‘Spiegel’: Përshkallëzohen protestat kundër Edi Ramës, arrestime dhe të plagosur në Tiranë

Në Tiranë, protestuesit dhe policia u përplasën me njëri-tjetrin. Zemërimi i qytetarëve tashmë shkon shumë përtej një projekti luksoz ndërtimi; gjatë rezistencës kundër qeverisë pati arrestime dhe të plagosur.
Në Shqipëri po përshkallëzohen protestat kundër një projekti ndërtimi të familjes Trump: kundërshtarët e kompleksit luksoz të planifikuar në një zonë të mbrojtur natyrore u përplasën me policinë në kryeqytetin Tiranë. Protestuesit u përpoqën të bllokonin ndërtesën e Parlamentit dhe hodhën vezë dhe miell ndaj policëve, raportuan mediat shqiptare. Forcat e rendit përdorën automjete me ujë nën presion dhe sprej me piper për të shpërndarë turmën. U kryen arrestime dhe disa persona mbetën të plagosur.
Protesta ishte drejtuar kundër planit për ndërtimin në një pjesë të lagunës së Nartës, në deltën e lumit Vjosa, nga investitorë amerikanë. Projekti udhëhiqet nga një kompani e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Në gjirin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit planifikohet ndërtimi i hoteleve luksoze, komplekseve me vila dhe objekteve rekreative.
Mbrojtësit e mjedisit druhen se ky projekt mund të dëmtojë në mënyrë të parikuperueshme ekosistemin e ndjeshëm të deltës së Vjosës në Adriatik. Aty ndodhen zona pushimi dhe shumimi për flamingot, çafkat dhe shumë lloje të tjera shpendësh. Për këtë arsye, prej më shumë se një muaji, mijëra njerëz protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë. Mediat e kanë quajtur këtë lëvizje “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa flamingot janë bërë simboli i saj.
Protesta e së enjtes u zhvillua për herë të parë gjatë ditës dhe kishte si synim bllokimin e Parlamentit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ATA, duke cituar policinë, 18 persona u ndaluan përkohësisht. Gjithashtu, 15 policë dhe 4 protestues u dërguan në spital për shkak të lëndimeve.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata dyshojnë se këmbëngulja e tij për realizimin e projektit lidhet me korrupsionin. Politikani socialist, rreth dy vjet më parë, zbuti ligjin për zonat e mbrojtura, duke bërë të mundur që delta e Vjosës të hapet për turizmin luksoz.
Nga ana tjetër, Rama pretendon se ende nuk është dhënë leja e ndërtimit. Megjithatë, në fund të muajit maj, makineritë e ndërtimit u shfaqën në terrenin e parashikuar për projektin, gjë që shkaktoi valën e protestave që vazhdon edhe sot.
Lexo edhe
POLITIKE
France 24: Protestat janë kthyer në simbol të pakënaqësisë ndaj qeverisë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

VIDEO/ “Duhet të dalim në demonstrata që të ketë shtet”, ja çfarë deklaronte Edi Rama në vitin 2011

Protesta qytetare kundër Ramës, France 24: Tubimet janë kthyer në simbol të pakënaqësisë ndaj qeverisë, kërkohet dorëheqja e kryeministri...

Sot do të mbahet protesta e 34-të, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama: Jep dorëheqjen!

DW: Policia shqiptare përdor gaz lotsjellës në tubimin 'Revolucioni i Flamingos'





