AKTUALITET

Dalin pamjet nga grabitja/ Si i riu shqiptar vodhi 1.2 mln euro bizhuteri për 4 minuta duke u ngjitur nëpër mure

Piranjat Përditësimi i fundit 20 Nëntor 2025, 20:52

Dalin pamjet nga grabitja/ Si i riu shqiptar vodhi 1.2 mln euro bizhuteri

Këto janë pamjet e pashfaqura më parë, që kanë regjistruar kamerat e sigurisë, nga grabitja milionëshe e një argjendarie në Madrid gjatë ndërprerjes së madhe të energjisë në muajin prill, e cila e la Spanjën në errësirë.

Detajet e një grabitjeje të kryer për vetëm 4 minuta dhe të gjashtë muajve të hetimit policor që çuan në arrestimin e hajdutit.

Nga Angel Moya, OK DIARIO

Hajdut profesionist dhe oportunist, S.M., shqiptar 42-vjeçar, e kishte planifikuar me hollësi se si ta boshatiste argjendarinë “José Luis” të vendosur në qendrën tregtare Plaza Norte 2 në Madrid. Disa ditë para sulmit, ai bleu një Hyundai Santa Fé të vjetër për 4.000 euro dhe mblodhi të gjitha informacionet e nevojshme për grabitjen. Ajo që hajduti nuk e dinte, ishte se disa ditë më vonë, më 28 prill, ndërprerja e energjisë që përfshiu gjithë Spanjën do t’ia shtronte grabitjen “në pjatë”.

Dalin pamjet nga grabitja/ Si i riu shqiptar vodhi 1.2 mln euro bizhuteri

Ishte një “tani ose kurrë”. Hajduti vendosi të përfitonte nga ndërprerja e energjisë për të kryer grabitjen milionëshe dhe u nis drejt qendrës tregtare të vendosur në komunën madrilene San Sebastián de los Reyes. “Kamerat e regjistruan për herë të parë në orën 21:00 në mbrëmje, teksa ecte mbi çatinë e qendrës së madhe tregtare”, shpjegon José, shefi i Grupit të Policisë Gjyqësore të komisariatit të Alcobendas.

Një grabitje 4-minutëshe gjatë ndërprerjes së energjisë

Kamerat e filmuan hajdutin teksa ecte mbi çati duke marrë shënime dhe duke llogaritur metrat, derisa mbërriti në një zonë të çatisë që ndodhej mbi argjendarinë. Aty ai hapi një vrimë me një mulli prerës (radial), e cila i lejoi të zbriste në shtresën e sipërme të tavanit dhe të hynte në një galeri shërbimesh ku kalonin instalimet elektrike të qendrës.

Hajduti ecën disa hapa përgjatë galerisë derisa u pozicionua saktësisht mbi argjendarinë José Luis. Krimineli ekspert bëri disa prova duke thyer pllakën e tavanit (pladur). Në provën e dytë, ai arriti të hapte një vrimë në tavan dhe zbriti qetësisht në dyshemenë e argjendarisë, duke përfituar nga fakti që qendra ishte bosh për shkak të ndërprerjes së energjisë.

Ndërprerja e energjisë e bëri të pavlefshme sigurinë

Hajduti e dinte që sistemi elektronik, që pengon vjedhjen e bizhuterive nga vitrinat, nuk funksiononte, ashtu si edhe alarmet. Duke përdorur vetëm një kaçavidë, ai hapi një nga një vitrinat e rënda. Pa thyer asnjë, ai i vendoste xhamat në dysheme dhe boshatisi brendësinë e tyre.

Dalin pamjet nga grabitja/ Si i riu shqiptar vodhi 1.2 mln euro bizhuteri

Grabitja milionëshe zgjati vetëm 4 minuta. Hajduti zgjodhi me kujdes sendet më të vlefshme, përfshirë një koleksion të veçantë ari dhe diamantesh. Në total, 2.200 copë bizhuteri të vlerësuara në 1.2 milionë euro, të cilat i futi në një çantë shpine derisa pothuajse u këput nga pesha.

“Në orën 23:30 ai tashmë po zbriste nga çatia e qendrës tregtare drejt rrugës, duke e ulur çantën me vështirësi sepse ishte shumë e rëndë. Mezi mund ta mbante çantën plot me bizhuteri, por në pamje e shohim teksa zbret nga ulluku i ndërtesës, rreth tetë metra lartësi. Aty kuptuam që ishte i mësuar me këtë lloj grabitjesh, ashtu si edhe me hapjen e vrimave, të kryera me shumë aftësi. Ishte një hajdut profesionist”, shpjegon inspektori i komisariatit të Alcobendas.

“U largua nga qendra tregtare në këmbë. Nuk ishte fillestar, e kishte parkuar makinën larg që të mos e filmonin kamerat. Kjo na bën të mendojmë se nuk e kishte vjedhur makinën për grabitjen, por ishte e tij, sepse donte t’i nxirrte bizhuteritë nga Spanja pa problem”, mendonte drejtuesi kryesor i hetimit.

Një hetim i detajuar

Policët e komisariatit të Alcobendas filluan të rindërtonin hapat e arratisë së hajdutit duke përdorur pamjet e sigurisë. Duke montuar të gjithë sekuencën e imazheve, zbuluan se hajduti e kishte parkuar makinën gati një kilometër larg, në Alcobendas.

“Ishte një punë e lodhshme, shumë e detajuar dhe tejet motivuese. Duhej të rindërtonim gjithë rrugëtimin e tij derisa të gjenim makinën dhe ta identifikonim, ishte pista jonë e vetme. Pamë mijëra imazhe, në qarqe koncentrike, dhe hetuam më shumë se 100 automjete që ishin lëvizur në atë zonë pikërisht në atë orë”, tha hetuesi.

Dhe ia dolën. Policët arritën të lokalizonin hajdutin, të shihnin makinën e tij dhe ta ndiqnin deri në banesë. Kështu zbuluan se ai ishte shqiptar, 42 vjeç, me pesë identitete të ndryshme. Po ashtu zbuluan se ditën pas grabitjes ai shkoi drejt Rumanisë. Banesa ku kaloi natën nuk ishte e tij; ishte regjistruar aty pranë qendrës tregtare për të planifikuar grabitjen.

I arrestuar në Getafe disa muaj më vonë

Pas grabitjes, ai udhëtoi në Rumani me sa duket me bizhuteritë. Ai mendonte se policia nuk e kishte zbuluar, por agjentët e Alcobendas tashmë e kishin identifikuar. E dinin se përdorte 5 identitete të rreme dhe se kishte precedentë për grabitje në disa zona të Spanjës dhe në shumë vende të Europës.


Por hajduti nuk ishte më i zgjuar se policia — ishte më i paduruar. Gjashtë muaj më vonë u kthye në Spanjë për të planifikuar goditjen e radhës, pa e ditur se po e prisnin.

Mbante një bizhuteri të vjedhur në qafë

Në fund të tetorit, shqiptari hyri i qetë në komisariatin e Getafe-s për të kryer disa procedura me një pasaportë të rreme — dhe nuk doli më. Kishte urdhër arresti për të. Kur u ndalua, tentoi të gënjente, por agjentët vunë re që në qafë mbante një kryq prej ari të vjedhur gjatë ndërprerjes së energjisë.

Tani ai gjendet në burg, dhe Policia Kombëtare vazhdon hetimin për të zbuluar se si ai arriti të merrte informacion kaq të saktë për të kryer me sukses grabitjen milionëshe gjatë ndërprerjes së energjisë. Ndoshta kështu do të arrijnë të gjejnë edhe vendndodhjen e bizhuterive, të cilat ende nuk janë gjetur.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2