Akuzat e prindërve të 15-vjeçarit që u godit me thikë, reagon Spitali i Durrësit

Spitali i Durrësit reagoi pas qarkullimit të lajmit se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në sallën e operacionit për 15-vjeçarin që u godit me thikë pati ndërprerje energjie.
Sipas spitalit, pretendimet e të afërmve nuk janë të vërteta sepse gjatë operacionit është ndezur gjeneratori. Pas operacionit, Spitali i Durrësit doli me një postim duke e konsideruar sukses ndërhyrjen fatale, postim i cili nuk gjendet më në këtë faqe.
"...U fut menjëherë në sallë dhe ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje të vështirë, ku u menaxhuan dëmtimet jetike dhe u rikthye stabiliteti hemodinamik. Reagim i shpejtë, i pastër, pa humbur asnjë minutë.
Mirënjohje për kirurgët F. Shini dhe E. Demiraj, si dhe për anestezistin A. Banushi, që e çuan rastin drejt suksesit me profesionalizëm dhe qetësi operative. Pacienti aktualisht po trajtohet në Reanimacion në gjendje të stabilizuar”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e spitalit i cili rezulton i fshirë pas vdekjes së 15 vjeçarit.
Deklarata për mediat e spitalit:
Spitali Rajonal Durrës
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.
Lexo edhe
SOCIALE
“Shëndetësia falas” e Ramës! Denoncimi: Vëllai im vdiq në spitalin e Durrësit, infermierët kërkonin para

Banorët e Qinamit në Kolonjë kundër parkut fotovoltaik: Do marrim armët kur të vijnë për të na marrë kullotat

Alarm ekonomik: Shqipëria drejt rënies së punësimit dhe pagave deri në 2030

AKU kthen mbrapsht në Serbi rreth 51 ton misër. Ja çfarë u konstatua

“Heshtje totale nga Ministria e Kulturës”, Tare: Ku përfunduan 6.2 milionë eurot e BE-së për Bylisin?





