Paralajmërimi i BSH, e ardhmja e Shqipërisë kërcënohet nga emigrimi!

E ardhmja e Shqipërisë kërcënohet nga emigrimi! Plakja e popullsisë dhe emigrimi i fuqisë punëtore janë rreziqe për potencialet e rritjes ekonomike të vendit. Shqetësimin e ngriti sërish guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
“Zhvillimet demografike jo të favorshme dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës po e bëjnë mjedisin ekonomik më të ndërlikuar. Të gjitha këto trende po i vendosin sistemet financiare dhe politikat monetare e ekonomike përballë sfidave të reja dhe risive komplekse, të cilat kërkojnë analiza të thelluara, kuptim më të mirë të veprimeve ndërsektoriale dhe vendimmarrje të bazuar në prova e rigorozitet shkencor”, tha Sejko.
Nga Workshop-i e 19-të i Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, Sejko tregoi edhe faktorët e tjerë të jashtëm që kërcënohen të ardhmen e vendit. “Pasiguritë globale si pasojë e tensioneve gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve vazhdojnë të ndikojnë pritshmëritë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet tregtare të vendit.
Njëkohësisht, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike e private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje të strukturës së prodhimit. Nga ana tjetër, ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës së punës, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore, duke ndikuar në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike”, tha Sejko.
Ndaj është urgjente të lëvizet në drejtim të politikave që e konsiderojnë individin si kapitalin më të çmuar të shoqërisë. “Në këtë mjedis të ri, gati të paparashikueshëm, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik është një sfidë më vete, e cila kërkon politika të kujdesshme monetare e fiskale, rritje të efikasitetit të tregjeve financiare dhe zhvillim të mëtejshëm të tyre. Në këtë kontekst, nevojiten reforma të rëndësishme transformuese për të rritur produktivitetin përmes: inovacionit, investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit, rritjes së konkurrencës”.
Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike të vazhdojë me ritme solide, e nxitur nga turizmi dhe investimet.
Lexo edhe
SOCIALE
Paga minimale është dyfishuar por Shqipëria mbetet e fundit në rajon

'55% e shqiptarëve s’e mbyllin dot muajin'/ Azo: Familjet shqiptare përballen me shpenzime që tejkalojnë të ardhurat

“Ata janë mafiozë, më vrasin nëse denoncoj”, rrëfimi i fortë: Ku përfundojnë mbetjet e rrezikshme spitalore

Paqja fiskale! Qeveria “hedh në kosh" 507 mln € borxhe të papaguara

Qeveria e çon Buxheti 2026 në Kuvend pa Paketën Fiskale





