“Mbështesim protestat, ndalni dhunën ndaj qytetarëve”/ Lea Ypi ndan letrën e hapur të Diasporës Shqiptare për revoltën kundër Ramës

11 organizata shqiptare në Britani letër të hapur qeverisë: Mbështesim protestat, ndalni dhunën ndaj qytetarëve. Njëmbëdhjetë organizata dhe shoqata shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë drejtuar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare që kanë vijuar prej më shumë se një muaji dhe dënojnë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Nismës i është bashkuar edhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi, e cila e ka publikuar letrën në rrjetet sociale. Në reagimin e tyre, organizatat theksojnë se protestat paqësore përfaqësojnë një shoqëri civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar, duke i cilësuar ato si një shprehje të demokracisë në veprim dhe të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të kërkuar llogari nga institucionet.
LETRA E PLOTE:
Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,
Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.
Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.
Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.
Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.
I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:
Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;
Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;
Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;
Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.
Me respekt dhe me shpresë,
UKAP Foundation
Kosovar Albanian Youth Against Violence
British Albanian Culture & Arts Association
Edinburgh University Albanian Society
Albanian Book Lovers Culture Club
Cambridge Uni Albanian Society
LSE Albanian Society
Diasporas Speaking
UCL Albanian Society
Successful Mothers
Gjurmë Iliriane
Lexo edhe
POLITIKE
Meta: Shqipëria si bazë logjistike e trafikut ndërkombëtar të drogës, shqetësuese edhe për SHBA

Dhunimi i protestuesit në qeli, Bardhi: S’dua të besoj që mund të jetë e vërtetë, tejkalim ekstrem i çdo vije të kuqe

Auron Tare ironizon Ramën: Çuna nuk është ariu rus që na trazon pyllin, por çakejtë tanë! Faji kërkohet diku larg

Berisha: PPE mbështeti plotësisht protestën rinore qytetare për shkak të kauzës të saj të drejtë

Happy Birthday Edi Rama!





