Mirlind Daku largohet nga Rubin Kazan, emocionet në lamtumirën e fundit: Kjo është e vështirë për mua

Mirlind Daku ka mbyllur aventurën me Rubin Kazan pas tre sezonesh në Rusi, duke i dhënë lamtumirën skuadrës që e ndihmoi të ngjitej në një tjetër nivel në karrierë. Sulmuesi shqiptar do të vijojë rrugëtimin e tij te Spartak Moska, që ka siguruar shërbimet e tij për 11 milionë euro.
Ndarja me Rubin Kazan ishte emocionuese për Dakun, i cili pas ndeshjes ndaj Akron nuk i fshehu lotët në fushë. Sulmuesi u përshëndet me tifozët, ndërsa shokët e skuadrës e shoqëruan në momentin e fundit të tij me fanellën e Rubin.
Edhe në dhomat e zhveshjes atmosfera ishte e veçantë. Trajneri Frank Artiga i kushtoi fjalë vlerësimi futbollistit shqiptar, duke kujtuar ndikimin që ai pati në sukseset e skuadrës.
“Je një legjendë e Rubin. Ke çuar skuadrën në një nivel tjetër. Tani të gjithë thonë se Rubin është në gjendje të luftojë për një prej pesë vendeve të para”, ishte mesazhi i trajnerit për Dakun, në prani të gjithë ekipit.
Sulmuesi shqiptar u shfaq i emocionuar gjatë fjalës së lamtumirës, duke falënderuar klubin, tifozët dhe shokët e skuadrës për periudhën e kaluar në Rusi.
“Faleminderit shumë për tre sezonet që kaluam së bashku. Vija nga një ligë që nuk ishte aq e fortë sa kjo. Faleminderit të gjithë rusëve që na bënë ne të huajve të ndihemi si në shtëpi. Nuk di çfarë të them. Kjo është e vështirë për mua, por është pjesë e jetës. Është e rëndësishme të ruajmë marrëdhënien tonë”, u shpreh Daku.
Pas largimit nga Rubin Kazan, sulmuesi i Kombëtares shqiptare nis një kapitull të ri me Spartak Moskën. Klubi rus vendosi të investojë 11 milionë euro për kartonin e tij, pavarësisht kundërshtimeve të një pjese të tifozëve që kanë shprehur pakënaqësi për afrimin e lojtarëve shqiptarë.
Daku largohet nga Rubin Kazan si një nga figurat kryesore të ekipit, ndërsa tashmë sfida e radhës për të do të jetë përshtatja me fanellën e Spartakut dhe vazhdimi i paraqitjeve të mira në kampionatin rus.
Lexo edhe
SPORT
Bubista merr drejtimin e klubit maroken/ Pritet të largohet nga kombëtarja e Kepit të Gjelbër

Tifozët dhe yjet e futbollit i japin lamtumirën e fundit Franco Baresit: Mirupafshim, Kapiten!

Barça huazon portierin Ter Stegen te Ajax deri në qershor 2027

Ruben Amorim “ndez” derbin: Inter ka fituar më shumë, por Milani mbetet Milani, hapeni “Youtube” për ta konfirmuar

Vllaznia vijon përforcimet në merkato, prezantohet ish kampioni me Egnatia-n





