Xavi zyrtarisht trajner i Holandës deri në 2030: Jemi këtu për të fituar

Xavi Hernandez është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares holandeze të futbollit. Ish-tekniku i Barcelonës u prezantua këtë të martë nga Federata Holandeze e Futbollit, me të cilën ka firmosur kontratë deri në vitin 2030.
Trajneri 46-vjeçar fitoi garën për postin përballë Reiziger, ndërsa më herët mundësia për të marrë drejtimin e Holandës ishte refuzuar nga Pep Guardiola dhe Arne Slot.
Gjatë prezantimit, Xavi u pyet edhe për faktin se nuk ishte zgjedhja e parë e federatës.
“Nuk më intereson nëse jam zgjedhja e tretë apo e 10-të. Ndihem i nderuar që jam trajner i Holandës”, u shpreh Xavi.
Ai tregoi edhe për kontaktin e parë me drejtuesin e federatës, Nigel de Jong, i cili e vizitoi në Barcelonë pasi kishte komunikuar më herët me agjentin e tij.
“Krijuam një lidhje që në momentin e parë”, u shpreh trajneri spanjoll.
Xavi e sheh aventurën e re si një mundësi për të punuar në një vend me traditë të madhe futbollistike.
“Kam shumë lidhje me këtë vend. Ndjesia që kam është se po vij te universiteti i futbollit”, tha ai.
Sa i përket mënyrës së lojës, ish-trajneri i Barcelonës bëri të qartë filozofinë që kërkon të aplikojë te Holanda: kontrollin e topit, por edhe intensitetin dhe dëshirën për të fituar.
“Dua që skuadra ime të mbajë gjithnjë topin në zotërim, por me pasion. Jemi këtu për të konkurruar, për t’u argëtuar dhe për të fituar. E përsëris, jemi këtu për të fituar”, u shpreh Xavi.
Një tjetër objektiv i tij është krijimi i një grupi të bashkuar rreth kombëtares.
“Dua që të krijoj një familje të madhe këtu”, tha ai.
Në ditët e para në detyrë, Xavi ka komunikuar edhe me disa prej liderëve të Holandës, mes tyre kapitenin Virgil van Dijk dhe Frenkie de Jong.
Për Van Dijk, trajneri i ri kërkon të kuptojë më mirë ambiciet dhe motivimin e tij, ndërsa për Frenkie de Jong pret rikthimin sa më të shpejtë në fushë.
“Frenkie është një futbollist shumë i rëndësishëm për Barcelonën dhe kombëtaren. Është i motivuar për ardhjen tonë”, u shpreh Xavi.
Me kontratë deri në vitin 2030, Xavi nis një kapitull të ri në karrierën e tij, këtë herë në stolin e një prej kombëtareve me traditën më të madhe në futbollin europian.
Lexo edhe
SPORT
Juventusi zyrtarizon transferimin e portierit polak

Asllani një hap larg transferimit në Lindjen e Mesme, zbulohet shuma që do përfitojë Interi

Cilësi e lartë, rrezik i ulët: Numër rekord japonezësh në Premier League

Zyrtare/ Nkunku largohet nga Milani, rikthehet te Leipzig për 32 milionë euro

Surpriza në Kupën e Ligës angleze: Leeds eliminon Nottingham, fiton Brentford





