AKTUALITET

Masakra me dy të vrarë në Shkodër, si nisi saga e përplasjeve të përgjakshme me fiseve me ndikim në qytet. Çfarë pretendojnë ata

Piranjat Përditësimi i fundit 14 Shtator 2025, 21:37
Masakra me dy të vrarë në Shkodër, si nisi saga e

Vrasje për të marrë kontrollin e territorit. Për të mbrojtur dhe zgjeruar zonat e influencës. Për të dobësuar rivalët duke goditur më të fuqishmin. Qoftë nga ana financiare, qoftë ata që i konsiderojnë rrezik potencial për jetën e tyre.


E të gjitha këto kanë prodhuar hakmarrjen, që tashmë nuk di të ndalet.

Kjo situatë kriminale po dominon Shkodrën prej dekadash. Dikur nën kontrollin e personazheve që konsideroheshin “të fortë”, apo edhe “kumbarë” të qytetit, ndërsa vitet e fundit nën terrorin e përplasjes mes dy fiseve. Bajrat e Dobraçit dhe Lictë e Kirasit.

E duket se kjo është përplasja më e ashpër e më e përgjakshme në Shkodër. Një “luftë” që po vret jo vetëm familjarë e njerëz të afërt të dy grupeve, por nuk po kursen as të pafajshmit. Njerëz që nuk kanë lidhje me asnjërën palë, por fatkeqësisht gjenden rastësisht në mes të plumbave.

Për grupin hetimor, ngjarja e rëndë e 8 shtatorit 2025 me dy të vrarë në Shkodër, ishte kundërpërgjigje për “Masakrën e Dobraçit”, që ndodhi 30 tetorin e vitit 2024, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe mbetën të vdekur edhe bashkëshortët Bashkim e Flutura Basha që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Ndonëse Erogen Vaso, nuk rezulton të ketë lidhje me atë që ndodhi në Dobraç, goditja e tij nga rivalët konsiderohet si vijim i sagës së përplasjeve që vijon prej vitesh në Shkodër.

Përplasja e përgjakshme

Shpërthimi në lagjen Partizani në Shkodër, më 13 janar të vitit 2018, ishte pikënisja e një sage kriminale mes dy fiseve, që vijon të shkaktojë viktima edhe sot. Shënjestra ishte Lulzim Kulla, i konsideruar si një prej të fortëve të Shkodrës, njëkohësisht edhe si lidhje e familjes Lici, pasi është dhëndër i tyre. Ditët që pasuan këtë ngjarje, nisën të shënojnë një bilanc tragjik me vrasje, zhdukje personash e atentate të dështuara.

Familja Lici artikuloi emrat e rivalëve, që sipas tyre ishin nga fisi Bajri. Ndërsa këta të fundit nuk e pranojnë as sot që janë në hasmëri apo konflikt me ta. Madje Safet Bajri, në një dalje televizive u shpreh se nuk ka asnjë konflikt me familjen Lici.

Më 21 shkurt 2025, dy ditë pasi ai u shfaq publikisht, RENEA u rikthye sërish, në banesën e tij, ku kishte qenë edhe para 3 ditësh, për të zbatuar një vendim të Gjykatës së Posaçme, që kishte vendosur masën “arrest në burg” për të.

Pasi ishte kontrolluar tri herë nga forcat speciale, që pas vrasjes së katërfishtë, të njohur si “Masakra e Dobraçit”, ishte shoqëruar e lënë i lirë, më 21 shkurt, Safet Bajri hipi në furgonin e RENEA-s, që e shoqëruan deri në Policinë e Tiranës. Këtë herë nuk bëhej fjalë thjeshtë për një shoqërim rutinë e procedurial. Safet Bajri u arrestua.

E njëjta masë u ekzekutua në burg edhe për Behar Bajrin e Astmer Bilalin, të arrestuar në shtator të vitit 2023 në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ata, në bashkëpunim me Safet Bajrin, akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht të vitit 2018 në lagjen Kiras të Shkodrës, si dhe për grup të strukturuar kriminal. Ndërsa më 24 shkurt, Gjykata e Posaçme u komunikoi të treve të njëjtën masë që kishte dhënë më herët në mungesë.

Për të dytën herë, SPAK konfirmoi zyrtarisht konfliktin mes familjeve Bajri e Lici, duke deklaruar se vrasja e Fatbardh Licit në vitin 2018, ishte kryer nga Behar Bajri, Astmeri Bilali dhe Safet Bajri, si hakmarrje ndaj Ibrahim Licit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, vrasja e Fatbardh Licit ishte kryer pasi Behar Bajri i atribuonte Ibrahim Licit vrasjen e të njohurit të tyre, Boran Bërçanës dhe partneres së tij Silvi Ndoci, ngjarje e ndodhur më 15 korrik të vitit 2018.

Pra për herët të dytë, pas operacionit “Metamorfoza” në vitin 2023, SPAK zyrtarizon hasmërinë mes fiseve Bajri e Lici në Shkodër. Përplasja më e madhe mes tyre ndodhi përgjatë vitit 2018. Por kulmoi pasditen e 30 tetorit të vitit 2024, kur u vranë 4 persona, dy prej të cilëve kalimtarë të rastit dhe që SPAK po e heton si vijim të sagës së hakmarrjeve mes dy grupimeve, pa çka se ende nuk ka prova konkrete.

Por si nisi konflikti i përgjakshëm mes dy familjeve që të paktën deri në vitin 2017 kishin qenë në paqe me njëra – tjetrën. Madje në disa raste, Ibrahim Lici ishte parë në shoqërinë e Astmer Bilalit, që është njeriu më i afërt i Bajrave.

Në arkivat e Policisë së Shkodrës, janë të regjistruara dy ngjarje, ku kanë humbur jetën dy pjesëtarë të fisit Bajri. Konkretisht babë e bir. Xhaxhai i Safet Bajrit dhe kushëriri i tij.

I pari është ekzekutuar Indrit Bajri, më 21 tetor të vitit 2001. Drejtësia akuzoi si autorë të kësaj ngjarje, Ilmir Hajdarin, Xhabir Shegën dhe Kujtim Barbullishin. Policia deklaronte në atë kohë, se njëri nga të dyshuarit, konkretisht Ilmir Hajdari, kishte debatuar me Indrit Bajrin dhe gjatë këtij konflikti ata kishin shkëmbyer edhe kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Ndërsa ditën e ngjarjes, Hajdari, i cili ndodhej në të njëjtën makinë me Shegën e Barbullushin, kanë shkuar të armatosur drejt lagjes “Partizani”. Sapo kanë parë Indrit Bajrin pranë Shkollës së Muzikës kanë qëlluar drejt tij, duke e lënë të vrarë. Në lidhje me këtë ngjarje Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ai u arrestua në vitin 2009, por në sallën e gjyqit mohoi autorësinë dhe pas afro 5 vitesh u la i lirë.

Pas 14 vitesh, ekzekutohet me snajper nga Kalaja e Rozafës, njëri nga të dyshuarit e kësaj ngjarje, Xhabir Shega. Ai u qëllua për vdekje me dy plumba në gjoks, më 11 qershor të vitit 2015 në oborrin e banesës së tij, në lagjen Ajasem, poshtë Kalasë. Policia tha se autori, mund të kishte qenë një qitës profesionist dhe ka qëlluar nga një distancë e konsiderueshme.  Shega ishte tentuar të vritej edhe më herët, pak kohë pasi kishte përfunduar dënimin prej 12 vitesh burg për vrasjen e Indrit Bajrit. Me të njëjtën metodë, po me snajper ai ishte qëlluar edhe në vitin 2014, kur mbeti i plagosur. Policia tha se motivi i ngjarjes ishte hakmarrja, por pa përcaktuar se nga kush ishte porositur kjo vrasje, pasi ishte në hasmëri me 3 fise të ndryshme në Shkodër.

Ndërsa më 3 qershor të vitit 2022 u ekzekutua 68-vjeçari Naim Bajri, xhaxhai i Safet Bajrit dhe babai i Indrit Bajrit që ishte vrarë në vitin 2001. Ai u qëllua për vdekje teksa po pinte kafe nga një mjet në lëvizje, në lagjen Partizani, pranë markatës së peshkut. Në momentin që u qëllua, Bajri ishte në shoqërinë e punonjësit të tij, Astrit Zeneli, 58 vjeç, i cili mbeti i plagosur. Naim Bajri, pavarësisht emrit të familjes, kishte qëndruar larg problemeve që ata kishin, duke zgjedhur të tregtonte prodhime deti dhe të bënte një jetë modeste.  68-vjeçari punonte pranë “Merkatës së Rusit” ku tregtonte prodhime deti. Ngjarja vijon te jetë pa autor, ndërsa e vetmja provë e këtij krimi ishte makina e përdorur nga atentatorët, që u gjet e djegur në Bypassin e Shkodrës.

Ndërkohë përplasja më e ashpër mes dy grupimeve të Shkodrës, ndodhi gjatë 7 viteve të fundit, duke shkaktuar 14 të vrarë, 2 të zhdukur e dhjetëra të plagosur.  Si pikënisje pati atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, më 13 janar të vitit 2018. Rreth 500 gramë C4 ishte vendosur në një motoçikletë të parkuar afër fuoristradës së Kullës. Shpërthimi i eksplozivit, që u komandua në distancë, ndodhi në momentin që Lulzim Kulla po dilte nga godina në pronësi të tij, për të hipur në automjetin e blinduar që ishte parkuar pak metra larg motorit. Ai pësoi djegie në 25% të trupit. Nga shpërthimi i fortë mbetën të plagosur edhe 7 persona të tjerë, kalimtarë të rastit. Në atë kohë, Kulla deklaroi se nuk i njihte autorët dhe nuk kishte dyshime se kush mund ta kishte vendosur tritolin.

Lulzim Kulla konsiderohej në atë kohë nga Policia e Shkodrës si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët e qytetit duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare.

Pak kohë pas ngjarjes, Policia dhe Prokuroria deklaruan se zbardhën ngjarjen dhe arrestuan 3 personat që kishin vendosur eksplozivin. Të arrestuarit ishin Endri Çopja, Argel Lulaj dhe Serxho Teta, nga Elbasani, të cilët vazhdimisht mohuan akuzat. Derisa në nëntor të vitit 2020 Gjykata e Shkodrës i liroi për shkak se kishin mbaruar afatet e mbajtjes në paraburgim. Ndonëse më herët ishin zbutur masat e sigurimit për ta në “arrest shtëpie” e “detyrim paraqitje”. Megjithatë, porositësit e këtij atentati nuk u identifikuan asnjëherë.

Pas atentatit ndaj Lulzim Kullës, për dy vite me radhë në Shkodër pasuan një sërë ngjarjesh kriminale që dyshohet se ishin të lidhura me njëra-tjetrën.

Në 18 qershor 2018 vritet në servisin e tij, teksa po riparonte brava makinash, 60-vjeçari Mehdi Kavaja, vrasje e dyshuar për hakmarrje. Ende ajo ngjarje është pa autor ndërsa riparuesi i bravave u qëllua me plumb në kokë, duke mbetur i vdekur në vend.

Në 15 korrik të po atij viti, poshtë banesës që kishin me qira, ekzekutohet çifti Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci, ndërsa bashkë me ata në makinë ndodhej edhe fëmija i tyre 3-vjeçar që i shpëtoi mrekullisht plumbave. Ish-polici Bërçana dyshohej se kishte lidhje me grupin “Bajri”. Për shumë kohë kjo ngjarje mbeti pa autor, edhe pse pati shumë shoqërime, por asnjë provë konkrete.

Ndërsa më 10 gusht të 2018-ës vritet Fatbardh Lici, xhaxhai i Ibrahim Licit. Është pikërisht kjo ngjarje që pas më shumë se 6 vitesh, çoi në pranga Safet Bajrin. Në atë kohë pati dhjetëra shoqërime, nisur edhe nga fakti se makina e atentatorëve u gjet e djegur pranë lagjes Dobraç. Përgjimet e autorizuara në atë kohë nga Gjykata e Shkodrës, nuk prodhuan asgjë, edhe pse të dyshuarit ishin pikërisht ata, anëtarët e familjes Bajri. Megjithatë, duket se ato përgjime, të krahasuara edhe me biseda të zhvilluara në platformën SKY, kanë sjellë një hetim më të plotë të ngjarjes, që kësaj here ishte marrë në dorë nga Prokuroria e Posaçme. SPAK ka dyshime të arsyeshme, se vrasja e Fatbardh Licit është kryer në formën e veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, nga 3 të dyshuar: Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Bajri. Ndërsa si motiv ka hakmarrjen, pasi fisi Bajri, dyshonte se njeriu i tyre, Boran Bërçana ishte vrarë nga Ibrahim Lici.

Një tjetër ngjarje, që konsiderohet si vazhdim i përplasjes mes dy fiseve, konsiderohet edhe ajo e datës 23 gusht 2018, kur zhdukën nip e dajë, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa. As sot, pas më shumë se 6 vitesh nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Ndërsa familjarët prej kohësh i kërkojnë Policisë që të paktën të gjejë trupat, pasi janë të bindur se janë vrarë. Të dy këta persona kishin lidhje me fisin Lici.

Pa kaluar shumë nga kjo ngjarje, ndodh vrasja e radhës. Ekzekutohet Arjan Ferracakut, teksa po kalëronte në zonën e Livadheve. Ai u vra më 1 shtator të vitit 2018, teksa ishte në shoqërinë e disa miqve, mes të cilëve edhe Astmer Bilali. Dyshohet se kanë qenë 3 persona të armatosur, të cilët ishin pozicionuar pas shkurreve dhe kanë nisur të qëllojnë me breshëri në drejtim të Ferracakut. Pasi goditet nga disa plumba, ai rrëzohet nga kali, ndërsa miqtë e tij largohen me vrap. Ndërsa autorët, për t’u siguruar për vrasjen, afrohen dhe e qëllojnë sërish. Ngjarja fillimisht u dyshua se kishte pasur objektiv Astmer Bilalin, por fakti që viktima ishte qëlluar edhe nga afër, i bëri hetuesit të besojnë se në fakt nuk bëhej fjalë për ngatërrese nga ana e autorëve.

Dy muaj pas tij, konkretisht më 14 nëntor, vritet edhe kushëriri i tij, Fatos Ferracaku, i cili u qëllua teksa po shiste peshk në lagjen “Rus”.

Më 30 mars të vitit 2019 një vrasje e dyfishtë në lagjen “Guerrile” trondit sërish Shkodrën. Ekzekutohen dy vëllezër, Astrit dhe Brahim Bilali, 59 e 61 vjeç. Ngjarja u konsiderua si vazhdim i sagës së përgjakshme mes dy fiseve Bajri e Lici. Kjo për faktin se ata ishin babai e xhaxhai i Astmer Bilalit, që në atë kohë ndodhej prej 8 muajsh në qeli, i akuzuar si pjesë e grupit Bajri.

Astrit Bilali, babai i Astmerit, ka qenë në një lokal të lagjes, nga ku është ngritur për të takuar te dera e shtëpisë së tij të vëllain, Brahimin. Dyshohet se në kohën që Brahim Bilali po priste vëllain e tij te dera e shtëpisë, një mjet tip “Mercedes benz” është ndalur aty në afërsi, duke pritur që dy vëllezërit të bëhen bashkë. Në kohën kur vëllezërit Bilali janë takuar me njëri-tjetrin, kanë vërshuar plumbat e automatikut, ndërsa dyshohet se është qëlluar edhe nga një armë tjetër. Policia dyshon se janë dy autorë që kanë qëlluar në drejtim të vëllezërve Bilali, të cilët kanë qenë të maskuar në mënyrë që askush të mos i identifikojë.

Për t’u dhënë lamtumirën e fundit, Astmer Bilali përfitoi një leje nga burgu dhe nën masa të rrepta sigurie shkoi në ceremoninë e varrimit.

Një muaj pas ngjarjes u arrestuan 2 persona të dyshuar si autorë, Arsen Stojku dhe Mislim Rama, ndërsa u shpall në kërkim Ibrahim Lici dhe Denis Brahimin. Por akuzat nisën të zbuten rrugës dhe në përfundim u dënua vetëm 2 persona. Arsen Stojku, me 6 vite burg. Sipas Gjykatës, provohej se Stojku, kishte marrë me qira një automjet, të cilin e ka përdorur më pas në largimin e dy autorëve. Por nuk provohej që kishte marrë pjesë në vrasje. Për të njëjtën vepër penale që u dënua Stojku, gjykata shpalli fajtor dhe dënoi me 4 vjet e 6 muaj burgim Myslim Ramën, ndërsa shpalli të pafajshëm mikun e tij, Denis Brahimi. Ndërkohë Ibrahim Lici, personi të cilin Policia e Shkodrës e shpalli në kërkim, u përjashtua nga kjo ngjarje dhe nuk pati më asnjë akuzë për krimin.

Mbrëmjen e 15 majit të vitit 2021, Endri Mustafa u largua nga shtëpia dhe u gjet i vrarë dy ditë më pas në zonën e Livadheve në Shkodër. Zhdukja e tij u denoncua pas 24 orësh nga e shoqja, Ingrid Mustafa. Në vijim ka filluar kontrolli i zonës tek “Livadhet” në lagjen “Guerrile”, pranë bregut të liqenit të Shkodrës, në kanalet që lidhin këtë liqen me tokat pranë tij. Rreth orës 10:00 të datës 17 maj 2021 është gjetur trupi i pajetë i Endri Mustafa, i vrarë me armë zjarri. Ai është konstatuar i shtrirë në tokë, me dëmtime në kokë e trup. Personi i fundit që kishte takuar Mustafa para se të zhdukej, ishte 15-vjeçari Ergys Malja. Ai është shoqëruar i pari në praninë e prindërve për t’u marrë në pyetje. Ndërsa më pas është arrestruar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Endri Mustafa.

I mituri ka pretenduar në dëshminë e tij, dhënë për Policinë, se personi që e ka vrarë Endri Mustafën është Ibrahim Lici. Policia zhvilloi kontrolle për të shoqëruar Licin, por ai nuk u gjet asnjëherë. Për ngjarjen pati edhe një tjetër të arrestuar, Edison Arrazi, por më pas akuzat ndaj tij ranë dhe u mbajt pak kohë në qeli vetëm për hashash. Edhe pse familja e viktimës e akuzonte vazhdimisht për ngjarjen. Megjithatë Prokuroria e Shkodrës mbylli hetimet në mars të vitit 2023 dhe Ibrahim Lici u akuzua zyrtarisht për vrasje. Për këtë ngjarje ai vijon të jetë person në kërkim. /Gjerat tona/

 

 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë