Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Grabitja e Pronave, tenderat në Ukrainë zbulojnë skemën Rama-Yeffet Skema KAYO u kopjua nga Nigeria, si mashtroi shqiptarët ministri Ermal Nufi Studentët ndryshojnë strategji, protestë kombëtare dy herë në javë. Ja ditët dhe ora  ‘Lironi qyetarët, arrestoni Ramën’/ Protestuesit thirrje para Drejtorisë së Policisë së Tiranës pas arrest... “Diçka është kalbur në shtetin shqiptar”/ Me flamuj dhe pankarta, shqiptarët e presin Ramën me protesta në ... BE nxjerr bllof Ramën për protestat/ Nuk i organizon Rusia apo Irani, por reagim ndaj korrupsionit dhe keqq... Humbja katastrofike në zgjedhje/ Kë do të bëjë “kurban” Donald Trump? Emri që përflitet më së shumti ... Tjetërsimi i tokave në Dhërmi, GJKKO e njeh si “viktimë” kompaninë e Gaçit Prapaskenat në Bruksel/ Rama tentoi fshirjen e “paragrafit Balluku” nga raporti i BE-së Veliaj mesazh të fortë Ramës: Edhe në Spaç të më çosh, nuk shantazhohem, ke larguar socialistët dhe ke vënë... “Mos i prek gocat! Terroristë!”/ Tensionet para Kryeministrisë, qytetarët bllokojnë furgonin e policisë, ef... Shpërthimi në pallatin 5-katësh në Elbasan, identifikohet viktima! Mister fati i 69-vjeçarit të mbetur mes ...
SHOWBIZ

Sot 64 vite nga fikja e një ylli, nga vdekja që ndaloi kohën, sekretet që mori me vete në amshim Marilyn Monroe

P
Piranjat 5 August 2026, 15:00 · 5 min lexim
Sot 64 vite nga fikja e një ylli, nga vdekja që ndaloi kohën,

Një vdekje e denjë për mistikën e një ikonë si Marilyn Monroe, e papritur, e errët dhe e veshur me velin e pluhurt të sekreteve. Një fund që la pas më shumë pyetje se përgjigje, duke mbjellë dekada me trille, hipoteza dhe teori konspirative që nuk u zbehën kurrë. Edhe në panoramën e saj mortore, ajo vdekje ruajti një shkëlqim të ftohtë e të magjishëm. Kishte ikur Marilyn Monroe. Ishte rrëzuar një nga mitet më të qëndrueshme të shekullit të XX; ishte shuar një yll që nuk thjesht ndriçoi, por dogji qiellin llamburitës të botës së ëndrrave amerikane.

Ajo ndoshta nuk ishte më e bukura sipas kanoneve klasike, por çdo bukuri tjetër zbehej e bëhej e papërfillshme përpara shpërthimit të saj magnetik. Nuk mund të thuash me siguri se ishte më sensualja në atë galeri të pafundme femrash sharmante, por zotëronte një alkimi të panjohur, një miks pafajësie fëmijërore dhe erotizmi absolut, që arriti të dalldisë e të nënshtrojë burrat më të pushtetshëm, më të mençur e më të famshëm të kohës.

Më 5 gusht të vitit 1962, trupi i saj u gjend i pajetë në dhomën e gjumit në shtëpinë e saj në Brentwood, Los Angeles. Ora kishte ndalur për gruan që mbante ritmin e zemrës së një kombi. Pavarësisht versionit zyrtar të mjekësisë ligjore që e cilësoi si “vetëvrasje të mundshme” nga mbidoza e barbiturikeve, vdekja e saj mbeti në kryelistën e enigmave të mëdha botërore. Mjegullnaja e dyshimeve nuk u tret kurrë. Ajo vazhdoi të ishte një vdekje e trazuar, e minuar nga hamendësimet, e rrethuar nga hijet e CIA-s, FBI-së dhe oborrit politik të Uashingtonit.

Marilyn Monroe ishte dhe mbeti emblema e patjetërsueshme e kinematografisë botërore.

Ishte femra që bëri të përvëlohen në ethet e dëshirimeve miliona meshkuj e të frymëzohen miliona femra.

Ishte simboli absolut i gruas së viteve ’50 , e përkëdhelura e fatit dhe e famës, por njëkohësisht edhe e ndëshkuara e madhe e atij shkëlqimi të paimagjinueshëm. Pashmangshmëria e bukurisë, eleganca spontane dhe miklimi i saj magjepsës dalldisën nga vëllezërit Kennedy te Frank Sinatra, nga romantizmi i Joe DiMaggio-s te thellësia intelektuale e Arthur Miller-it. Guximi i saj për të sfiduar tabutë, i ndërthurur me një pafajësi pothuajse prekëse, e bëri imazhin e saj edhe më të adhurueshëm. Por ishin edhe linjat e saj trupore, shëmbëllim i një perfeksioni fizik e me dritë të brendshme, që i dhuruan përgjithmonë kurorën e ikonës së bukurisë artistike.

Prapa buzëqeshjes platinate të Marilyn-ës, fshihej përherë brishtësia e pambojtur e Norma Jeane Mortensonit, vajzës jetime që kërkoi dashuri në sytë e të gjithë botës, por gjeti vetëm dritat e ftohta të projektorëve. Të gjithë donin pjesën e tyre nga “Marilyn”, por pothuajse askush nuk u ndal të kuptonte Norma Jeane-in.

Ndoshta i gjithë ky shpërthim drite ishte i destinuar të sakrifikonte vetë burimin; të flijonte mbi altarin e mistikës jo thjesht një qenie fizike, por emrin, famën dhe mitin, rreth të cilit u thurën interest e pushtetit politik, financiar dhe mediatik në Amerikë. Ajo u bë kurban i idhullit që krijoi vetë.

Sot, 64 vite nga ajo e diel tragjike e gushtit, Marilyn Monroe vazhdon të mbetet një prani hipnotizuese. Koha nuk e plak stop-kaadrin e saj; vitet vetëm sa i shtonjë patinë legjendës. Ajo mbetet figura më e rëndësishme, më e kopjuar dhe më e padeshifrueshme që ka parë ndonjëherë ekrani dhe kultura popullore.

Ajo iku herët, në kulmin e rrezatimit të saj, për të lënë pas një mjegullnajë të dendur dyshimesh, aludimesh dhe vramendjesh. Iku e re, duke mbetur e re përgjithmonë. Ajo vdiq në mister, duke fituar mbi kohën, sepse nëse jetës i dha gjithçka, nga vdekja fitoi përjetësinë.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

SHOWBIZ

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.