“Nuk ngrihej nga shtrati, nuk hante, nuk lahej”/ Dëshmia tronditëse për ditët e fundit të Maradonës

Detaje të reja po dalin nga procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Maradonës, ku shtatë anëtarë të ekipit të tij mjekësor po përballen me akuza për neglizhencë në kujdesin ndaj legjendës së futbollit argjentinas.
Në qendër të seancave të fundit ishte dëshmia e fizioterapistit dhe masazhatorit Nicolás Taffarel, i cili tregoi për gjendjen e rënduar fizike dhe emocionale të Maradonës pak para vdekjes së tij më 25 nëntor 2020.
Taffarel rrëfeu se ish-kapiteni i Argjentinës kishte humbur interesin për aktivitetet e përditshme dhe kishte refuzuar edhe kujdesin bazë personal.
“Ai nuk ngrihej nga shtrati, nuk donte të hante dhe nuk donte as të lahej”, ishte pjesë e dëshmisë së tij para gjykatës.
Sipas fizioterapistit, ai kishte paralajmëruar ekipin mjekësor për ndryshimet që kishte vënë re te Maradona dhe kishte kërkuar monitorim më të afërt, por nuk kishte parë ndërhyrje konkrete.
Gjatë seancës u paraqit edhe një mesazh audio që, sipas prokurorisë, tregon shqetësimet e ngritura nga Taffarel për gjendjen shëndetësore të ish-futbollistit.
Takimi i fundit me Maradonën
Një nga momentet më prekëse të dëshmisë ishte rrëfimi për takimin e fundit mes Taffarelit dhe Maradonës, më 24 nëntor 2020, vetëm një ditë para vdekjes së tij.
Fizioterapisti tregoi se i kishte propozuar të pinin së bashku mate, por Maradona kishte refuzuar.
Sipas tij, legjenda e futbollit i ishte përgjigjur: “Nuk dua asgjë, Taffita, mjafton”.
Kur e kishte pyetur për kuptimin e këtyre fjalëve, Maradona i ishte përgjigjur: “Asgjë… mjafton. Kaq është”.
Hetimi për orët e fundit të jetës
Prokuroria po përpiqet të përcaktojë nëse vdekja e Maradonës ishte pasojë e problemeve të tij shëndetësore apo e mangësive në kujdesin mjekësor.
Ekspertizat mjekoligjore kanë ngritur dyshime se ai mund të ketë kaluar disa orë në gjendje të rëndë para se të ndërronte jetë.
Shtatë persona nga ekipi mjekësor i tij janë në gjyq dhe rrezikojnë dënime të rënda nëse shpallen fajtorë. Ata i kanë mohuar akuzat dhe kanë mbrojtur mënyrën e trajtimit të Maradonës.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëshmi të tjera, ndërsa autoritetet kërkojnë të zbardhin rrethanat e vdekjes së një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit botëror.
Lexo edhe
SPORT
Ferran Torres drejt Parisit/ Shtohen zërat për një kalim te PSG

Real Madridi gjen tre alternativa pas dështimit me Rodrin

E priste një kontratë 5-vjeçare, dështon transferimi i Asllanit te Leipzig, zbulohet arsyeja

ZYRTARE/ La Liga, një “oaz” për Kumbullën, qendërmbrojtësi mbetet në Spanjë

Inter, çfarë po ndodh me Asllanin? Mesfushori “ngec” në Milano, mungojnë ofertat





