A duhet t’i besoni ChatGPT Health? Ja çfarë tregon studimi i fundit!

OpenIA ka prezantuar së fundmi ChatGPT Health, një version të ri të chatbot-it të fokusuar në këshilla shëndetësore.
Por sipas një studimi të publikuar javën e kaluar në revistën shkencore ''Natyre Medicine'', ky sistem ka nënvlerësuar shpesh seriozitetin e rasteve urgjente mjekësore.
Gjetjet kanë ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e inteligjencës artificiale në vendimmarrje që lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe shëndetin e pacientëve, duke theksuar nevojën për kujdes dhe testime më të thelluara përpara përdorimit të gjerë të saj në praktikën mjekësore.
Në studim, studiuesit testuan aftësinë e ChatGPT Health për të bërë triazhimin, pra për të vlerësuar sa serioze është një gjendje mjekësore, bazuar në skenarë nga jeta reale.
Studime të mëparshme kanë treguar se ChatGPT mund të kalojë provime mjekësore, dhe pothuajse dy të tretat e mjekëve raportuan se përdorën një formë të inteligjencës artificiale në vitin 2024. Por kërkime të tjera kanë treguar se chatbot-ët, përfshirë ChatGPT, nuk japin gjithmonë këshilla mjekësore të besueshme.
ChatGPT Health është i ndarë nga versioni i përgjithshëm i ChatGPT i krijuar nga OpenAI. Programi është falas, por përdoruesit duhet të regjistrohen veçmas për ta përdorur dhe aktualisht ka një listë pritjeje. OpenAI thotë se ChatGPT Health përdor një platformë më të sigurt, në mënyrë që përdoruesit të mund të ngarkojnë informacionin e tyre mjekësor personal në mënyrë të sigurt.
Mbi 40 milionë njerëz në mbarë botën përdorin ChatGPT për pyetje rreth kujdesit shëndetësor, dhe afro 2 milionë mesazhe në javë lidhen me sigurimet shëndetësore, sipas OpenAI. Në përshkrimin e detajuar në faqen e saj, OpenAI thekson se ChatGPT Health “nuk është i destinuar për diagnozë apo trajtim.”
Në studim, studiuesit i dhanë ChatGPT Health 60 skenarë mjekësorë. Përgjigjet e chatbot-it u krahasuan me përgjigjet e tre mjekëve, të cilët i vlerësuan rastet sipas udhëzimeve mjekësore dhe përvojës klinike.
Secili skenar kishte 16 variante, duke ndryshuar elementë si raca apo gjinia e pacientit. Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Ashwin Ramaswamy nga The Mount Sinai Hospital në New York, këto ndryshime ishin bërë për të prodhuar të njëjtin rezultat. Studimi nuk gjeti dallime të rëndësishme bazuar në ndryshimet demografike.
Studiuesit zbuluan se ChatGPT Health “nën-vlerësoi” 51.6% të rasteve emergjente. Pra, në vend që të rekomandonte shkuarjen menjëherë në urgjencë, sugjeroi vizitë te mjeku brenda 24–48 orëve.
Rastet emergjente përfshinin një pacient me një komplikacion kërcënues për jetën nga diabeti (ketoacidozë diabetike) dhe një pacient me dështim të frymëmarrjes. Të dyja, nëse nuk trajtohen, mund të çojnë në vdekje.
Sipas Ramaswamy, çdo mjek do të thoshte se këta pacientë duhet të shkojnë menjëherë në urgjencë. Ai shtoi se në disa raste, si dështimi i afërt i frymëmarrjes, chatbot-i dukej sikur “priste që urgjenca të bëhej e pamohueshme” para se të rekomandonte urgjencën.
Ndërkohë, raste si goditja në tru (stroke), me simptoma të qarta, u vlerësuan saktë 100% të kohës.
Një zëdhënës i OpenAI tha se kompania e mirëpret kërkimin mbi përdorimin e AI në shëndetësi, por se studimi nuk pasqyron mënyrën tipike të përdorimit të ChatGPT Health. Sipas tij, chatbot-i është krijuar që përdoruesit të bëjnë pyetje shtesë për të dhënë më shumë kontekst, jo për t’u përgjigjur me një përgjigje të vetme për një skenar mjekësor.
Aktualisht, ChatGPT Health është i disponueshëm vetëm për një numër të kufizuar përdoruesish, dhe OpenAI po punon për të përmirësuar sigurinë dhe besueshmërinë para se ta bëjë më të përhapur.
Krahasuar me mjekët, chatbot-i gjithashtu “mbi-vlerësoi” 64.8% të rasteve jo urgjente, duke rekomanduar vizitë te mjeku kur nuk ishte e nevojshme. Për shembull, një pacient me dhimbje fyti prej tre ditësh u këshillua të vizitonte mjekun brenda 24–48 orëve, ndërkohë që kujdesi në shtëpi ishte i mjaftueshëm.
Në rastet me mendime vetëvrasëse ose vetëlëndim, përgjigjet e chatbot-it ishin të paqëndrueshme. Kur një përdorues shpreh qëllim vetëvrasës, ChatGPT duhet ta drejtojë atë te linja e ndihmës 988 për krizë dhe vetëvrasje. Megjithatë, studimi gjeti se në disa raste chatbot-i e rekomandoi 988 kur nuk ishte e nevojshme, dhe në raste të tjera nuk e rekomandoi kur duhej.
Ekspertë të tjerë theksuan se nevojiten më shumë testime para se chatbot-ët të përdoren për vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve.
Sipas studiuesve, megjithëse AI mund të jetë e dobishme dhe e lehtë për t’u përdorur, ajo nuk duhet të zëvendësojë mjekun. Modelet e gjuhës mund të priren të pajtohen me përdoruesin edhe kur ai gabon, duke forcuar keqkuptime.
Përfundimi i tyre: AI nuk duhet përdorur si mbështetje e vetme në raste urgjente. Bashkëpunimi mes teknologjisë dhe sistemit shëndetësor është thelbësor për të krijuar produkte më të sigurta në të ardhmen./Përktheu Piranjat News
Lexo edhe
SOCIALE
Lufta prek naftën në Shqipëri/ Rritet lehtë çmimi, ekspertët kërkojnë ulje të taksave dhe fiksim të çmimit si në Kosovë

Ilaçe si Ozempic mund të rrisin me 30% rrezikun për dobësim të fshehtë të kockave

Bizneset shtojnë kursimet pas festave, individët jo!

Lumi Ishëm kthehet në kosh mbeturinash në mes të Fushë Krujës (VIDEO)

Fatkeqësitë natyrore, Shqipëria me sigurim minimal, vetëm 10 euro për frymë





