POLITIKE

BIRN: Fushata në Dibër dominohet nga "lufta brenda llojit" për mandatin e pestë

Blerina Gjoka Përditësimi i fundit 27 Prill 2025, 13:39
BIRN: Fushata në Dibër dominohet nga "lufta brenda llojit"
foto ilustruese

PESHKOPI- Asfalti i saposhtruar të shoqëron në 10 kilometrat e rrugës hyrëse në Peshkopi, ndërsa në dy anët e saj, plantacionet me mollë dhe qershi janë ende në lulëzim. Makinat me flamuj të kandidatëve për deputetë të lajmërojnë se qyteti është përfshirë nga ethet zgjedhore të 11 majit, ku qarku Dibër do të dërgojë 5 deputetë në Kuvend.

Në bulevardin “Elez Isufi”, qytetarët shëtisin në një diell të ngrohtë prilli ose ulen në kafenetë e shumta në të dyja anët, ndërsa disa punëtorë po shtrojnë pllakat e reja në një projekt prej  dhjetramilionë lekësh, edhe pse u ndërtua pak vite më parë si pjesë e programit “Rilindja Urbane” të qeverisjes socialiste.

Fushata elektorale është tema kryesore e bisedave të dibranëve.

“Tani që u zgjidh problemi i rrugës duhet ribërë një strategji zhvillimi për Dibrën,” thotë Hysen Uka, 60 vjeç, i cili më vonë na tregon se ka qenë një lobues i hershëm i projektit të rrugës së Arbrit nëpërmjet shoqatës së tij “Nisma për Dibrën”.

Hapja e vonuar e tunelit të Murrizit, që shkurton distancën e qytetit verilindor me Tiranën, nuk duket të ketë ndikuar aq sa pritej në entuziazmin e dibranëve.

Uka e përshkruan fushatën të qetë dhe mendon se në listat e të gjitha partive ka persona me vlera, por shton: “sistemi zgjedhor nuk mundëson përfaqësimin e vlerave individuale të kandidatëve”.

Qarku verilindor i Dibrës, ku përfshihen bashkitë Peshkopi, Bulqizë, Klos dhe Mat, do të nxjerrë 5 deputetë në këto zgjedhje nga votat e rreth 130 mijë votuesve. Zgjedhjet parlamentare të së shkuarës kanë favorizuar Partinë Demokratike në opozitë, e cila mori 3 deputetë në vitin 2021. Megjithatë, opozita futet e përçarë në këto zgjedhje, ndërsa socialistët e armatosur edhe me pushtetin lokal synojnë një përmbysje rezultati.

Beteja e vërtetë në Dibër po zhvillohet rreth mandatit të pestë, mes kandidatëve të listave të hapura nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Siç pranojnë simpatizantët e të dy krahëve, konkurrenca është e ashpër me kundërshtarët politikë, por edhe më e ashpër mes kandidatëve të së njëjtës parti.

Rivaliteti brenda llojit

Në listat e sigurta, Partia Socialiste kandidon Blendi Klosin si drejtues politik të qarkut dhe Alma Selamin, drejtoreshë shkolle dhe funksionare e administratës socialiste. Përballë kanë ish-kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu dhe kryetaren e Partisë Demokratike të Matit, Denisa Vata si pjesë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Dhjetë kandidatë të tjerë nga dy partitë e mëdha përplasen me njëri- tjetrin për mandatin e pestë, por gara dominohet nga pak prej tyre.

Në kampin e Partisë Socialiste, një aktivist na tregoi për dualitetin mes Danjiel Gjurës dhe Agron Malajt; i pari drejtor i Kadastrës dhe i dyti kryebashkiak i Matit deri në fillimin e fushatës. Danjel Gjurën e takojmë në një bar-kafe në pronësi të familjes së tij në hyrje të qytetit të Peshkopisë, që për nga posterat e shumtë me portretin e tij, duket se shërben edhe si zyrë elektorale.

Gjura heziton të bisedojë me gazetarët dhe thotë se nuk i pëlqejnë daljet në rrjetet sociale dhe media, por komunikimi derë më derë me njerëzit.

“E njoh shumë mirë këtë vend dhe nga mosha 21 vjeçare i kam shërbyer komunitetit të zonës,” tha ai për BIRN. “Dibranit duhet t’i fitosh zemrën,” përgjigjet shkurt kur e pyesim nëse pret që investimet në zonë të ndikojnë tek votimet.

Ai këmbëngul gjithashtu se nuk ka rivalitet brenda kampit socialist se kush mbledh më shumë vota dhe se fushatën po e shijon si një mundësi komunikimi me njerëzit e tij.

“Unë nuk bëj llogari votash, po e pati shkruar Allahu do bëhem deputet,” thotë Gjura duke vënë në dukje gjithashtu se është praktikant i fesë.

Edhe Agron Malaj, i cili përdor si kartvizitë në këto zgjedhje investimet në infrastrukturë të bashkisë, nuk e pranon rivalitetin brenda siglës.

“Nuk kam konkurrencë, kam një objektiv të fitojë PS-ja në qarkun Dibër,” tha Malaj, duke shtuar se votat për kandidatët dhe për partinë janë njësoj.

Në kampin e opozitës, fushata brenda llojit dominohet vizualisht nga ish-ushtaraku dhe deputeti aktual i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, i cili reklamon posterin me numrin e tij në fletën e votimit në fasadat e zyrave elektorale dhe dritaret e pasme të dhjetra makinave që qarkullojnë gjatë ditës në Peshkopi.

Një anëtar i shtabit elektoral demokrat, që kërkoi të qëndronte anonim,  i tha BIRN se karvani i makinave të simpatizantëve të Gjunkshit ishte i pranishëm çdo ditë dhe ndonjëherë, edhe orëve të vona të darkës në qytetet dhe fshatrat përreth Peshkopisë, Bulqizës dhe Klosit.

“Janë djem të rinj që u janë dhënë këto makina në përdorim, ku me flamujt e posterat e Gjunkshit vijnë vërdallë për të dhënë imazhin e dominimit të fushatës, a ku di unë për çfarë tjetër,” ironizoi ai.

Dominimi i Gjunkshit vërehej edhe në takimin elektoral në Pallatin e Sportit që po zhvillohej me pjesëmarrjen e kreut të PD-së, Sali Berisha, ku dhjetra të rinj mbanin veshur bluzën me numrin 1 dhe emrin e tij, ndërsa një banderolë e madhe po ashtu shtrihej në njërën anë të sallës ngjitur me një tjetër ku shfaqej Berisha afër fotos së presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjunkshi e quajti “rivalitet pozitiv” garën mes kandidatëve të listës së hapur, por shtoi se kjo ishte një garë për të dhënë më të mirën dhe jo kundër kolegëve.

“Formula e listave të hapura padyshim ka sjellë më shumë përgjegjësi për secilin prej nesh si kandidatë,” tha Gjunkshi. “Mund të ketë njëfarë rivaliteti pozitiv brenda listës, por qëllimi i përbashkët mbetet fitorja e PD-së në Dibër dhe kthimi i shpresës për këtë qark të lënë pas dore,” shtoi ai.

Alketa Agolli me shkollim të dyfishtë, në Shkencat e Natyrës dhe Juridik, është një vajzë vlonjate e martuar në Maqellarë të Dibrës, e cila ka advokuar kundër projektit të qeverisë “Rama” për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një projekt që pritet të cënojë disa fshatra të zonës.

Nën tymin e flakadanëve dhe timbanin e daulles që shoqëroi largimin e Berishës pas mitingut të demokratëve, Agolli tha se sistemi i listave të hapura ka sjellë një dinamikë të re në këto zgjedhje, por edhe një sfidë.

“Ka kandidatë që disponojnë më shumë burime për të bërë një fushatë më agresive, por unë besoj fort se qytetarët dinë të dallojnë sinqeritetin dhe përkushtimin, përtej shkëlqimit të sipërfaqes,” tha ajo.

Projeksionet e votave në dy bastionet tradicionale të qarkut të Dibrës në këto zgjedhje rivalizohen nga kandidatë të subjekteve të tjera politike. Mes emrave me peshë në komunitet dallojnë Albert Kojku nga Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës dhe Florjan Tomçini nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit.

Kojku, 44 vjeç, lektor në një universitet privat në Tiranë për menaxhimin e sistemeve kompjuterike, ka qenë një aktivist i hershëm i PD-së që pas luftës së brendshme të kësaj partie u pozicionua në krahun e Bashës.

Ndërsa ecim një copë rrugë  në bulevard, qytetarë të shumtë e përshëndesin atë me “profesor”, që sipas tij lidhet me punën e gjatë në sistemin arsimor në Dibër. Kandidati i Bashës e konsideron si avantazh faktin që njerëzit e njohin dhe pretendon se do të mbledhë shumë vota personale për këtë shkak, por edhe votuesit e zhgënjyer nga dy partitë e mëdha.

“Dibra nuk kërkon premtime, por zhvillim,” thotë Kojku, ndërsa bën një listë të gjatë me problematikat me të cilat përballet qarku, nga arsimi jocilësor te emigrimi dhe mungesa e shërbimeve bazë.

Pavarësisht trysnisë që ofron fushata mes dy kampeve të mëdha, Kojku është optimist se do thyhet ‘akulli’ me rezultatin e listës së Koalicionit Euroatlantik dhe mandati i 5-të do të shkojë për të.

Edhe PSD-ja e Tom Doshit po përpiqet të fitojë elektorat në Dibër me Florjan Topçinin, i cili falë aleancës me Partinë Socialiste, është i punësuar drejtor në bashkinë e Dibrës, por që nga marsi ka kërkuar pezullimin nga detyra dhe ka hapur zyrën elektorale në qytet.

“Ai do të marrë vota nga PS-ja, nuk na prish punë ne” tha një aktivist demokrat. Shqetësimi duket se është në kampin socialist, ku një aktiviste tha: “ai ka influencë në zonë”.

Prioritetet e mënjanuara sociale  

Fushata në Dibër duket se bazohet më fort në fuqinë financiare dhe ndikimin në elektorat të disa kandidatëve, sesa në programet elektorale të forcave politike apo prioritetet sociale që ka zona.

“Asnjë nga subjektet politike nuk ka pasur interes të diskutojë me organizatat e shoqërisë civile për prioritetet e zonës,” tha një aktiviste vendore, e cila kërkoi të mbetet anonime, ndërsa shtoi se nuk sheh që ndonjë prej tyre të ketë prioritet çështjet sociale, por vetëm infrastrukturën.

“Shërbime sociale për zonën janë inekzistente, por kjo nuk është prioritet në diskurset e kandidatëve,” shtoi ajo.

Një tjetër problem sipas aktivistes së shoqërisë civile është dhe përfshirja e ulët e grave në fushatë elektorale. “Shumica e grave që janë përfshirë, pranojnë se ka diskriminim gjinor”- shton ajo, duke konsideruar gjithashtu si diskriminuese deklaratat e kryeministrit Edi Rama në një takim me gratë socialiste disa ditë më parë në Peshkopi.

Aktivistja theksoi se në përgjithësi fushata është e qetë dhe se kandidatët po fokusohen në takime të vogla derë më derë me qytetarët.

Edhe për Alketa Agollin, fushata është sfiduese për gratë e përfshira në politikë për shkak të pabarazisë gjinore.

“Pabarazitë gjinore janë ende të pranishme, qoftë në perceptimin publik, qoftë në mënyrën se si shpërndahen burimet,” thotë ajo, duke e konsideruar fushatën e grave në Dibër dhe si një mundësi për të thyer barrierat dhe t’i bërë ato aktore, jo vetëm pjesëmarrëse.

Besjan Cena, pronar i një agjencie udhëtimi, i mëshon mungesës së mbështetjes për bujqësinë dhe plagës së emigrimit si probleme kryesore të zonës. Djali i tij 16-vjeçar është tashmë një azilkërkues në Francë, pavarësisht këmbënguljes së babait për ta shkolluar dhe mbajtur në shtëpi. Besjanit nuk i pëlqen polarizimi politik që ekziston në qytet, ku pothuaj të gjithë e njohin njëri-tjetrin.

“E mira është të votohen ata njerëz që i kanë shërbyer komunitetit,” përfundoi ai./Reporter.al 

zgjedhjet e 11 majit qarku i dibres

zgjedhjet e 11 majit fushata ne diber

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë