KOSOVA

Nisma e re për integrim në BE, në fokus të samitit në Tivat

Piranjat Përditësimi i fundit 5 Qershor 2026, 23:27
Nisma e re për integrim në BE, në fokus të samitit në

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor, nisma e re e propozuar nga Franca dhe Gjermania për integrimin gradual të rajonit në Bashkimin Evropian ishte temë qendrore, teksa udhëheqësit evropianë përsëritën qëndrimin se e ardhmja e rajonit është në bllok.

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha pas samitit se propozimi i tij i përbashkët me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ka marrë mbështetje si nga liderët evropianë ashtu edhe nga ata rajonalë.

Duke iu referuar atmosferës gjatë diskutimeve për këtë propozim në samit, ai njoftoi për ndryshime në rregullat e procesit të zgjerimit, i cili deri më tani, sipas tij, ka qenë shumë i ngadalshëm.

“Ne tani po e ndryshojmë këtë dhe do të punojmë më intensivisht në këtë proces. Duhet të merren vendime edhe për këtë, por bisedimet joformale që u zhvilluan këtu sot më japin shpresë se shumë shpejt do të arrijmë te një zgjidhje e duhur", deklaroi kancelari gjerman në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tivat të Malit të Zi.

Kreu i qeverisë gjermane tha se mesazhi kryesor për vendet e rajonit është se Bashkimi Evropian i dëshiron ato si anëtare.

“Qëllimi është dhe mbetet anëtarësimi i plotë i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, sepse kemi interes strategjik t’i lidhim këto vende me ne, me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, edhe ato duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian", tha ai.

Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkanit Perëndimor në BE

Merz tha se tani do të niset një proces gradual që përbëhet fillimisht nga hapja e rrugës drejt institucioneve, për shembull përmes pjesëmarrjes në mbledhjet e Këshillit Evropian, "dhe ndoshta edhe të Parlamentit Evropian në cilësinë e vëzhguesit".

“Nuk do të ketë më justifikime, por do të ketë procese shumë konkrete dhe individuale për secilin shtet të veçantë të Ballkanit Perëndimor. Jemi në Mal të Zi. Mali i Zi është qartësisht vendi më i përparuar në këtë grup. Kjo mund të përfundojë së shpejti, përfshirë edhe të gjithë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Të tjerëve do t’u duhet pak më shumë kohë”, porositi ai.

Ndërkaq, në një konferencë për media pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti propozimin franko-gjerman, duke vlerësuar se qëllimi i tij është përmirësimi i procesit të zgjerimit.

“Procesi i bazuar në merita mbetet themeli i qasjes sonë dhe ne duam të ecim shpejt dhe me efikasitet”, tha ajo.

Von der Leyen zbuloi se dy temat e samitit ishin Plani i Rritjes dhe zgjerimi.

“Zgjerimi është një imperativ gjeostrategjik për ne dhe një investim afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë tonë. Do të mbetet proces i bazuar në merita, por duhet të bëhet më dinamik sepse proces i bazuar në merita nuk do të thotë proces i ngadalshëm, ai nënkupton proces të drejtë dhe të parashikueshëm – me fjalë të tjera, kur reformat bëhet, përparimi drejt BE-së duhet të jetë hapi i radhës”, tha ajo.

Udhëheqësja e KE-së shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ky nuk është premtim i bllokut, por “një zgjedhje strategjike”.

Ndërkaq, kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, la të kuptohet se propozimi franko-gjerman nuk do të zbatohet në rastin e Malit të Zi – shtetit të rajonit që ka bërë përparimin më të madh drejt BE-së, që pritet të bëhet anëtari më i ri i unionit brenda pak vitesh.

Costa tha se propozimi më i ri, është edhe një përpjekje për thjeshtimin e procedurave burokratike në procesin e zgjerimit.

Sipas tij, procesi mbetet i bazuar në merita, por synimi është të zvogëlohet burokracia e ndërlikuar që e shoqëron atë.

“Për Malin e Zi, kjo nuk është aq e rëndësishme sa për vendet e tjera kandidate”, tha Costa në konferencën për media pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Raporti i PE-së: Mali i Zi, vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së

Edhe mikpritësi i samitit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se propozimet më të reja nuk do të zbatohen në rastin e shtetit të tij.

“Ne besojmë se rasti i Malit të Zi është deri diku unik, duke pasur parasysh se Mali i Zi është vend kandidat që tashmë ka iniciuar grupin punues për hartimin e traktatit të anëtarësimit. Kështu i kuptojmë idetë e reja, përfshirë edhe këtë dokument franko-gjerman. Si një qasje më e gjerë, kjo është një mënyrë konstruktive për t’i afruar vendet e tjera kandidate drejt qëllimit përfundimtar”, tha Milatoviq.

Mali i Zi është vendi më i avancuar në rajon në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me një perspektivë të besueshme për anëtarësim.

Ai tashmë po i afrohet përmbylljes së negociatave të anëtarësimit, ndërsa Bashkimi Evropian ka marrë vendim për formimin e një grupi punues që do ta përgatisë draftin e Marrëveshjes së Anëtarësimit.

Në samitin në Tivat, Kosova u përfaqësua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila tha se vendi është i gatshëm të bëjë hapin e radhës në rrugën evropiane.

"Kosova nuk kërkon rrugë të shkurta. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita", tha Haxhiu në samit, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Kurti i thotë Kallasit se Kosovës duhet t'i jepet statusi i vendit kandidat për në BE

Haxhiu përmendi edhe aplikimin e Kosovës të bërë tre vjet më parë - por që ende nuk është shqyrtuar nga Brukseli - duke thënë se është koha që BE-ja të vendosë që t'i japë Kosovën statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti i tij e mbështet nismën franko-gjermane.

“Ne jemi absolutisht për këtë. Kjo do ta ndryshojë ritmin dhe energjinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë se, kur bëni diçka, mund të uleni në tryezë,” tha Vuçiq për gazetarët pas përfundimit të samitit në Tivat.

Sipas tij, ky propozim ishte tema kyç e samitit. Ai po ashtu konfirmoi se udhëheqësit evropianë i kanë kërkuar Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të luftës kundër Ukrainës.

Sa i përket Serbisë, Merz tha po ashtu se Beogradi duhet të zgjedhë se ku e ka vendin në BE apo e rreshtuar me Rusinë dhe Kinën.

Çfarë u tha në komunikatën e samitit?

Samiti BE-Ballkani Perëndimor mblodhi në Tivat udhëheqës të gjashtë shteteve të rajonit dhe BE-së.

Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita.

Në komunikatë u theksua po ashtu se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjithashtu u diskutua për ofertat konkrete të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë “korsitë e gjelbra”, përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe investimet në vazhdim për lidhjen digjitale në mbarë rajonin.

Duke u mbështetur në këtë përparim, gjatë samitit u theksuan edhe mundësi të reja për bashkëpunim, lëvizshmëri dhe ndërlidhje në rajon.

Përmes komunikatës u njoftua për nisjen e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.

Nisja e një programi të ri të mobilitetit, i financuar nga BE-ja së bashku me Shkollën Rajonale për Administratë Publike, do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë profesionale në administratat e shteteve anëtare të BE-së.

Po ashtu, u bë i ditur edhe synimi i Komisionit Evropian që programin DiscoverEU, i cili përfshin ofrimin e biletave falas të udhëtimit për të rinjtë 18-vjeçarë, ta zgjerojë për të rinjtë nga të gjitha vendet e rajonit duke filluar nga viti 2027.

U konfirmua se Komisioni Evropian ka përgatitur hapat e radhës drejt krijimit të marrëveshjeve për roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatë u konfirmua po ashtu se BE-ja, nga Plani i Rritjes për vendet e rajonit, nga viti 2024 e deri më tani ka shpërndarë 673.6 milionë euro. Ndërkaq, liderët e rajonit u inkurajuan që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes, duke zbatuar reformat brenda afateve të parashikuara.

Ky plan i BE-së për periudhën 2024-2027, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë.

Më herët gjatë ditës, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, e cilësoi mbajtjen e samitit në vendin e tij si “pikë kthese” për Malin e Zi, për Ballkanin Perëndimor dhe për vetë Bashkimin Evropian.

Në samit morën pjesë udhëheqës të rëndësishëm evropianë dhe zyrtarë nga vendet kandidate, në një kohë kur Brukseli po përpiqet ta ringjallë procesin e zgjerimit, të ngadalësuar prej vitesh.

Blloku evropian kohët e fundit është përqendruar në nxitjen e reformave në këto shtete kandidate, pas shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk kanë arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.

Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë më përpara në këtë rrugëtim.

Për të ecur përpara në rrugën e tyre, vendet kandidate duhet ta harmonizojnë legjislacionin e tyre me standardet e BE-së në 35 fusha politike, të njohura zakonisht si “kapituj”. Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli kërkohet pëlqimi i të gjitha 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ndryshe nga dhjetori i kaluar, në samitin në Tivat mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qëndrimi i tij në Mal të Zi u shoqërua me tensione në rritje me Malin e Zi, pasi autoritetet malazeze i dëbuan në aeroport një grup burrash që kishin mbërritur në Podgoricë me fluturim çarter.

Megjithëse marrëdhëniet me Malin e Zi nuk janë në nivelin më të mirë dhe tensionet filluan të rriteshin pas festimit të pavarësisë malazeze, Vuçiq nuk hoqi dorë nga pjesëmarrja sepse këtë ia kishte premtuar presidentes së Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e kishte telefonuar personalisht për të biseduar mbi pjesëmarrjen e tij.

Non-paper i Gjermanisë dhe Francës

Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca e paraqitën një të ashtuquajtur non-paper, përmes të cilit këto dy shtete propozojnë integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma.

Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, para nisjes së samitit në Tivat deklaroi se procesi i zgjerimit ka qenë shumë i ngadalshëm dhe se nevojiten ide të reja për t’i nxitur vendet e rajonit të zbatojnë reforma.

Ai paralajmëroi se edhe Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i aftë për zgjerim të mëtejshëm.

“Nëse për 13 vjet nuk kemi pranuar asnjë anëtare të re, kjo tregon se mangësitë ekzistojnë edhe në anën e Bashkimit Evropian. Pikërisht këtë duam ta tejkalojmë sot”, tha Merz para samitit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha para samitit se perspektiva e zgjerimit është e rëndësishme edhe nga këndvështrimi gjeopolitik, pasi në rajon preken çështje që lidhen me pavarësinë evropiane në fushat e energjisë, sigurisë dhe migracionit.

Ndërkaq, para samitit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Evropës i duhet një “moment i Helmut Kohlit”, duke bërë thirrje që vendet e rajonit të trajtohen si pjesë e familjes evropiane, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia pret të bëjë përparim dhe ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.

Ndryshe, presidenti Costa të enjten gjatë qëndrimit në Beograd deklaroi se liderët evropianë do të diskutonin me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor mënyrat për të përmirësuar metodologjitë e procesit të anëtarësimit, me qëllim arritjen e përparimit më të shpejtë dhe më efektiv.

Për më tepër, BE-ja ka theksuar nevojën që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre në mënyrë që aplikimet e tyre për anëtarësim të mund të ecin përpara. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.

Ndërkaq, gjatë vizitës në Kosovë të mërkurën, Costa përsëriti se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve. /REL/

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë