“Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje”, FIFA i kundërpërgjigjet UEFA-s: Miratimi, vetëm me shumicë votash

FIFA ka reaguar pas kritikave të forta të UEFA-s dhe CONCACAF për projektin e ri FIFA Forward Enterprise (FFE), duke mohuar kategorikisht se synon privatizimin apo "shitjen" e futbollit.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar me titull "Sqarime mbi propozimin në lidhje me FIFA Forward Enterprise (FFE)", organizata që drejton futbollin botëror thekson se projekti është ende në fazën e konsultimeve dhe se çdo vendim do të merret vetëm me miratimin e federatave anëtare.
FIFA akuzoi gjithashtu një pjesë të mediave për raportime të pasakta, duke argumentuar se ato kanë krijuar keqkuptime rreth projektit dhe kanë dëmtuar procesin e konsultimit.
"Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje dhe FIFA nuk do ta merrte kurrë në konsideratë një gjë të tillë", thuhet në deklaratën zyrtare.
Sipas FIFA-s, nisma FFE synon t'u japë të 211 federatave kombëtare më shumë mundësi për të përfituar nga të drejtat tregtare, sponsorizimet dhe të ardhurat nga transmetimi i turneve ndërkombëtarë, pa ndryshuar strukturën qeverisëse apo pavarësinë e organizatës.
Në reagimin e saj, FIFA iu përgjigj edhe kritikave të UEFA-s, duke theksuar se asnjë konfederatë nuk mund të flasë në emër të të gjitha federatave kombëtare.
"Çdo anëtar duhet të ketë mundësinë të shqyrtojë propozimin dhe të japë mendimin e tij. Këto janë parimet demokratike të FIFA-s", vijon deklarata.
Sipas projektit, aktivitetet tregtare dhe operative të FIFA-s do të kalojnë në një kompani që do të kontrollohet plotësisht nga vetë organizata, ndërsa të ardhurat komerciale do të shpërndahen mes të 211 federatave anëtare për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit.
Plani parashikon gjithashtu që çdo federatë të përfitojë 20 milionë dollarë nga programi FIFA Forward gjatë periudhës 2027-2030, pavarësisht madhësisë apo peshës së saj në futbollin botëror.
Megjithatë, FIFA thekson se projekti nuk do të zbatohet pa mbështetjen e shumicës së federatave.
"Nëse nuk ka mbështetjen e shumicës së shoqatave kombëtare, aktivitetet tregtare të FIFA-s do të mbeten të pandryshuara dhe FIFA Forward Enterprise nuk do të krijohet", përfundon deklarata.
Lexo edhe
SPORT
“Ëndërroja të luaja me Messin”/ Casemiro befason tifozët e Real Madridit pas transferimit te Inter Miami

Goditje për Infantinon: Këshilltari i tij jep dorëheqjen, tri konfederata kundër planit të FIFA-s

“Jam i lumtur për ardhjen e Stones”, Chivu flet para miqësores ndaj City-t: I kënaqur me merkaton? Do përpiqemi të rrisim nivelin

Miqësore/ Partizani mund Pogradecin, suksesi i dytë radhazi për të kuqtë

Federata Angleze ashpërson dënimet për diskriminimin/ Minimumi 10 ndeshje pezullim





