SAPC i kërkon Shqipërisë shmangien e ndërhyrjeve politike në drejtësi: Të garantohet një gjyqësor plotësisht i pavarur

Pavarësia e sistemit të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe liria e medias kanë qenë në fokus të diskutimeve të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri.
Në përfundimet e takimit, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe të Kuvendit të Shqipërisë nënvizuan nevojën për vijimin e reformës në drejtësi, plotësimin e vendeve vakante dhe reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura.
Një nga çështjet e ngritura lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë e gjyqësorit dhe emërimet në sistemin e drejtësisë.
“Diskutuam nevojën për plotësimin e vendeve vakante në sistemin gjyqësor dhe reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura, si dhe rëndësinë e shmangies së çdo ndërhyrjeje politike në emërimet dhe ngritjet në detyrë në sistemin gjyqësor, duke respektuar standardet ndërkombëtare për të garantuar një gjyqësor plotësisht të pavarur dhe efikas”, thuhet në dokument.
Në fokus ishte edhe lufta kundër korrupsionit. Delegacionet vlerësuan rezultatet e arritura nga strukturat e posaçme, përfshirë SPAK-un, ndërsa theksuan nevojën për ruajtjen e pavarësisë së tyre.
“Bëmë thirrje për qëndrueshmërinë e pavarësisë së tyre”, thuhet në përfundimet e takimit, lidhur me strukturat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Eurodeputetët kërkuan gjithashtu hapa të mëtejshëm për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias, duke vënë theksin te mbrojtja e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike.
“Ramë dakord për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias në vend, përfshirë mbrojtjen e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike, pasi këto janë thelbësore për forcimin e demokracisë në Shqipëri”, thuhet në dokument.
Takimi u përqendrua edhe te procesi i integrimit evropian. Delegacionet përshëndetën hapjen e negociatave për të gjashtë grupkapitujt e acquis-së së BE-së dhe mbylljen e përkohshme të tre kapitujve.
Në përfundime evidentohet edhe objektivi i Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, ndërsa institucionet shqiptare nxiten të zbatojnë rekomandimet e Komisionit Evropian, Raportit për Shtetin e së Drejtës dhe OSBE/ODIHR-it.
Mbledhja e ardhshme e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri do të zhvillohet në Parlamentin Evropian, në pranverën e vitit të ardhshëm./ Politiko
Lexo edhe
POLITIKE
Berisha takim me eurodeputetin Marco Tarquinho: Shqipëria po përballet me pasoja të rënda nga narkoshteti

“Garanci për reformimin e shërbimit inteligjent shqiptar”, prezantimi i bujshëm i Vlora Hysenit në krye të SHISH nga kryeministri

Rama njoftoi shkarkimin e Vlora Hysenit, Bardhi: Zgjidhja është doreheqja dhe ndjekja penale e kryeministrit

Ambasada amerikane: Kur SHBA dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet janë më të sigurta

Tabaku kërkon transparencë për projektet në Zvërnec: Ligji për Investimet Strategjike duhet anuluar





