“Sëmundja e pushtetit”/ Rama paralajmëron PS-në: Partitë fitojnë kur dëgjojnë, humbin kur mbyllin veshët

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, në një takim ku në fokus ka qenë organizimi i partisë dhe sfidat për fazën e re politike. Pas prezantimit të dokumentit strategjik “Besa” dhe aneksit “Prania besnike”, Rama ka sjellë në vëmendje histori të partive politike në vende të ndryshme të botës, duke analizuar arsyet që sipas tij kanë çuar forca të mëdha politike drejt dobësimit pas marrjes së pushtetit.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal te ajo që e cilësoi si “sëmundja” e partive fitimtare: largimi nga qytetarët dhe humbja e dëgjimit të bazës.
“Pesë vende, pesë parti, e njëjta sëmundje. Filluan me veshë të hapur, qeverisën me veshë të mbyllur dhe pasi u ngjitën shpejt shumë lart, ranë poshtë po aq shpejt”, tha Rama.
Si shembull solli Francën, ku sipas tij entuziazmi i qytetarëve për të qenë pjesë aktive e një lëvizjeje politike u kthye në zhgënjim kur pushteti u përqendrua vetëm në komunikimin nga lart-poshtë.
“Zgjedhësit që u entuziazmuan për të qenë bashkëautorë të lëvizjes, e gjetën veten spektatorë të një pushteti që fliste vetëm nga lart”, u shpreh kryeministri.
Rama iu referua edhe rastit të partisë spanjolle Podemos, e cila sipas tij pati një numër të madh anëtarësh në platformën digjitale, por pjesëmarrja reale në vendimmarrje rezultoi shumë më e ulët.
“Regjistrimi nuk është pjesëmarrje, një klikim nuk është angazhim dhe një turmë llogarish digjitale nuk është ende një bashkësi politike”, tha Rama.
Një tjetër rast i përmendur ishte Lëvizja 5 Yjet në Itali, e cila u rrit duke kundërshtuar partitë tradicionale, por më pas u përball me probleme të brendshme për kontrollin e platformës së saj digjitale.
“Kur filloi grindja në pushtet, partia mbeti pa asnjë kontroll mbi të dhënat e veta dhe me votime të ngrira në çastin më kritik të jetës së saj”, tha Rama.
Duke iu kthyer një modeli tjetër, kryeministri foli për partitë që qëndrojnë gjatë në pushtet, por që sipas tij dëgjojnë vetëm një pjesë të shoqërisë.
Ai solli si shembull Peronizmin në Argjentinë, ku në çdo lagje funksiononin njësi bazë që ofronin ndihmë për qytetarët në nevojë.
“Në pamje të parë tingëllon si prania besnike. Por në fakt mund të kthehet në një mekanizëm klientelist që garanton mbijetesën politike dhe shmang zgjidhjet reale”, u shpreh Rama.
Lexo edhe
POLITIKE
"Rama, jepe dorëheqjen"/ Kryeministri ironizon protestuesit: Ajo këngë më pëlqen dhe më energjizon! Nuk largohem nga detyra

"Media britanike 'zhvesh' imazhin e Ramës: Showman në samite, protesta poshtë zyrës

Rama mbledh drejtuesit politikë të PS dhe kryetarët e komisioneve: Sot do të flas për makinerinë tonë të partisë

Pas “Besës”/ Rama prezanton dokumentin “Prania Besnike”: I dedikohet vetëm Partisë Socialiste

Bëhet i gjallë Pandeli Majko, del kundër Konsullatës serbe në Shkodër





