Anglia i kërkon FIFA-s të hetojë Argjentinën për pankartën mbi Ishujt Falkland

Qeveria britanike i kërkoi sot FIFA-s, të nisë një hetim ndaj ekipit kombëtar të Argjentinës, pasi lojtarët argjentinas u fotografuan duke mbajtur një pankartë ku pretendohej sovraniteti mbi Ishujt e diskutuar Falkland, sipas AP.
Argjentina mundi Anglinë me rezultatin 2-1 në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, të zhvilluar dje në Atlanta.
Pas përfundimit të ndeshjes, gjatë festimeve, disa lojtarë argjentinas morën nga tifozët në tribuna, një pankartë ku shkruhej: “Las Malvinas son Argentinas” – që do të thotë “Malvinat janë argjentinase”.
Argjentina i quan këta ishuj, “Ishujt Malvina”, ndërsa Britania e Madhe i njeh si Ishujt Falkland.
Këto territore janë objekt i një konflikti të gjatë mes dy vendeve. Në vitin 1982, Argjentina i pushtoi ishujt, gjatë regjimit të atëhershëm ushtarak, duke shkaktuar një luftë 10-javore me Britaninë e Madhe, e cila përfundoi me fitoren e kësaj të fundit.
Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle tha se veprimi i lojtarëve, ishte “krejtësisht i papërshtatshëm” dhe shtoi se pret që FIFA ta hetojë çështjen me kujdes.
Sipas rregullave disiplinore të FIFA-s, organizata mund të ndëshkojë lojtarët argjentinas ose federatën e futbollit të Argjentinës, pasi ndalohet shfaqja në stadium, e çdo mesazhi që nuk lidhet me natyrën sportive të aktivitetit, përfshirë mesazhe me karakter politik, ideologjik, fetar ose fyes.
Për shfaqje të tilla politike, FIFA parashikon gjoba nga 5 -20 mijë dollarë.
FIFA nuk ka bërë ende një koment zyrtar për këtë çështje.
Nuk është hera e parë që, FIFA përballet me një rast të tillë. Në vitin 2014, nën drejtimin e mëparshëm të organizatës, një futbollist i Koresë së Jugut, u pezullua për dy ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës, pasi ngriti një pankartë, me një pretendim territorial ndaj Japonisë gjatë Lojërave Olimpike të Londrës 2012. Pankarta shkruante: “Dokdo është territori ynë”.
Lojtari argjentinas Lisandro Martínez, i cili luan prej katër vitesh në Angli me klubin Manchester United, tha se shfaqja e pankartës kishte shkaktuar emocione të forta.
Lexo edhe
SPORT
Botërori 2026, sa ndeshje të vendosura me përmbysje dhe gola në minutat shtesë

Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë

Messi e Yamal, “fati i shkruar ne yje”/ Realizohet “profecia” e një seti fotografik të bërë 19 vite më parë

Kupa e Botës 2026 futet edhe në burgun famëkeq Rikers Island të Nju Jorkut…

Finalja që vlen dy trofe, Yamal dhe Messi luftojnë edhe për “Topin e Artë”





