërsa vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit dhe kjo është ekonomia e pakicës, faturën e së cilës e paguan shumica.

Ky sistem nuk u ngrit brenda një nate. Ai u ndërtua hap pas hapi gjatë këtyre trembëdhjetë viteve. Filloi me mikromenaxhimin e tenderëve, koncesioneve dhe partneriteteve publike-private. Nga blerjet më të vogla deri te kontratat më të mëdha në shëndetësi, energji apo trajtimin e mbetjeve, u konsolidua ideja se nuk mjafton të kesh ofertën më të mirë; duhet të jesh pranë pushtetit. Sipërmarrësi i ndershëm filloi të kuptonte se puna, ideja dhe investimi nuk mjaftojnë kur rezultati vendoset nga lidhja politike. Më pas sistemi evoluoi. Nuk mjaftonte më kontrolli i një tenderi. U krijuan struktura të posaçme, me ligje të posaçme dhe përjashtime të posaçme. Ishuj ku rregullat e zakonshme të shtetit zbatohen pjesërisht, ku Parlamenti sheh më pak, publiku di më pak dhe qeveria vendos më shumë. Sot nuk kemi përballë vetëm raste të veçuara. Kemi një arkitekturë.

Le ta shohim ishullin e parë: KAYO-n. KAYO u krijua si shoqëri shtetërore dhe, në një kohë shumë të shkurtër, u bë pjesë e një vargu shoqërish të përbashkëta me kompani private. Këto partneritete prekin prodhimin e mjeteve, uniformave, municioneve dhe teknologjive ushtarake. Pra, kemi fonde publike, prona shtetërore, kontrata në një sektor strategjik dhe partnerë privatë. Atëherë pyetjet janë të pashmangshme: Si u përzgjodh secili partner? Çfarë gare u zhvillua? Si u vlerësua përvoja e tyre? Kush i kontrollon kostot? Kush verifikon konfliktin e interesit? Ku publikohen kontratat dhe përfituesit fundorë? Çfarë përgjegjësie mban bordi për çdo euro të shpenzuar? Këto pyetje nuk e dëmtojnë sigurinë kombëtare. Përkundrazi, e mbrojnë atë. Sekreti shtetëror nuk mund të kthehet në sekret financiar. Siguria nuk mund të përdoret si perde për të fshehur mënyrën se si shpenzohen paratë e qytetarëve. Ne nuk kundërshtojmë prodhimin shqiptar. Ne kundërshtojmë privatizimin e përfitimit dhe shtetëzimin e rrezikut. Kundërshtojmë një model ku privati merr kontratën, ndërsa qytetari mban faturën nëse projekti dështon.

Ishulli i dytë është Banka Shqiptare e Zhvillimit. Edhe këtu duhet të jemi të qartë: Shqipëria ka nevojë për më shumë financim për bujqësinë, ndërmarrjet e vogla dhe sektorët që bankat tregtare i mbështesin pak. Ideja e një banke zhvillimi, në vetvete, nuk është e gabuar. Problemi është se kush e kontrollon, si i zgjedh përfituesit dhe kush paguan kur kreditë nuk kthehen. Ligji parashikon auditim të jashtëm dhe një rol të Bankës së Shqipërisë për mbikëqyrjen e produkteve të kursimit të mbledhura përmes një entiteti të Postës Shqiptare, si edhe për raportimin statistikor. Por kjo nuk është e njëjta gjë me mbikëqyrjen e plotë dhe të zakonshme që ushtrohet mbi një bankë tregtare. Pra, qeveria është aksionare, qeveria zgjedh drejtimin, qeveria përcakton prioritetet dhe raporti i shkon sërish qeverisë. Pikërisht këtu lind nevoja për një kontroll realisht të pavarur, sepse një bankë zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen, por, pa filtra profesionalë, mund të kthehet në sportel për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon ose mikun që telefonon. Mund të ndihmojë biznesin me ide ose biznesin me lidhje. Prandaj kërkojmë që çdo kredi e madhe, çdo garanci shtetërore, çdo përfitues dhe çdo ekspozim fiskal të jenë të kontrollueshme dhe, kur nuk ka pengesë ligjore, publike. Zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca. Vetëm favori ka frikë prej saj.

Ishulli i tretë është Korporata e Investimeve Shqiptare. Këtu kontrasti është tronditës. Një bashki, një shkollë apo një institucion nuk mund të blejë as një kuti stilolapsash pa procedurë. Por, kur flasim për toka, godina dhe asete publike me vlerë miliona euro, standardi bëhet më i mjegullt. Pasuritë i transferohen një korporate dhe vendimmarrja përqendrohet në një strukturë shumë më pak të dukshme për qytetarin. Pyetja është e thjeshtë: Pse sa më e madhe vlera, aq më e vogël transparenca? Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditimin e tij, ka evidentuar planifikim të pamjaftueshëm, mungesë metodologjish të standardizuara për përzgjedhjen dhe menaxhimin e projekteve, analiza të paplota të rrezikut dhe përfitueshmërisë, si edhe një hua prej 2 miliardë lekësh që nuk u shlye brenda afatit fillestar. Këto nuk janë etiketime politike. Janë gjetje që kërkojnë përgjigje. Sa projekte janë realizuar? Sa vende pune të qëndrueshme janë krijuar? Sa të ardhura ka marrë shteti? Si janë vlerësuar pronat publike? Kush mban përgjegjësi kur paguhen konsulenca, por projekti nuk ecën? Ku është analiza që provon se qytetari fiton më shumë sesa humbet?

Edhe projekti “Durana Tech Park” duhet parë me këtë standard. Inovacioni është i domosdoshëm. Lehtësitë fiskale mund të kenë kuptim kur sjellin investime të reja, teknologji dhe punësim cilësor. Por, kur kompanitë marrin privilegje fiskale, qytetarët kanë të drejtë të dinë kriteret, koston për buxhetin dhe rezultatin real në terren. Këta tre ishuj nuk janë të shkëputur. Ata lidhen nga të njëjtat ura: ligje të posaçme, vendimmarrje e përqendruar, kufizim i garës, kontroll i pamjaftueshëm dhe rrezik që përfundon te taksapaguesi. Dhe kjo është arsyeja pse kjo temë prek drejtpërdrejt koston e jetesës. Kur shteti zgjedh favorin dhe jo garën, paguan më shumë për të njëjtin mall apo shërbim. Kur biznesi pa lidhje përjashtohet, tregu humbet operatorë dhe konkurrenca dobësohet. Kur ndërmarrja shtetërore ka tokë falas, garanci publike dhe kontrata nga shteti, sipërmarrësi privat nuk konkurron më në kushte të barabarta.

Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt. Korrupsioni është taksë e fshehtë mbi çdo familje. E paguajmë te çmimi, te shërbimi i munguar dhe te mundësia e humbur. Kjo është arsyeja pse një ekonomi mund të rritet në statistika, ndërsa familja ndihet më e varfër. Çfarë duhet bërë? Së pari, çdo kontratë, partneritet dhe transferim i pasurisë publike duhet të bëhet publik, së bashku me kriteret e përzgjedhjes, vlerësimin ekonomik dhe përfituesit fundorë. Së dyti, çdo shoqëri shtetërore që përdor fonde, prona apo garanci publike duhet t’i nënshtrohet kontrollit të plotë të Kuvendit, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucioneve të tjera të pavarura. Së treti, bordet dhe drejtuesit duhet të mbajnë përgjegjësi personale për çdo vendim, çdo kontratë dhe çdo euro të shpenzuar. Së katërti, duhet të rikthehet konkurrenca reale dhe e barabartë. Sipërmarrësi duhet të fitojë nga puna, ideja dhe aftësia, jo nga lidhja me pushtetin.

Ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë mbi ishuj përjashtimesh. Nuk mund të kemi një ligj për qytetarin dhe një tjetër për të privilegjuarin. Nuk mund të kërkojmë nga biznesi i vogël çdo faturë dhe çdo dokument, ndërsa miliarda euro kalojnë në struktura ku transparenca është minimale. Nuk mund të flasim për integrim europian, ndërsa krijojmë institucione që largohen nga standardet europiane të konkurrencës, kontrollit dhe llogaridhënies. Shqipëria ka nevojë për institucione që i shërbejnë publikut, jo për struktura që mbrojnë pushtetin. Ka nevojë për një ekonomi që shpërblen punën, jo afërsinë politike. Ka nevojë për një shtet që mbron taksapaguesin, jo një shtet që i kalon atij faturën e dështimeve dhe abuzimeve.

Këta tre ishuj janë vetëm pjesë e një arkipelagu shumë më të madh. Një arkipelag i ngritur mbi ligje të posaçme, kontrata të mbyllura, favore dhe mungesë kontrolli. Një arkipelag që po dëmton konkurrencën, po dobëson ekonominë dhe po rëndon jetën e çdo familjeje shqiptare. Ky sistem nuk ndryshon duke larguar disa njerëz dhe duke sjellë disa të tjerë. Duhet të ndryshojë vetë mënyra e qeverisjes. Synimi ynë nuk është zëvendësimi i një grupi me një tjetër, por qeverisja për Shqipërinë dhe për qytetarët e saj. Ky sistem duhet ndryshuar. Jo për të zëvendësuar klientët e një partie me klientët e një partie tjetër, por për t’i dhënë fund vetë klientelizmit. Jo për të ndërruar emrat mbi zyra, por për të ndryshuar rregullat brenda tyre.

Shqiptarët meritojnë një shtet që jep llogari. Meritojnë një ekonomi që punon për shumicën dhe jo për pakicën. Meritojnë që taksat e tyre të përdoren për shkolla, spitale, rrugë dhe shërbime, jo për struktura të mbyllura dhe interesa të privilegjuara. Ne do të luftojmë për ta zhbërë këtë arkipelag pandëshkueshmërie dhe për të ndërtuar një kontinent ligjsh të barabarta, institucionesh të kontrolluara dhe mundësish për të gjithë. Sepse Shqipëria nuk është pronë e pushtetit. Shqipëria është e qytetarëve të saj. Dhe ekonomia e saj duhet të punojë për shumicën, jo për pakicën.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?