BOTA

Nga konflikti me Rusinë te negociatat me SHBA-në/ Analiza: Sfida e mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë!

b.z Përditësimi i fundit 28 Shkurt 2025, 22:33
Nga konflikti me Rusinë te negociatat me SHBA-në/ Analiza: Sfida e
Foto ilustruese

UASHINGTON – Çështja e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Ukrainë po del si një pikë e mundshme në marrëveshjen ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, të cilën po e negociojnë Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, zyrtarët ukrainas dhe ekspertët e zgjedhjeve thonë se mbajtja e zgjedhjeve në një periudhë të afërt, do të rrezikonte jetët e njerëzve dhe sovranitetin e Ukrainës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u zgjodh në prill të vitit 2019 dhe zgjedhjet presidenciale të radhës ishin të përcaktuara të mbaheshin në mars ose prill të vitit 2024. Megjithatë, që kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, gjendja e jashtëzakonshme është në fuqi dhe ligjet ukrainase ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve për sa kohë që vazhdon gjendja e jashtëzakonshme.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e kritikoi zotin Zelensky për mosmbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Më 19 shkurt, në një postim në platformën e tij Truth Social, Presidenti Trump tha për zotin Zelensky: “Ai refuzon të mbajë zgjedhje, gëzon popullaritet të ulët në anketimet ukrainase dhe e vetmja gjë ku është treguar i suksesshëm është ta manipulojë Biden-in. Një diktator pa zgjedhje, Zelensky është më mirë të veprojë me shpejtësi apo nuk do të ketë më shtet”.

Disa anëtarë të Kongresit amerikan dhe komentues konservatorë i bën jehonë kërkesës së Presidentit Trump që Ukraina të mbajë zgjedhjet për të dëshmuar vlerat e saj demokratike.

“Zelensky duhet të mbajë zgjedhje. Ata janë në gjendje të jashtëzakonshme. Nuk është shenjë e mirë nëse pretendon se po mbron demokracinë. Duhet ta zbatojnë atë”, i tha Zërit të Amerikës Senatori republikan, Josh Hawley.

Ligjvënësja republikane Victoria Spartz i tha Zërit të Amerikës se Ukraina duhet të mbajë “zgjedhje transparente” dhe duke mos e bërë një gjë të tillë po ia mundëson Rusisë të thotë, “një president jolegjitim po i nënshkruan këto kontrata dhe marrëveshje”.

Rusia e ka vënë në dyshim legjitimitetin e presidentit ukrainas dhe qeverisë që nga viti 2014, shumë vite përpara se zoti Zelensky të zgjidhej president.

Gjatë një aktiviteti që transmetohej në televizion, ku Presidenti rus Vladimir Putin u përgjigjej pyetjeve, ai sugjeroi se nuk mund të negocionte me zotin Zelensky derisa legjitimiteti i tij të mos konfirmohej përmes zgjedhjeve.

“Nëse shkojnë në zgjedhje, fitojnë legjitimitet atje, ne do të flasim me cilindo, përfshirë me Zelensky-n”, tha ai.

Gjatë një konference për shtyp më 23 shkurt, zoti Zelensky tha se ai do të japë dorëheqjen nga posti i presidentit nëse një veprim i tillë do të nënkuptonte “paqe për Ukrainën”, por ai kundërshtoi thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Si mund të mbajmë zgjedhje në të cilat gjysma e popullsisë së vendit nuk mund të votojnë?” tha ai. “Si mund të votojmë kur sot, Ukraina u sulmua me 267 dronë?”

Rivalët e tij politikë, ish Presidenti Petro Poroshenko, ish Kryeministrja Yulia Tymoshenko dhe kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko po ashtu kundërshtuan thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve. Sipas një ankete të realizuar në shkurt, 63 për qind e ukrainasve i kundërshtojnë ato.

Ekspertët ukrainas të zgjedhjeve thonë se ekzistojnë shumë sfida për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta në kushte lufte.

Mbajtja e tyre do të shkelte parimet ndërkombëtare të ligjit zgjedhor, sipas ish zëvendësdrejtores së Komisionit Qendror Zgjedhor të Ukrainës, Yevhenii Radchenko.

“Zgjedhjet duhet të jenë universale, të barabarta dhe të lira. Gjatë luftimeve aktive, është jorealiste të garantosh sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve dhe për shkak të sulmeve masive ruse, një pjesë e madhe e infrastrukturës zgjedhore është shkatërruar”, tha ajo.

Zonja Radchenko, që iu bashkua forcave të armatosura të Ukrainës, ia dërgoi këto përgjigje Zërit të Amerikës nga vija e frontit në Donetsk.

Më 27 shkurt, OPORA, njëra prej organizatave kryesore të shoqërisë civile ukrainase që është e angazhuar në çështjen e zgjedhjeve, publikoi një deklaratë të nënshkruar nga disa organizata joqeveritare ukrainase, me titull “Deklaratë e organizatave joqeveritare ukrainase për pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve demokratike pa një paqe të qëndrueshme”.

‘Forca të armatosura ose zgjedhje’

Pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, parlamenti ukrainas, siç e kërkon Kushtetuta e vendit, miratoi ligjin për gjendjen e jashtëzakonshme, që ndalon mbajtjen e zgjedhjeve.

Zëdhënësja e organizatës OPORA, Olga Aivazovska tha se qëllimi i gjendjes së jashtëzakonshme ishte të mbrojë shtetin dhe të mobilizojë shoqërinë për mbrojtjen.

“Duhet të zgjedhim ose forcat e armatosura ose zgjedhjet”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

Zonja Aivazovska theksoi se Ukraina ka mbajtur zgjedhje gjatë periudhës ndërmjet vitit 2014 dhe 2022, kur konflikti me Rusinë po vazhdonte në Ukrainën lindore, por para se Rusia të kryente sulme ajrore në territorin ukrainas.

“Edhe po të ketë armëpushim, nuk ka garanci që Rusia nuk do ta shkelte atë siç ka bërë shumë herë gjatë periudhës në mes të viteve 2014 dhe 2022”, tha ajo. “Ajo mund të kryejë bombardime të gjera të territorit ukrainas në ditën e zgjedhjeve. Mund të organizojë sulme terroriste në vendvotime, të vrasë votues, punonjës të zgjedhjeve dhe vëzhgues, ose të paktën, të shkaktojë ndërprerje të procesit”.

Sipas saj, do të ishte më lehtë që të vihet dyshim mbi legjitimitetin e zgjedhjeve nëse vetëm 5 apo 10 për qind e popullsisë votojnë.

“Nëse Ukraina fillon procesin zgjedhor pa një garanci se mund ta përmbyllë atë, do të thotë se thjesht po ia japim këtë mjet Rusisë për ta keqpërdorur dhe për ta manipuluar”, thotë ajo.

Zonja Radchenko thotë se rreth 14 milionë banorë – nga gjithsej 41 milionë – nuk do të mund të votonin, duke patur parasysh që lufta zhvendosi miliona ukrainas dhe rreth një milion burra dhe gra ukrainase tani po shërbejnë në forcat e armatosura.

Sipas zonjës Aivazovska, mbetet e paqartë se si banorët e territoreve të okupuara nga Rusia, “ku njerëzit po torturohen, rrëmbehen dhe ndaj tyre po kryhen krime tjera”, do të mund të votojnë të lirë, edhe pasi të jetë shfuqizuar gjendja e jashtëzakonshme.

Shumica e 7 milionë ukrainasve, që u larguan jashtë vendit për shkak të luftës, po ashtu nuk do të mund të votojnë, pavarësisht nëse vendet ku ata tani po strehohen investojnë shumë fonde për të organizuar këtë proces.

“Në vitin 2004, një numër rekord i ukrainasve që jetojnë jashtë vendit votuan në vendvotime në ambasadat dhe konsullatat e Ukrainës – rreth 103,000 shtetas ukrainas nëpër vende të ndryshme të botës. Thjesht nuk ka burime për të organizuar zgjedhje për 7 milionë njerëz”, tha zonja Aivazovska.

Shumë nga ligjvënësit në Kongresin amerikan që i intervistoi Zëri i Amerikës thonë se Ukraina duhet të jetë e lirë të vendosë vetë se kur do të mbajë zgjedhjet.

Ligjvënësi republikan Brian Fitzpatrick tha se Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera duhet të nxisin Ukrainën që të mbajë zgjedhjet kur mund të sigurojë një proces të sigurt dhe të drejtë, por jo kur “ukrainasit ende janë nën sulmin e një diktatori keqdashës komunist”.

Ligjvënësi demokrat Eugene Vindman, i cili ka lindur në Kiev në vitin 1975, i tha Zërit të Amerikës se “kur 20 për qind e territorit është i pushtuar, kur miliona ukrainas gjenden jashtë vendit, është vështirë të imagjinohet mbajtja e zgjedhjeve demokratike që përfaqësojnë shumicën e votuesve”.

Ligjvënësi Vindman shprehu besimin se shoqëria ukrainase do të mbajë zgjedhje sapo të sigurojë paqe të qëndrueshme.

Senatori republikan Kevin Cramer tha se shembulli i zgjedhjeve të mbajtura në SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk i aplikohet kësaj situate ngaqë Shteteve të Bashkuara nuk u është dashur të luftojnë në territorin e tyre. Sipas ligjvënësit Vindman, edhe vendet evropiane i kanë pezulluar zgjedhjet gjatë luftës.

Ligjvënësi demokrat Seth Magaziner sugjeroi se një deklaratë e fuqishme nga Presidenti Trump që do të mbështeste mbrojtjen e Ukrainës kundër sulmit të Rusisë do t’ua bënte më të lehtë ukrainasve të “punojnë drejt një kuadri kohor për zgjedhjet”.

Ligjvënësi republikan Don Bacon gjithashtu theksoi se Rusia nuk është në pozitë të kërkojë që zgjedhjet të mbahen në Ukrainë.

“Ata nuk kanë patur zgjedhje të lira në 25 vitet e fundit. Putini i ka vrarë të gjithë rivalët e tij. I kanë hedhur nga godinat. I kanë helmuar. I kanë vrarë në gulagë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Zëdhënësja e Zyrës për Institucione Demokratike pranë Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, Katya Andrusz i tha Zërit të Amerikës se me kërkesën e autoriteteve ukrainase, zyra e saj ka filluar punën për t’u siguruar se kur të ekzistojnë parakushtet, Ukraina të mbajë zgjedhjet “në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përkushtimin që Ukraina e ka bërë si shtet anëtar i OSBE-së për të mbajtur zgjedhje demokratike”.

“OHDIR-i ka punuar me Ukrainën në shumë fusha dhe e respektojmë fuqinë demokratike të vendit përkundër sfidave të vazhdueshme”, tha ajo.

Gazetarja e Zërit të Amerikës Kateryna Lisunova kontribuoi për përpilimin e këtij artikulli./VOA

volodymyr zelensky rusi-ukraine

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë