Tragjedia familjare e detyroi të lërë futbollin, ish-ylli i Bundesligës sot punon tokën në Majorka

Ish-mesfushori i kombëtares sllovene, Kevin Kampl, i ka dhënë fund karrierës së tij profesionale në mënyrë të papritur, për një arsye që shkon përtej fushës së blertë.
Pas ndarjes nga jeta të vëllait të tij të madh, Sekiut – i cili ishte mbështetja dhe miku i tij më i ngushtë – Kampl vendosi të varë këpucët në gozhdë për t’iu përkushtuar plotësisht familjes. Drama e tij nuk përfundoi me kaq, pasi vetëm shtatë muaj më vonë, ai humbi edhe babanë.
Ish-lojtari i njohur i Bayer Leverkusen, Borussia Dortmund dhe Leipzig ka pranuar hapur se ky ka qenë viti më i errët dhe më i vështirë i jetës së tij. “Ka qenë një vit i tmerrshëm, nuk ka fjalë të tjera për ta përshkruar. Jeta duhet të vazhdojë, ndonëse është ende shumë e vështirë të pranosh gjithçka që ka ndodhur,” – u shpreh 35-vjeçari për të përditshmen gjermane, Bild.
Për të gjetur qetësinë e munguar, Kampl është zhvendosur me bashkëshorten e tij, Vanessa, dhe dy djemtë, Jordi dhe Luis, në ishullin e Majorkës. Atje, jeta e tij ka marrë një kthesë rrënjësore. Në vend të zhurmës së stadiumeve dhe dritave të prozhektorëve, ai i kalon ditët duke punuar në fermën e tij, ku merret me kultivimin e frutave dhe perimeve.
Përmes rrjeteve sociale, Kampl ka befasuar fansat duke ndarë pamje nga jeta e tij e re rurale. Ai tregon me krenari të vjelat e tij: pjepra, shalqinj, domate, speca e qepë, ndërsa familja arrin të prodhojë edhe vajin e saj të ullirit. “Gjithçka po rritet me ritme të çmendura,” – shkruan ish-futbollisti i mrekulluar nga jeta e re.
Pavarësisht mbylljes së këtij kapitulli, futbolli mbetet një pjesë e rëndësishme e zemrës së tij. Ai ndjek rregullisht ndeshjet e Leipzig-ut, klubit ku regjistroi mbi 250 paraqitje dhe fitoi trofe, ndërsa nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në një tjetër rol. “Një ditë, do të jem trajner te Leipzig,” – deklaroi Kampl me optimizëm.
Sot, larg shkëlqimit të sportit profesionist dhe pas dy humbjeve të rënda familjare, ish-ylli i Bundesligës ka gjetur paqen aty ku pritej më pak: pranë tokës dhe njerëzve të tij më të dashur.
Lexo edhe
SPORT
Refuzohet oferta 100 milionë euro e Real Madridit, Leipzig bllokon transferimin e Diomandé

Refuzimi i Guardiolës për stolin e Italisë: Arsyeja pas vendimit të teknikut katalanas

Zyrtare, City afron mesfushorin, kushtoi miliona euro

UEFA Conference League/ Dinamo City barazon në Slloveni, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”

U ndalua për tejkalim të shpejtësisë, sulmuesi i Sassuolos rezulton pozitiv me kokainë





