Revolucioni i Ançelotit për Botërorin 2030/ 10 talentet që pritet të udhëheqin Brazilin

Pas zhgënjimit në Botërorin 2026, Brazili ka nisur të shohë drejt së ardhmes dhe objektivit për të fituar yllin e gjashtë në Kupën e Botës 2030.
Trajneri Karlo Ançeloti pritet të ndërtojë një skuadër të re, duke u mbështetur te një brez lojtarësh të rinj që tashmë kanë fituar eksperiencë me kombëtaren. FIFA ka veçuar 10 futbollistë, të moshës 25 vjeç ose më të rinj, të cilët mund të kenë një rol të rëndësishëm në projektin e ri të “Seleçaos”.
Mes emrave më të spikatur është Estevao, 19-vjeçari i konsideruar një prej talenteve më të mëdha të Brazilit. Sulmuesi mund të luajë në krahun e djathtë, por edhe në qendër dhe deri tani ka shënuar pesë gola në 11 ndeshje me kombëtaren.
Në mbrojtje, vëmendja është te Vitor Reis, 20-vjeçari që spikati gjatë huazimit te Girona dhe tashmë është rikthyer te Manchester City. Ai shihet si një prej kandidatëve për të udhëhequr repartin defensiv të Brazilit në të ardhmen.
Një tjetër emër interesant është Kaiki Bruno, mbrojtësi i majtë 23-vjeçar, i cili këtë sezon do të luajë te Como. Ai konsiderohet një prej alternativave më premtuese për këtë pozicion në kombëtare.
Në krahun tjetër është Wesley, 22-vjeçari i Romës, i cili mund të luajë si mbrojtës i djathtë, por edhe në role më të avancuara. Ai tashmë ka tetë paraqitje me Brazilin dhe shihet si një prej lojtarëve të preferuar të Ançelotit.
Mesfusha mund të mbështetet te Andrey Santos, i cili së fundmi është transferuar te Manchester United. 22-vjeçari karakterizohet nga forca fizike, dinamizmi dhe aftësia për të kontribuar si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese.
Në repartin ofensiv spikat Joao Pedro, një prej mungesave më të bujshme të Brazilit në Botërorin 2026. Sulmuesi zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Chelsean, duke shënuar 20 gola, 15 prej tyre në Premier League.
Lista përfshin edhe Joao Gomes, i cili pas eksperiencës në Premier League është transferuar te Aston Villa. Mesfushori 25-vjeçar pritet të luajë një rol të rëndësishëm falë dinamizmit dhe aftësive të tij në rikuperimin e topit.
Kaio Jorge, golashënuesi më i mirë i kampionatit brazilian në vitin 2025, është një tjetër alternativë për sulmin. Ai mund të luajë si qendërsulmues klasik, por edhe në rolin e “9-shit fals”.
Vitor Roque, aktualisht pjesë e Palmeirasit, mbetet gjithashtu në planet e Brazilit. Sulmuesi ka kaluar më herët te Barcelona dhe Real Betis, ndërsa rikthimi në Brazil e ka ndihmuar të rigjejë formën.
Emri i dhjetë është Igor Jesus, i cili spikati te Nottingham Forest duke realizuar 16 gola në sezonin e tij të parë në Angli. Sulmuesi 25-vjeçar shihet si një alternativë e vlefshme për repartin ofensiv të Brazilit.
Me këtë brez të ri, Ançeloti synon të ndërtojë një Brazil më konkurrues dhe të rikthejë “Seleçaon” në elitën e futbollit botëror në Botërorin 2030.
Lexo edhe
SPORT
Arsenal nënshkruan me Bruno Guimaraes për 88 milionë euro

Ndërron jetë në moshën 68-vjeçare babai i Lionel Messit

Presidentja e Futbollit Norvegjez kërkon largimin e Infantinos: Nuk ka kthim pas për FIFA-n

Në qendër të akuzave të reja/ Pretendime për pagesa të dyshimta dhe favorizime ndaj Infantino-s

Chelsea vendos çmimin për Pedro Neton/ Man City interesohet për sulmuesin





