“Mjaft është mjaft!” – Sky News: Protestat janë kthyer në revoltë ndaj Edi Ramës! Policia përdori gaz lotsjellës, sprej me piper dhe ujë me presion ndaj qytetarëve

Media britanike prestigjioze, Sky News, i ka kushtuar protestës së djeshme në Tiranë një artikull, duke u ndalur te dhuna e ushtruar ndaj protestuesve.
Të enjten, para parlamentit në Tiranë, policia përdori gaz lotsjellës, sprej me piper dhe topa uji kundër demonstruesve, pasi disa protestues hodhën gurë, vezë dhe shishe plastike.
Autoritetet thanë se 12 policë u plagosën dhe 18 protestues u ndaluan.
Demonstrata është pjesë e një vale protestash të përditshme të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, e cila nisi më shumë se një muaj më parë për shkak të planeve për një zhvillim luksoz në Lagunën e Nartës në bregdetin e Adriatikut.
Aktivistët thonë se projekti mund të rrezikojë habitatet e përdorura nga shpendët shtegtarë të mbrojtur, përfshirë flamingot.
Por protestat janë zgjeruar dhe tashmë janë kthyer në demonstrata më të gjera kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij socialiste.
Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë javët e fundit, duke u fryrë bilbilave dhe duke mbajtur figura flamingosh prej kartoni.
Të enjten, disa qindra protestues u mblodhën para parlamentit shqiptar, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe duke brohoritur: “Rama duhet të shkojë në burg.”
Disa demonstrues përdorën një pjesë të një barriere metalike për të thyer xhamat e një makine policie, përpara se policia të ndërhynte për të shpërndarë turmën.
Protestuesja Agustela Thoma tha: “Protestuesit duan që zëri i tyre të dëgjohet brenda parlamentit, sepse kryeministri për kaq shumë ditë nuk i ka dëgjuar dhe i ka injoruar.”
Qeveria shqiptare thotë se resorti do të ishte një projekt transformues për vendin ish-komunist, ndërsa Shqipëria përpiqet të zhvillojë turizmin luksoz dhe të avancojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, projekti, që përfshin një ishull të braktisur dhe një pjesë të vijës bregdetare aty pranë, ka hasur kundërshtim të fortë nga grupet mjedisore dhe nga kritikët e qeverisë Rama.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dënoi “aktet e vandalizmit dhe dhunës kriminale” ndaj policisë.
Ai shtoi: “Policët janë shërbyes publikë, qytetarë të Republikës dhe anëtarë familjesh si të gjithë të tjerët.”
“Ata i shërbejnë ligjit, rendit publik dhe sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj shtetit.”
Lexo edhe
POLITIKE
Edi Rama sulmon sërish protestuesit: Nën koren e zezë ku janë mbledhur dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë ka dhe ujë të pastër!...

Kryeministri Rama mbyll komentet në X, frikësohet nga qytetarët

‘Spiegel’: Përshkallëzohen protestat kundër Edi Ramës, arrestime dhe të plagosur në Tiranë

France 24: Protestat janë kthyer në simbol të pakënaqësisë ndaj qeverisë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

VIDEO/ “Duhet të dalim në demonstrata që të ketë shtet”, ja çfarë deklaronte Edi Rama në vitin 2011





