AKTUALITET

Ethet e turizmit! A rrezikohet të na kthehet në një bumerang

n.f Përditësimi i fundit 21 Korrik 2024, 08:37
Ethet e turizmit! A rrezikohet të na kthehet në një bumerang
Foto ilustruese

TIRANË- Të huajt që hynë në Shqipëri deri në fund të qershorit ishin 4.5 milionë. Në raport me 6-mujorin e një viti më parë, ky numër është rritur me 34 për qind, duke konfirmuar edhe një herë rritjen e dukshme në turizëm të Shqipërisë si destinacion.

Vendi ynë vijon të mbetet trend në rrjete sociale, ku duhet thënë se shumica e përshtypjeve janë pozitive, por nuk po mungojnë as ato që Shqipërinë nuk e shohin si destinacionin që prisnin. I marketuar fort si një vend me çmime të lira, duket se udhëtarët me buxhet të ulët e kanë gjetur sidomos pjesën më jugore të vendit “të shtrenjtë”.

Në këtë miks përshtypjesh mbetet e paqartë se në cilin kah do të anojë peshorja në fund të këtij sezoni dhe a do të vijojë të njohë kulme të reja dhe të njëjtin ritëm rritjeje numri i turistëve. Operatorë turistikë në vend nuk mendojnë se efekti i çmimeve që po bëjnë xhiron në rrjete sociale mund të kthehet në bumerang të menjëhershëm. Shqipëria, sipas tyre, vijon të jetë oferta më e mirë në raportin çmim/cilësi krahasuar me të gjitha vendet e rajonit.

Frika reale për sektorin lidhet me zhvillimin kuturu që ka sektori, me pamundësinë për t’ju përgjigjur me infrastrukturë flukseve turistike, trafikut, një promovimi bazë që është lënë në dorën e rrjeteve sociale dhe që nuk përçon te turisti ofertën reale të Shqipërisë.

Një zhvillim i tillë kaotik e ka edhe qëndrueshmërinë në pikëpyetje në afatgjatë, ndaj për këtë kërkohet reagim i shpejtë.

Ksamili, shembulli më i mirë i një modeli që po zhvillohet keq

Për të tretin vit radhazi, Ksamili është epiqendra turistike e vendit. Por teksa në dy vitet e shkuara, përshtypjet kanë qenë më pozitive, por gjithmonë me tendencë përkeqësimi, duket se këtë vit pakënaqësia është më e theksuar.

Vlerësimi për destinacionin në TripAdvisor ka rënë në 2.5 nga 5 që është maksimumi dhe duhet thënë se vlerësimet e këtij viti janë kryesisht negative. Turistët janë të mahnitur me natyrën dhe detin, por të shokuar me çmimet dhe dendësinë e shezloneve në bregdet.

Bizneset, të nxitura nga fluksi i turistëve, kanë nxituar të investojnë në struktura cilësore teksa edhe kërkesa në vetvete ka ndikuar te çmimet. “Maldivet e Europës”, që u bënë “fytyra” turistike e Shqipërisë, duket se janë në një pikë kthese e cila kërkon reflektim.

“Ksamili që është shembulli më i mirë që mund të japësh për modelin më të keq për mënyrën sesi po ndikon turizmi masiv.

Mund të bëjë bujë dhe ka sjellë numra të mëdhenj turistësh, por nuk e ka të sigurt qëndrueshmërinë”, – shprehet Roland Palushi, administrator i “EcoTour”, një agjenci që ka aktivitet në gjithë Shqipërinë me turistë të huaj.

Sipas tij, ecuria e mirë e shifrave tregon se ka interes për Shqipërinë, por duhet të jemi të kujdesshëm pasi destinacioni po shkon gradualisht në çmimet e konkurrentëve të fortë duke na vënë në disavantazh. “Personalisht më duket se nga ekonomike dhe e imazhit është mirë për momentin dhe na ka sjellë fluks.

Por ideja është që me çmimet për të cilat thuhet se mbetemi poshtë mesatares së rajonit, mendoj se po i afrohen Greqisë. Kjo e fundit në nivelin e destinacionit turistik është e fortë.

Shërbimi është shumë i mirë sepse ka traditë të gjatë shërbimi dhe shqetësimi im është që ky turizmi i masës dhe bregdetit do na kthehet në bumerang, sepse paraja e shpejtë të denatyron dhe nuk je më vetvetja. Do të humbë mikpritja dhe buzëqeshja që kemi tipar, duke shtuar këtu rritjen e çmimeve”, – pohon ai.

Nga trafiku tek infrastruktura dhe informacioni, çfarë e dëmton turizmin

Thuajse çdo vit para sezoni, akse të reja rrugore apo rikonstruksione arnash në rrugë ekzistuese zënë vend në fjalimet e përfaqësuesve të qeverisë dhe sërish çdo vit, radhët e trafikut nuk mungojnë në segmente të ndryshme.

Ngërçi që vendi ka me infrastrukturën ka bërë që shpesh destinacione turistike të mos hyjnë me kontrata garancie, për shkak të trafikut që krijohet siç është Shëngjini, teksa zona e Golemit, Ksamili dhe Saranda mbyten nga trafiku në mes të vapës. Zhvillimi i një turizmi që kërkon të dalë nga zona “ekonomike” drejt një stadi më të lartë dhe që paguhet më shtrenjtë, kërkon si fillim lehtësimin e aksesit, diçka që pavarësisht viteve dhe investimeve, Shqipëria nuk po arrin dot ta zgjidhë.

“Shqetësimet më të mëdha, Shqipëria sot gjatë sezonit veror në plazh i ka me trafikun. Duhet parë si do të ndikojnë akset e reja Thumanë-Kashar dhe Llogoraja.

Ne duam turizmin e kroçerave, por një kroçerë që mund të vijë në Sarandë ka 3 mijë turistë dhe me trafikun që krijohet, si do t’i çosh në Butrint. Do bllokosh jetën e qytetit dhe do t’i shoqërosh me polici? Flitet për zgjerim të rrugës së Ksamilit, por as ajo nuk zgjidh gjë. Duhet të organizohet transporti publik.

Duhet të nxitet përdorimi i mjeteve me kapacitet të lartë dhe të vendosen orare kufizuese, sepse në të kundërt është e pamundur”, – nënvizon Besnik Vathi, operator turistik i “ATHS”.

Nga ana tjetër, problem sipas tij mbetet promovimi i paorientuar që i bëhet vendit, duke e lënë atë në gjendje të lirë. Një marketim i tillë nuk ka objektiva të qarta e për rrjedhojë, edhe efektet nuk i ka të plota.

“Ne nuk duhet të biem pre e promovimit falas. Duhet të marrim në kontroll dhe të orientojmë turistët ku duam ne. Shoh Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Turizmit që marrin ‘reels’ të italianëve dhe i shpërndajnë.

Në një kohë kur ti si ministri dhe agjenci i ke kapacitetet dhe mundësitë të prodhosh produktin tënd të promovimit në rrjete sociale për atë lloj turizmi dhe destinacioni që ti do. Pra, të promovosh histori, kulturë, kulinarinë në të gjitha format, që përqafohen nga turistët dhe të mos biesh pre e promovimit falas.

Kjo ishte një fazë e parë kur Shqipëria kishte nevojë të konfirmohej si destinacion, por sot që e ke këtë, je në një moment tjetër”, – thekson Vathi. Një tjetër element është edhe informacioni i paorganizuar që orienton turistin.

Shqipëria, paketë më të plotë për të ruajtur qëndrueshmërinë

Shqipëria po vizitohet nga Veriu në Jug për natyrën, kulturën, kulinarinë, por sidomos në verë për rërën dhe detin. Turizmi masiv që po vërshon në shifra, është një model që nuk ka qëndrueshmëri afatgjatë nëse nuk e pasuron ofertën tënde me elemente shtesë.

Kjo për rrjedhojë mund të sjellë më shumë të ardhura të shpenzuara për turist, por edhe shtrirje gjithëvjetore të turizmit. Roland Palushi shprehet se deti dhe rëra janë padyshim një ofertë joshëse, që kanë zgjuar interesin, por turizmi i qëndrueshëm është te kombinimi i kësaj oferte me turizmin e aventurës dhe zonave rurale.

Njëra kompenson tjetrën në ditë të këqija, ose forcojnë ofertën si destinacion në total, ndaj në këtë këndvështrim ai shprehet se qeveria duhet ta shohë seriozisht promovimin e Shqipërisë tjetër edhe si një formë për të ndalur braktisjen e zonave rurale, që është kthyer në problem real.

“Mendoj se duhet të nisin sa më shpejt projektet për zonat malore. E para të mos boshatisen se po ikin të gjithë, por edhe për të krijuar një ekuilibër midis një imazhi që mund të prishet dhe një imazhi më të konsoliduar.

Turistët tanë e vënë re diferencën kur kalon nga zonat malore, që është me energji dhe ndjesi pozitive në një zonë në bregdet, ku kjo ka humbur dhe je thjesht në një marrëdhënie biznesi”, – shprehet z.Palushi.

Sipas Besnik Vathit, Shqipëria duket se ka hequr dorë nga pjesëmarrja në panaire, duke u mjaftuar me suksesin që po përjeton aktualisht. Ky angazhim i ulët për të tërhequr tregje të reja që paguajnë përtej detit dhe rërës dhe që shtrijnë efektin në ekonomi nuk është rruga e duhur për të pasur një turizëm të qëndrueshëm.

“Dikur kemi marrë pjesë në 30-40 panaire, tani vetë, në 2-3 të tillë. Pse? Apo s’kemi nevojë? Jo, kemi nevojë, sepse duhet të promovosh vendin, të promovosh turizmin në gjithë gjerësinë e tij.

Është e nevojshme të tërheqim dhe vende të reja që për nga numri dhe cilësia janë gjeneruesit më të mëdhenj të turizmit në botë. Ne nuk promovojmë për të tërhequr vende gjeneruese të turizmit në botë, nuk promovojmë në vendet jashtë Europës, ku nuk të sjellin thjesht turistë por vizitorë që paguajnë dhe konsumojnë kulturën, pra që janë përtej detit dhe kjo e shpërndan efektin në ekonomi”, – nënvizon ai./ Monitor

turizem shqiperi

video

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

Një hormon i rrezikshëm në tavolinën tonë

Monologu: Pensionistët në 2025-ën

Mitingjet e PS dhe administrata në aksion

Fasulet që parashikojnë fatin

LANDFILLI I PALIGJSHËM I SHIJAKUT

1... ditë me Doktorin

Edi Rama - Cirku i fundjavës

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 10

PS-PD, beteja për Elbasanin

Nga premtimi për punë tek kërcënimi me jetë

Makthi i urgjencës së QSUNT 2

Rruga e bllokuar dhe premtimi i kryetares

Misioni i devijuar i Crimson Finance Fund Albania

E ardhmja e fëmijëve, peng i një firme

Roskoveci High-Tech dhe memoria e kryetares

Edi Rama hap fushaten ne studion e Piranjave duke prezantuar per herë te pare pasaporten biometrike

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 9

Gjithçka...për një celular

A na duhet vërtet pasaporta e BE-së

Në kërkim të Habibes

Ngjarja e Lushnjes dhe indiferenca e shoqërisë

Triumfi i Anisës

Helikopteri i Gjestit dhe mashtrimi i madh

Pasiguria Ushqimore

Skandali i Ministrisë me gripin e shpendëve

PS-PD, FJALA PËR ZONJAT KANDIDATE

Seriali Adolescence dhe Shqipëria

I 'forti' i Tropojës që dhunon fqinjët

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 8

Në kërkim të fëmijëve... dhe të divorcit

Pastori i 'mrekullive'

Makthi i urgjencës së QSUNT

Te rinjtë dhe politika, një raport gjithnjë e më klientelist

SEZONI 7 EPISODI 7

Padrejtësia e bashkisë ndaj një familjeje rome

Lëmoshë...me Mercedes

Dritëhijet e një aksidenti tragjik

Detaje të reja për rastin e Anisës, trondit ish-klientja: S'ndjej gjoksin!

Dështimi i paralajmëruar i Air Albania

SEZONI 7 EPISODI 6

Skandali i mbivendosjes me tokat në has

Nevoja për strehim e një të moshuari

Bashkia Lezhë i shpall 'luftë' qytetarëve

Fëmijët e rrugës dhe parazitimi institucional

Një prokuror që arsyeton për momentin

Banorja e BB VIP Kosova dhe mashtrimi ndaj saj

SEZONI 7 EPISODI 5

Kalvari i vuajtjeve të një gruaje

Dekani turist i universitetit të sporteve