Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
“Papaqёt” me indianё pushtojnё rrugёt e Tiranёs: sulmi i njё ushtrie qё po sundon kryeqytetin Hetimet për “Albanian Files”, Zhupa: Të zbardhen projektet dhe lidhjet me investitorët Banorët e Moravës, dhjetëra herë të përmbytur, asnjëherë të dëmshpërblyer: Na duan vetëm kur ka zgjedhje... Shoqërohen 12 protestues, gjobiten 10 të tjerë Sánchez para zgjedhjeve: Spanja nuk qeveriset nga Uashingtoni apo Tel Avivi, por nga spanjollët Paditë që synojnë të heshtin median, studimi evidenton problematikat në gjykatat shqiptare Rritje ekonomike pa prodhim, ndërtimi dhe tregtia mbajnë ekonominë shqiptare Horoskopi/ Nga Puna tek Dashuria, java mbyllet plot aventura për këto shenja "Salillari", kompania me arkëtimet më të larta nga Thesari i Shtetit në 15 vitet e fundit Rënie temperaturash dhe reshje shiu,ja si parashikohet moti këtë të diel VIDEO-Skandali/ Policia shoqëron gazetarin holandez që denoncoi 'Albania Files'. Aktivistes që i filmoi i h... Eisenkoti merr mandatin, Netanyahu kërkon qeveri të unitetit kombëtar/ Prapaskenat e negociatave në Izrael ...
SOCIALE

100 vjet larg Europës” – Shqipëria në pritje të pafundme për standardet e BE-së

P
Piranjat 8 November 2025, 09:30 · 5 min lexim
100 vjet larg Europës” – Shqipëria në pritje të

Shqipërisë do t’i duhen edhe 100 vjet të tjera të arrijë standardet e Bashkimit Europian për varfërinë, gjatësinë e rrugëve, mjedis, apo kapacitetet e energjisë. Vendi ynë synon të bëhet anëtar i BE-së brenda katër viteve të ardhshme, por nga 40 tregues kryesorë socialë, ekonomikë, në 14 prej tyre, ose 35% e totalit, Shqipëria po bën hapa pas për të arritur standardet e Unionit. Në 4 tregues e kemi arritur standardin dhe në 22 të tjerë duhen dekada dhe madje më shumë se një shekull, përllogarit Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare, i cili ka ndërtuar platformën e konvergjencës të rajonit me BE. Platforma tregon se sa vite i duhen secilit prej 6 vendeve të arrijnë standardet e BE-së në 8 drejtime kryesore dhe 40 nënfusha. Ekspertët pohojnë se anëtarësimi në BE, pa u afruar me standardet, rrezikon të thellojë plagën emigracionit

Teksa Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, vendit i duhen dekada, madje në drejtimet kryesore, arsim, shëndetësi dhe qeverisje po bëhen hapa pas, duke thelluar më tej hendekun, në vend që ta ngushtonim.

 

 

Ndryshe nga shtetet e pjesës lindore të Europës, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë përparuar njësoj në ekonomi, demokraci, qeverisje dhe infrastrukturë. Diku regjimet autokratike dhe diku luftërat pas viteve 1990 kanë lënë pasoja që ende nuk po kapërcehen.

 

Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare (WIIW) ka ndërtuar platformën e konvergjencës, e cila tregon se sa vite i duhen secilit prej 6 vendeve të arrijnë standardet e BE-së në 8 drejtime kryesore dhe 40 nënfusha.

Duke analizuar secilin nga komponentët shihet se në 14 fusha, Shqipëria po bën hapa pas, në 4 prej tyre ka arritur standardet dhe në 22 të tjera duhen dekada deri mbi 100 vite për të arritur BE.

Anëtarësimi në BE pa arritur standardet rrezikon të thellojë më tej plagën e migracionit, thotë Selami Xhepa, Ekspert i Ekonomisë. Sipas tij, përvojat e anëtarëve më të rinj të BE tregojnë për valë emigracioni, të cilat stimulohen nga lëvizja e lirë dhe hendeku i thellë i nivelit të jetesës.

Pavarësisht efekteve pozitive dhe negative që ka anëtarësimi në BE, qytetarët dhe bizneset shqiptare e dëshirojnë më shumë se çdo vend tjetër. Barometri i Ballkanit 2024 evidentoi se 77% e qytetarëve shqiptarë mbështesin integrimin e plotë të vendit në BE, niveli më i lartë nga 6 vendet.

Shqipëria po bën hapa pas në një të tretën e fushave

Procesi i konvergjencës së Shqipërisë me Bashkimin Europian po përballet me pengesa serioze në 14 fusha kyçe nga 40 në total, ose 35% e tyre, sipas të dhënave nga platforma Converge2.eu.

Të klasifikuara si divergjencë “diverging”, këto fusha përfshijnë pensionet mesatare, hendekun gjinor në punësim, si dhe shpenzimet publike për shëndetësi dhe arsim, që mbeten dukshëm nën nivelin e vendeve të BE-së. Po ashtu, jeta e qytetarëve shqiptarë reflekton një mungesë përmirësimi në jetëgjatësi, numrin e mjekëve për banor dhe rezultatet në testin ndërkombëtar PISA, që masin cilësinë e arsimit.

Në fushën e mjedisit dhe energjisë, Shqipëria po largohet nga BE në tregues si intensiteti i karbonit dhe riciklimi i mbetjeve, duke treguar se rritja ekonomike nuk po shoqërohet me politika të gjelbra.

Në aspektin e qeverisjes dhe institucioneve, tre tregues të rëndësishëm si llogaridhënia, stabiliteti politik dhe cilësia rregullatore kanë regjistruar prirje negative. Kjo tregon dobësim të perceptimit për qeverisjen demokratike dhe të kapacitetit institucional për reforma.

Në sektorin e ekonomisë dhe infrastrukturës, eksportet e shërbimeve ICT dhe rrjeti hekurudhor janë dy fusha të tjera ku hendeku me BE-në është zgjeruar.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka përparuar në disa tregues makroekonomikë dhe digjitalizim, por po humbet terren në indikatorët që lidhen me cilësinë e jetës, qeverisjen dhe kapitalin njerëzor, elemente thelbësore për konvergjencën reale me Bashkimin Europian.

Në masat kryesore që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës, Shqipëria po zgjeron më tej hendekun me BE-në, në vend që ta ngushtojë. Ky është zhvillimi më i rrezikshëm për qëndrueshmërinë e popullsisë së vendit.

Blerina Hoxha

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

SOCIALE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.