Aksident tragjik në Francë, vdesin producenti Nicolas Altmayer dhe drejtuesja e Dior, Mathilde Favier

Bota franceze e filmit dhe modës është tronditur nga një aksident tragjik, ku kanë humbur jetën producenti i njohur i kinemasë, Nicolas Altmayer, dhe partnerja e tij, Mathilde Favier, drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Dior Couture.
Çifti ndërroi jetë të hënën pasdite, më 17 gusht, në një aksident automobilistik në Francë. Sipas informacioneve të bëra publike nga zyra e prokurorit të Niort dhe të raportuara nga Le Figaro, automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion që vinte në drejtim të kundërt.
Kush ishte Nicolas Altmayer?
Nicolas Altmayer ishte 61 vjeç dhe baba i katër fëmijëve. Së bashku me vëllain e tij, Eric Altmayer, ai drejtonte kompaninë e prodhimit Mandarin, duke u bërë një prej figurave të rëndësishme të industrisë franceze të filmit dhe televizionit.
Edhe pse preferonte të qëndronte larg vëmendjes së publikut, Altmayer kishte financuar dhe prodhuar një sërë filmash të suksesshëm, mes tyre “Brice de Nice” dhe “OSS 117”, si dhe vepra të regjisorit François Ozon.
Ai bashkëpunoi gjithashtu në disa projekte filmike me Grand Corps Malade, përfshirë “Patients”, “Monsieur Aznavour” dhe “La Vie scolaire”, si dhe me vëllezërit Fenkinos dhe Rime Kerissi në filmat “Jour J” dhe “Chien et Chat”.
Në karrierën e tij përfshihet edhe filmi “Saint Laurent”, i regjisorit Bertrand Bonello, i cili u përzgjodh për të përfaqësuar Francën në garën për çmimin Oscar.
Altmayer ishte një emër i rëndësishëm edhe në televizion dhe platformat e transmetimit. Ai ishte producent i serialit “Cœur Noir” për Prime Video, si dhe i projekteve të regjisorit Franck Gastambide, përfshirë serialet “Validé” dhe “La Cage”.
Pas lajmit për vdekjen e tij, Gastambide e përshkroi Altmayer si personin që besoi i pari tek ai dhe i dha mbështetje në fillimet e karrierës së tij.
Mathilde Favier, një figurë e njohur e modës franceze
Mathilde Favier ishte 56 vjeç, nënë e dy fëmijëve dhe një prej figurave më të njohura në marrëdhëniet me publikun në industrinë franceze të modës.
Si drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun të Dior Couture, ajo ishte përgjegjëse për marrëdhëniet e shtëpisë së modës me personazhe të famshme nga e gjithë bota për më shumë se një dekadë. Përpara se t’i bashkohej Dior, Favier kishte punuar për 11 vjet në Prada, ndërsa karrierën e kishte nisur në revistën Glamour.
Gjatë viteve të punës në industrinë e modës, ajo kishte bashkëpunuar me disa prej emrave më të mëdhenj të Hollivudit, mes tyre Michelle Yeoh, Charlize Theron, Jennifer Lawrence dhe Anya Taylor-Joy. Favier ishte gjithashtu autore e librit “Mathilde à Paris”, ku prezantonte këndvështrimin e saj mbi estetikën, bukurinë dhe mirëqenien pariziene.
Ajo kishte themeluar gjithashtu organizatën “Esthétique & Cancer”, e cila synonte të mbështeste njerëzit që përballeshin me kancerin dhe t’i ndihmonte ata të forconin vetëbesimin përmes kujdesit dhe bukurisë. Favier kishte folur publikisht edhe për betejën e saj me kancerin e gjirit.
Lexo edhe
SHOWBIZ
Chiara Ferragni e shfaq hapur romancën, fotot intime me partnerin bëjnë xhiron e rrjetit

Tërmeti në Kolumbi shkatërroi rreth 200 shkolla/ Shakira siguron fondin prej 1 milion eurosh

“Mbase gënjeva”/ Neda Balluku rrëfen të vërtetën pas imazhit të martesës perfekte: Kisha nevojë ta besoja edhe vetë

Vrasja e Tupac shkon në gjyq 30 vite pas atentatit: Ishte përplasje mes bandave

Kaia Gerber zbulon historinë e pazakontë nga fëmijëria: Më thanë se isha e pushtuar nga...





