
Thanatopraksia- tradita shekullore në historinë papale/ Si ruhet trupi i Papa Françeskut për pelegrinazh publik
ITALI- Trupi i Papa Françeskut do të ekspozohet në një pelegrinazh publik nga e mërkura deri të premten, në mën...
ITALI- Trupi i Papa Françeskut do të ekspozohet në një pelegrinazh publik nga e mërkura deri të premten, në mën...
TIRANË- Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit garojnë mbi dy mijë kandidatë për një karrige dhe karton në Kuvend, por megjithatë, vëmendja e medias dhe klikimet e publikut janë fokusuar në një duel të njohur gladitorësh – një ritual i vjetër dhe i përsëritur midis dy protagonistëve që prej dekadash përcaktojnë konturet e jetës politike shqiptare.
Të dhënat e përmbajtjes së dhjetëramijëra artikujve të analizuara nga BIRN – të publikuara në faqet e internetit të 8 televizioneve, 7 gazetave dhe 25 portaleve – tregojnë se mbulimi mediatik digjital në dy javët e para të fushatës zgjedhore ka qenë relativisht pasiv, me 58% të lajmeve të publikuara në formën e ‘deklaratave politike’ të kandidatëve për deputetë, shpesh të marra ‘copy-paste’ nga postimet në rrjetet sociale dhe transmetimet e drejtpërdrejta, mes të cilave bie në sy formati ‘SY m’SY’ i pilotuar nga kryeministri në Facebook.
Sipas të dhënave të analizuara, vetëm 13.1% e artikujve të publikuar janë raportim mediatik i drejtpërdrejtë i ngjarjeve dhe pseudo-ngjarjeve të fushatës elektorale, 17.4% janë opinione nga analistë dhe gazetarë, 5.3% janë lajme që fokusohen te procesi zgjedhor dhe pjesa e mbetur mbulon proceset administrative, sondazhet dhe deklaratat e pjesëmarrësve në debatet televizive të mbrëmjes.
Ky peizazh i mbulimit mediatik shfaqet edhe më pak pluralist kur merret në konsideratë fakti se 58.2% e ‘deklaratave politike’ të publikuara nga media online i përkasin vetëm dy kandidatëve për deputet – kryeministrit Edi Rama dhe kreut të partisë më të madhe opozitare, Sali Berisha – ndërkohë që shumica e kandidatëve të tjerë mbeten gati padukshëm, në hijen e dy liderëve që kanë monopolizuar hapësirën publike.
Isa Myzyraj, kreu i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, shprehet se ky duopol mediatik vjen si pasojë e kërkesës së redaksive për të gjeneruar të ardhura nga kandidatët për deputet dhe fushata zgjedhore. “Redaksitë presin që mbulimi mediatik të përkthehet në para,” tha Myzyraj, ndërsa theksoi se përveç liderëve kryesorë, kandidatët e tjerë pritet që të paguajnë. “Media gjithashtu ka një mungesë të burimeve njerëzore për ta mbuluar fushatën në terren,” shtoi ai.
Duopoli mediatik
Edhe pse Kodi Zgjedhor në Shqipëri nuk e rregullon mbulimin e medias online gjatë fushatave zgjedhore, mbulimi në mënyrë të barabartë dhe objektiv i kandidatëve u jep mundësi votuesve të bëjnë zgjedhje të informuara ditën kur do t’i drejtohen kutisë së votimit. Numri i mediave online ka parë një shpërthim në vitet e fundit me hapjen e qindra portaleve lajmesh dhe blogjesh. Megjithatë, shumica e këtyre faqeve nuk kanë strukturë të fortë editoriale dhe as burime të mjaftueshme njerëzore për një mbulim profesional dhe të pavarur të ngjarjeve politike komplekse, siç është fushata zgjedhore.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit garojnë 3 koalicione, 8 parti politike dhe 2046 kandidatë për 140 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Megjithë numri i madh të kandidatëve, aktiviteti i atyre që ka gjetur pasqyrim në mediat online gjatë fushatës mund të numërohet në gishtat e njërës dorë. Pasi analizoi më shumë se 13 mijë artikuj të publikuar në dy javët e para të garës elektorale nga 40 media online të përzgjedhura gjatë periudhës 11 prill deri më 24 prill, BIRN zbuloi se ka një përqendrim të madh të mbulimit mediatik te dy grupimet kryesore politike.
Aleanca për një Shqipëri Madhështore e udhëhequr nga Partia Demokratike mori 47.1% të mbulimit të përgjithshëm mediatik, e ndjekur nga afër nga Partia Socialiste me 46.2%. Në kontrast, Demokratët Euro-Atlantikë të Lulzim Bashës, të cilët renditen të tretët, u përfaqësuan vetëm me 3.1% të mbulimit mediatik, ndërsa të gjitha subjektet e tjera politike së bashku morën vetëm 3.6%. Për sa i përket aktorëve politikë, 36.9% të deklaratave të botuara i përkasin kryeministrit Edi Rama dhe 26% liderit të opozitës Sali Berisha.
Ndërsa pjesa e mbetur e deklaratave të botuara ndahet midis kandidatëve të tjerë në zgjedhje dhe përfaqësuesve të partive politike. Mbulimi i aktorëve politikë ka qenë relativisht i njëtrajtshëm midis faqeve në internet të televizioneve, gazetave dhe portaleve. Analiza e përmbajtjes së deklaratave politike gjatë dy javëve të para të fushatës tregon se ato u dominuan ndjeshëm nga akuzat dhe sulmet politike, më shumë sesa nga diskutimet thelbësore mbi politikat publike dhe premtimet elektorale. Çështjet ekonomike dhe ato që lidhen me drejtësinë u trajtuan në mënyrë të dukshme, por shpesh të kornizuara në një ton konfliktual.
Në kontrast, fusha të tilla si çështjet sociale, barazia gjinore, angazhimi i diasporës dhe politika e jashtme morën shumë më pak vëmendje, duke pasqyruar një diskurs fushate të përqendruar më shumë te rivaliteti politik sesa te adresimi i shqetësimeve të qytetarëve. Opinionet dhe blogjet e publikuara gjatë dy javëve të para të fushatës vazhduan të pasqyrojnë tendencën e përqendrimit dhe polarizimit të vërejtura edhe në paqyrimin në lajme.
Partia Socialiste ishte fokusi kryesor i këtyre artikujve, duke u shfaqur në 59% të të gjitha opinioneve dhe analizave, e ndjekur nga Aleanca për një Shqipëri Madhështore me 34.2%, ndërsa subjektet e tjera politike u trajtuan vetëm në 6.8% të përmbajtjes. Ndërsa ofronin një hapsirë më analitike se lajmet dhe deklaratat politike, shumica e këtyre opinioneve karakterizoheshin nga një ton negativ ose i përzier, duke forcuar narrativën e polarizuar të fushatës.
Shtohen të ardhurat nga reklamat
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, 86.2% e individëve e përdorin internetin disa herë në javë dhe 99.9% e shqiptarëve zotërojnë telefona celularë inteligjentë, çka u jep mundësinë të aksesojnë përmbajtjen e medias online falas. Mediat digjitale vendase, të referuara shpesh si portale lajmesh, janë kthyer në një nga burimet kryesore të informacionit në vend.
Sipas një sondazhi të konsumit të medias të publikuar nga BIRN në korrik 2023, 69% e shqiptarëve përdorin median online çdo ditë ose pothuajse çdo ditë, dhe 14% të tjerë të paktën një herë në javë. Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në vitin 2021, fushata u dominua nga reklamat në mediat audiovizive, ku sipas përllogaritjeve të BIRN partitë politike shpenzuan miliona euro në reklama politike në këto media.
Ndërkohë, në fushatën për zgjedhjet vendore të vitit 2023, pjesë e shpenzimeve të partive politike u kanalizuan tek ‘billbordet’ dhe reklamat ‘city lights’. Të dhënat dyjavore të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit tregojnë se reklamat në faqet e medias online po marrin një pjesë të rëndësishme të buxhetit të kandidatëve dhe partive politike. Përveç mbulimit editorial, BIRN monitoroi edhe afishimin e reklamave politike në median online gjatë dy javëve të para të fushatës. Në total, u konstatuan 55 reklama në formë ‘baneri’ që promovonin parti politike ose kandidatë, të shpërndara në 33 media të ndryshme.
Partia Socialiste dominoi reklamimin online, duke përfaqësuar 63.6% të të gjitha reklamave të publikuara. Aleanca për një Shqipëri Madhështore, e udhëhequr nga Partia Demokratike në opozitë, pasoi me 26% të reklamave. Subjektet e tjera politike, përfshirë koalicione dhe parti më të vogla, zinin një pjesë minimale të hapësirës reklamuese.
Kandidatja individuale me numrin më të lartë të reklamave të regjistruara ishte Jorida Tabaku nga Partia Demokratike. Tabaku, një nga lideret kryesore të Partisë Demokratike gjatë dekadës së fundit, po lufton për mbijetesë politike si pjesë e listës së hapur të kësaj partie në rajonin e Tiranës./Reporter.al
TIRANA- Deklarata e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e dytë 2024 vlerëson se ecuria e sektorit financiar ishte pozitive, por ndërkoh&e...
SHBA- Ekonomia globale do të ndikohet nga tensionet në rritje tregtare dhe pasiguria politike. Rritja e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB)...
TIRANA- Audituesi ligjor dhe konsulenti tatimor Julian Saraçi tha se regjistrimet në QKB dhe deklarimet tatimore në sistemin e tatimeve qendr...
TIRANA- Sistemi aktual i taksave vendore kërkon një reformë të thellë në strukturë, varësi institucionale, barrë ...