Messi rikthehet në fushë pas humbjes së babait, pritet me ovacione nga i gjithë stadiumi

Lionel Messi u rikthye në fushë për Inter Miamin të mërkurën, duke u aktivizuar në pjesën e dytë të sfidës ndaj León, vetëm pak ditë pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi.
Babai i yllit argjentinas ndërroi jetë javën e kaluar në Rosario, në moshën 68-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen. Jorge Messi kishte qenë agjenti i Lionelit që prej moshës 14-vjeçare dhe e kishte shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij, përfshirë triumfin historik të Argjentinës në Kupën e Botës 2022.
Pas ceremonisë private të varrimit në Argjentinë të dielën, Messi u rikthye në Shtetet e Bashkuara dhe u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj León. Hyrja e tij në fushë u shoqërua me një ovacion të fuqishëm nga tifozët në Miami.
Inter Miami pësoi humbje 3-2 ndaj skuadrës meksikane dhe u eliminua nga Leagues Cup që në fazën e grupeve. Kjo është hera e parë që Miami eliminohet në këtë fazë që prej zgjerimit të kompeticionit në vitin 2023, vit në të cilin Messi iu bashkua klubit dhe e udhëhoqi drejt trofeut.
Messi kishte munguar në humbjen 2-1 ndaj Monterrey, por vendosi të ishte në dispozicion për sfidën vendimtare ndaj León.
Ditën e djeshme, Messi publikoi një mesazh emocional në rrjetet sociale, ku la të kuptohej se po shqyrton të ardhmen e tij në futboll. 39-vjeçari pranoi se nuk është “aspak i sigurt nëse do të vazhdojë ta bëjë këtë për shumë gjatë”.
Rikthimi i tij në fushë u vlerësua edhe nga shokët e skuadrës. Yannick Bright, autor i një prej golave të Inter Miamit, e cilësoi praninë e Messit si “të pabesueshme”.
“Kur e pashë se ishte këtu, gjithçka që mendoja ishte të jepja 150% për të. Është një situatë e vështirë. Përpiqemi të qëndrojmë pranë tij dhe ta mbështesim sa më shumë të mundemi”, tha Bright.
Lexo edhe
SPORT
Strakoshën e aktivizojnë për ta bërë hero, por në fund shkruan historinë portieri tjetër shqiptar

Gjendet i pajetë në banesën e tij ish-futbollisti Agim Bubeqi, dyshohet se kishte ndërruar jetë prej disa ditësh

PSG-Aston Villa/ Francezët e kanë shumë të lehtë, Kvaratskhelia shënon pas 20 minutash lojë

Lazio nuk përmbahet, pas Frattesit, romanët hedhin sytë nga Icardi

Zbulohet vendi ku mund të jetë martuar Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez





